Ka humbur jetën një ushtarake shqiptare në Letoni

Një pjesëtare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka humbur jetën dhe dy ushtarakë të tjerë shqiptarë janë plagosur gjatë një shpërthimi të municioneve në Letoni, ndërsa shërbenin në kuadër të misionit të NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, tha se mëngjesin e sotëm në Letoni, një grup i kontingjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

“Nga ky shpërthim është plagosur dhe më pas ka humbur jetën nëntetare Zarife Hasanaj. Të plagosur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj. Sipas informacioneve të deritanishme Tanushi dhe Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni”, deklaroi Kollçaku.

Në lidhje me ngjarjen kanë reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

“Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të thella familjes se nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të Forcave të Armatosura në Letoni. Presidenti Meta po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë major Klodian Tanushi dhe rreshterit Julian Kapaj”, thuhet në mesazhin e Metës, publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë.

Ndërsa kryeministri Rama, në një mesazh në rrjetet sociale shkruan: “Dhimbje e respekt i thellë për efektiven e Forcave të Armatosura, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë”.

Kujtojmë se Shqipëria përfaqësohet me kontingjent ushtarak në kuadër të misionit të NATO-s, “Prezenca e Përparuar e Përforcuar” (Enhanced Forward Presence) në Letoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button