ANALIZË: Shfrytëzim i dobët i parave buxhetore për subvencionimin e rrogës minimale – ku të gjendet zgjidhja?  

Në fillim të vitit, rregullisht paguhen mjetet buxhetore për subvencionimin e rrogës minimale thonë një pjesë e punëdhënësve thonë për “Portalb”-in, por megjithatë niveli i shfrytëzimit të ndihmës shtetërore është i ulët dhe sipas biznesmenëve, duhet të gjendet mënyrë se si të shfrytëzohen paratë.  Përderisa paralajmërohet rritje e re e rrogës minimale prej 13.000 denarëve, të dhënat nga “Financial think” tregojnë se 17.8% e punëtorëve një pjesë të rrogës e marrin “në dorë – në zarf”, e kjo situatë dominon mu te ata që janë të paraqitur me rrogë minimale, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ndryshim i mundshëm i kritereve…

Pas paralajmërimeve për rritje në korrik të rrogës minimale në 13.000 denarë, sipas punëdhënësve, nuk përjashtohet mundësia të definohen kushte dhe kritere të reja që duhet ta rrisin edhe nivelin e shfrytëzimit të mjeteve buxhetore që janë rezervuar për mbështetjen e biznesmenëve që do ta rrisin rrogën minimale.

“Për momentin, në fuqi është vendimi për subvencionimin e rrogës minimale më të lartë se 12.500 denarë, e cila duhet ta aktivizojë “spiralen” për rritje të mëtejshme. Presim të vazhdojmë negociatat me përfaqësuesit e institucioneve kompetente me të cilët do të definohen dhe ndoshta do të arrihet marrëveshje për kritere të reja për subvencionimin e rrogave. Tani, për shembull, njëri nga kriteret për marrjen e subvencioneve është të mbahet punëtori për një kohë të caktuar, e nëse shkelen kushtet e përcaktuara, është paraparë që punëdhënësi t’ia kthejë paratë shtetit. Nuk them se shteti duhet të ofrojë “lirim nga pagesa e tatimit”, por mendoj se duhet të gjejmë një zgjidhje për shfrytëzimin më të mirë dhe më efikas të mjeteve buxhetore për ta mbështetur rritjen e rrogës minimale dhe kjo zgjidhje të jetë pjesë e politikës industriale të vendit”, thotë Angell Dimitrov nga Organizata punëdhënësve, e cila është e përfshirë në negociatat me Qeverinë për rrogën minimale.

Rroga minimale dhe rritja e re e saj ishin në fokus të negociatave disamujore midis qeverisë dhe përfaqësuesve të sektorit privat dhe sindikatave. Në paketë me rritjen e re të rrogës minimale është paralajmëruar edhe ligji i ri për marrëdhëniet e punës.

“Jemi duke menduar seriozisht edhe për një rritje të re të rrogës minimale këtë vit. Në rrjedhë e sipër janë konsultimet me të gjitha palët e interesuara për ta gjetur modelin më të përshtatshëm. Besojmë se në maj dhe qershor do t’i shfrytëzojmë që nga 1 korriku ta rrisim rrogën minimale në 13.000 denarë. Dialogu vazhdon dhe besoj se do të gjejmë mjete dhe mënyra me të cilat të gjitha palët do të jenë të kënaqura. Të dhënat thonë se si rezultat i rritjes së rrogë minimale, rroga mesatare është rritur për 6.6% në shkurt të vitit 2019 krahasuar me gushtin e vitit 2017, përpara rritjes së rrogës minimale. Nëse e bëjmë këtë në krahasim me muajin e marsit për të cilin i presim të dhënat, tashmë kemi mbi 8% rritje në rrogës mesatare”, paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev.

Analizat e sektorit privat tregojnë se rroga minimale e inicioi “spiralen” e rritjes së rrogave, por edhe të atyre më të ulëtave, në veprimtaritë me intensitet të lartë  të punës, ndërsa ky trend nuk është i pranishëm te rrogat më të larta.

“Sipas mendimit tim, subvencionimi mund të duhet të zgjerohet edhe te rrogat më të larta, për shembull nëse punëdhënësi paguan rrogë prej 15.000 denarësh për të cilën paguan kontribute prej rreth 7.500 denarësh dhe këtë rrogë e rrit në 17.000 denarë, atëherë dallimin në kontributet për rrogën ta subvencionojë shteti.  Rritja e rrogës minimale shkaktoi rritje, kryesisht të rrogave më të ulëta në veprimtaritë me intensitet të latë të punës, dhe për shembull, këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, rrogat në industrinë e tekstilit janë rritur për 11.6%, ndërsa nga ana tjetër vërehet një trend i stagnimit te rrogat më të larta”, thotë Dimitrovi.

Ka para nga buxheti, por nuk shfrytëzohen…

Këtë vit në buxhet janë ndarë mbi 5 milionë euro – mjete për t’i mbështetur punëdhënësit në procesin e rritjes së rrogës minimale, por mbetet e hapur çështja se si të shfrytëzohen këto para.

“Aktualisht, në fuqi është subvencionimi prej 30% për punëdhënësit që e rrisin rrogë minimale. Rreth gjashtë milionë euro ishin ndarë nga buxheti i vitit të kaluar, nga të cilat u shfrytëzuan vetëm 170.000 euro. Tani, sipas informacioneve, kemi përmirësim të shfrytëzimit prej rreth 15% në muajt e parë të këtij viti, në të cilin janë planifikuar mjete prej më shumë se 5 milionë eurosh për mbështetje.  Zgjidhja ligjore është e qartë, para buxhetore mund të marrin ato firma, shpenzimet e të cilave marrin pjesë me 50% të shpenzimeve të përgjithshme të rrogave, e ato kryesisht janë veprimtaritë me intensitet të lartë të punës” – thotë Dimitrovi.

Qeveria bën përpjekje për shfrytëzim sa më të madh të këtyre parave, vlerësojnë punëdhënësit, por a duhet të kërkohet faji për shfrytëzimin e tyre të dobët edhe në sektorin privat?

“Është mirë që ekziston zgjidhje për subvencionimin e rrogës së rritur minimale, por një pjesë e punëdhënësve ndoshta konsiderojnë se bëhet fjalë për shuma “të vogla” të parave që do t’i merrnin nga shteti, por këtu ka edhe një faktor tjetër, e ai është mungesa e informacionit. Sipas informacioneve tona, këtë vit rregullisht paguhen paratë buxhetore për rrogën e rritur minimale, por megjithatë duhet gjetur mënyrë për shfrytëzimin më efikas të mjeteve. Mbetet edhe fakti se një pjesë e rrogës paguhet “në dorë” dhe në këto raste punëdhënësi e ka të vështirë të vendosë të paguajë kontribute dhe të presë që dallimi i vlerës së paguar të mbulohet nga shteti dhe ndoshta për këtë arsye mund të mendohet edhe për një model të “një lirimi të caktuar nga kontributet” dhe ky shpenzim të kompensohet nga shteti”, komentojnë një pjesë e biznesmenëve për Portalb.mk.

Hulumtimi i paradokohshëm i “Finance Think” tregoi se 17.8% e punëtorëve në vend që kanë kontratë formale për punë kanë marrë rrogë “në zarf”, ndërsa kjo situatë është më e pranishme te të punësuarit që marrin rrogë minimale. Në fakt, 62% e atyre që janë të siguruar në bazë të rrogës minimale e kanë marrë pothuajse shumën e njëjtë të rrogë “në dorë – në zarf”.

Maqedonia ishte njëra nga vendet e fundit në Evropë që e futi rrogën minimale – e përcaktuar si shuma më e ulët mujore e rrogës bazë që punëdhënësi është i detyruar t’ia paguajë punëtorit për punën e kryer për orar të plotë të punës dhe për normën e realizuar të punës. Të drejtë për rrogë minimale, sipas dispozitave të Ligjit për rrogën minimale, kanë të gjithë punëtorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button