Dëshmitari Jonçe Ivanovski: Besoj që Fejzi Aziri është i pafajshëm

“Duke e njohur Fejziun, unë besoj se ai nuk e ka bërë atë vepër”, kështu deklaroi sot në seancnë gjyqësore të rastit “Monstra”, dëshmitari i propozuar nga pala mbrojtëse Jonçe Ivanovski, i cili në periudhën e ngjarjes makabre, ka pasur fabrikë afër fermës së Azirit dhe me atë kanë pasur marrëdhënie të mira miqësore, njofton Portalb.mk.

“Prej të akuzuarve e njoh vetëm Fejzi Azirin. Gjatë periudhës së rastit të vrasjes e kam pasur fabrikën në afërsi të fermës së Fejzisë. Kemi pasur marrëdhënie të mira, s’ka qenë ndonjë nacionalist, të vjedhë apo ku ta di çfarë. Sipas meje njeriu është OK dhe nuk besoj se është fajtor”, tha Ivanovski.

Ai foli për marrëdhëniet e tij miqësore me Azirin dhe tha se nuk ka vërejtur kurrfarë ndryshimi në periudhën pas ndodhjes së vrasjes deri në arrestimin e tij, pasi që siç tha ai, nëse do të kishte parë diçka të dyshimtë menjëherë do ta paraqiste.

“Për rastin mora vesh nëpër media, deri në arrestimin e Azirit unë e kam takuar atë dhe gjatë asaj periudhë s’ka pasur kurrfarë ndryshimi. Ne derisa jemi takuar kemi biseduar për bizneset tona, asokohe kanë ndodhur disa vjedhje në objektet tona dhe ajo na ka shqetësuar të dyve. Kur e mora vesh se ai akuzohet për atë ngjarje u habita, unë jam maqedonas dhe më vjen keq për vrasjen e atyre fëmijëve, nëse do të kishte pasur diçka të dyshimtë do ta kisha paraqitur menjëherë, nuk frikësohem”, theksoi Ivanovski.

Sot gjithashtu, dëshmia e dëshmitarit të koduar “E1” në lidhje me atë se çfarë forme të flokëve dhe nëse ka pasur njollë në fytyrë Sami Luta në periudhën e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, është demantuar nga dëshmitarët e palës mbrojtëse. Ata për dallim nga “E1” që ka thënë se Luta ka pasur flokë të gjata dhe një njollë në pjesën e majtë të fytyrës, të njëjtët kanë thënë se Luta në atë periudhë ka mbajtur flokë të shkurtra dhe nuk ka pasur njohë dhe për këtë e kanë dëshmi një incizim dasme dy muaj para vrasjes.

Në seancën e sotme gjyqësore nuk morën pjesë familjarët e viktimave. Seanca e radhës do të mbahet më 14 maj, në të cilën do të vazhdohet me dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga pala mbrojtëse.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button