U mbajt Maratona e Shkupit, kryesojnë sportistët nga vendet afrikane

Me pjesëmarrjen e rreth 12.500 garuesve nga 58 shtete sot në Shkup është mbajtur edicioni i 15-të i “Wizz Air – Maratona e Shkupit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në maratonë (42 kilometra) tek femrat e para është renditur Eunice Nyawira Muchiri nga Kenia (2:33:38), Euliter Jepchirchir Tanui nga Kenia (2:35:32) e dyta dhe Naomi Kakoko Limamurei gjithashtu nga Kenia (2:38:32) e treta.

Ndërsa tek meshkujt Chalachew Asmamaw Tiruneh nga Etiopia (2:15:37) i pari, Wilfred Kipchirchir Korir nga Kenia (2:16:54) i dyti si dhe Getaye Fisseha Gelaw nga Etiopia (2:19:32) i treti.

Kjo ngjarje sportive, e cila tubon mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të botës dhe e bën Shkupin pjesë të hartës botërore të atletikës, filloi nga “Porta Maqedonia” në qendër të qytetit dhe u zhvillua nëpër rrugët e kryeqytetit.

Përveç maratonës, pjesëmarrësit kishin mundësinë të garojnë edhe në gjysmë-maratonë (21 kilometra), vrapim në stafet (12 kilometra – 9 kilometra) dhe gara në pesë kilometra.

Organizatorët njoftuan se fondi i çmimeve është 18 mijë euro, ndërsa më të mirët në maratonë do të mund të fitojnë më së shumti 5 mijë euro.

“Wizz Air – Maratona e Shkupit” organizohet nga Lidhja Sportive e Shkupit në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, Federatën e Atletëve të Maqedonisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button