Drejtori i Neurokirurgjisë u infektua nga fruthi, nga Klinika për sëmundje infektive apelojnë të gjithë të vaksinohen

Drejtori i Klinikës për neurokirurgji, Vlladimir Rendevski është ndër personat e sëmurë nga fruthi, të cilët po mjekohen në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup. Ai thotë që tash më disa ditë është në Klinikë dhe se nuk e di se si është infektuar nga fruthi, transmeton Sdk.mk, përcjell Portalb.mk. 

“Është dita e tretë që jam në Klinikën për sëmundje infektive. Sot jam pak më mirë, përndryshe kisha temperaturë të lartë dhe ethe. Javën e kaluar kishte edhe dy-tre punonjës të cilët janë sëmurë dhe ata nuk janë në punë. Çdo ditë jemi në kontakt me pacientë nga pjesë të ndryshme të vendit, ata vijnë dhe u bëjmë kontrolle në ambulantë, prandaj edhe apelojmë që  të gjithë që nuk janë të vaksinuar të vaksinohen”, thotë Rendevski.

Ai thotë se në mesin e pacientëve që mjekohen tek ata në Klinikë nuk ka të sëmurë nga fruthi dhe se pothuaj të gjithë punonjësit në Klinikë janë rivaksinuar.

“Unë nuk u rivaksinova. Me sa e di, si fëmijë jam vaksinuar kundër fruthit, por me sa duket kam qenë i vaksinuar vetëm me një dozë të vaksinës. Nuk ka dëm që njerëzit të rivaksinohen, pa marrë parasysh nëse kanë një apo dy doza. Epidemia po përhapet dhe prandaj duhet që këto masa të aplikohen më rreptësisht”, thotë Rendevski.

Nga Inspektorati Shtetëror sanitar dhe shëndetësor (ISHSSH) thonë se Klinika në këtë rast, sikur edhe klinikat tjera ku ka pasur mjek të infektuar, duhet të formojë komision për infektime infra-spitalore që do të ndërmerr masa për dezinfektim të hapësirave.

“Nga e hëna do të bëjmë kontroll për të parë nëse dhe si është vepruar. Deri më tani nuk kemi informatë që ndonjë nga punonjësit e Klinikës është në mesin e të sëmurëve, por po të kishte diçka të tillë do të ishim të informuar. Pjesë e stafit tanimë është vaksinuar, kurse pjesë tjetër është duke u vaksinuar në Qendrën për shëndet publik”, thotë drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror sanitar dhe shëndetësor, Irina Sotirova-Buhova.

Instituti për shëndet publik sot ka publikuar se javën e fundit janë regjistruar 110 të sëmurë nga fruthi dhe se më shumë se gjysma e tyre nuk janë nga Shkupi.

Epidemiologu Vlladimir Mikiq nga Institutit për shëndet publik dhe anëtar i Komisionit për sëmundje ngjitëse pranë Ministrisë së shëndetësisë tha se pas shpalljes së epidemisë së fruthit, janë vaksinuar 830 persona mbi 14 vjeç, kurse 65 përqind prej tyre janë punonjës shëndetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button