Kryediplomati hungarez: Siguria e Evropës sot fillon në Turqi

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Peter Szijjarto, pas bisedimeve me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, ka lavdëruar Turqinë për rolin e saj në garantimin e sigurisë së Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Hungaria e sheh Turqinë si një aleat dhe mik strategjik”, tha ministri Szijjarto në konferencën e përbashkët për media me ministrin Çavuşoğlu.

Szijjarto theksoi se Turqia po kujdeset për 4.5 milionë emigrantë dhe ajo nuk i lejon ata të udhëtojnë në Bashkimin Evropian (BE).

Ai theksoi se Evropa do të përballej me “presion serioz të migracionit” nëse Turqia nuk do të zbatonte marrëveshjen e arritur me BE-në në vitin 2016.

“Siguria e Evropës sot fillon në Turqi”, u shpreh ai.

Kryediplomati hungarez theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kundër terrorizmit me Turqinë, vendi i cili, tha ai, ka ndërmarrë hapa serioze kundër kërcënimit, pasi mbi 5 mijë ish-anëtarë të DEASH-it që janë qytetarë të BE-së përpiqen të kthehen në Evropë.

Duke theksuar potencialin për bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e energjisë, Szijjarto tha se Hungaria mund të importojë gaz nëpërmjet tubacionit të gazit turk, aktualisht në ndërtim, nëse nuk mund ta bëjë këtë nga Rumania apo Kroacia.

“Duke pasur parasysh pasigurinë nëse Hungaria do të jetë në gjendje të blejë gaz përmes Ukrainës vitin e ardhshëm, një pjesë e gazit të vendit mund të furnizohet nga jugu”, tha ai.

Szijjarto po ashtu bëri të ditur se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pritet të vizitojë Hungarinë në vjeshtën e ardhshme për të marrë pjesë në këshillin strategjik hungarez dhe turk të nivelit të lartë.

Ankaraja punon me Moskën për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha turke” për të kaluar përmes Detit të Zi.

Me njësinë e parë të tubacionit të përfunduar, negociatat janë në vazhdim në Evropë për segmentin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button