Kosovë, urimi i hershëm për liberalizimin e vizave

Urimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për siç ka hënë ai, ‘liberalizimin e vizave’, nuk ua ka kthyer shpresat shumë qytetarëve që po presin para ambasadave të vendeve evropiane, për t’u pajisur me vizë. Ata thonë se ka dhjetë vjet që dëgjojnë premtime e urime për heqjen e vizave, njofton REL.

Nexhat Mulaj, një djalë i ri nga komuna e Skënderajt, me një numër të madh të dokumenteve në duar, po priste që të aplikonte për vizë para Ambasadës së njërës nga shtetet skandinave. Ai tha se nuk beson se së shpejti do të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët.

“Me një fjalë, unë nuk i shoh të arsyeshme ato që thonë se sot, nesër, [do të ndodhë liberalizimi], kështu që kam vendosur që përmes kompanive të bëj zgjidhje dhe të mos pres liberalizimin e vizave, sepse nuk e dimë se kur do të ndodhë. Nuk kemi një shpresë se do të ndodhë më 2020 ose më 2021”, u shpreh Mulaj.
Ai tha, po ashtu, se edhe pse është dashur të bëjë gati shumë dokumente, nuk ka qenë e lodhshme për të, pasi që në shtetin përkatës ku synon të shkojë, do të gjejë punë.

“Kur ta mendosh se mund të përparosh dhe do të kesh një jetë më të mirë, ia vlen të mundohesh për dokumente. Ia vlen të shpenzosh dhe të vraposh pas këtyre gjërave”, tha Mulaj.

Kurse, Bastriu, një qytetar tjetër, tha se vetëm fëmijët mund t’u besojnë premtimeve për liberalizimin e vizave.

“Për t’u besuar [politikanëve] duhet të jesh fëmijë”, tha shkurt Bastriu.

Ndërkaq, Zeqir Geci, një tjetër qytetar që ka aplikuar për vizë tha se nga premtimet e politikanëve, kjo shoqëri ka ardhur në këtë gjendje, e cila i shtynë të rinjtë të ikin nga Kosova për jetë më të mirë në Evropë.

“Deri në këtë gjendje na kanë sjellë, premto, premto dhe asgjë hiq. Më mirë të iki. Duhet t’i marrim të gjitha gjërat në dorë dhe të kërkojmë një jetë më të mirë. Jemi familjarë”, tha Geci.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se pas kthimit nga Berlini, “po”-ja e shtetit të Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, e lejon atë që t’i urojë qytetarët për liberalizimin e vizave.

Haradinaj, gjatë qëndrimit në Berlin në fillim të kësaj jave, u takua me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, i cili, sipas kryeministrit, i dha mbështetjen procesit të liberalizimit të vizave për zonën Schengen.

“Kjo nuk është një ‘po’ e analizave ose mendimeve, është ‘po’ e njeriut në detyrë që flet në emër të Gjermanisë – ministri i Punëve të Brendshme, (Horst Seehofer), ka dhënë ‘po’ për vizat dhe ka thënë ‘po’ menjëherë”, tha Haradinaj.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për media të premten tha se vizat duhet t’u jepen qytetarëve të Kosovës.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet, duhet të jepet liberalizimi për faktin që të gjitha procedurat Kosova i ka plotësuar”, theksoi Veseli.

Ndërkohë, analisti i çështjeve evropiane Rikard Jozwiak, në një intervistë për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë, vlerëson se ka pak gjasa që këtë vit Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.

“Unë mendoj se nuk ka shanse këtë vit. Natyrisht se mrekullitë mund të ndodhin. Kjo varet edhe nga marrëveshja potenciale midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, por kur shohim se sa ngadalë po shkon ky proces, nuk mendoj se mund të kemi një marrëveshje së shpejti, e rrjedhimisht as liberalizimin e vizave”, tha Jozwiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button