Zbulohen përplasjet në Samitin e Berlinit, Rama paralajmëroi se s’mund të ketë negociata vetëm për RMV-në

Zbardhen detajet e asaj që ndodhi me dyer të mbyllura në Samitin e Berlinit. Gjatë kësaj jave ka pasur reagime nga më të ndryshmet dhe secila palë e ka interpretuar sipas interesit. Por në atë samit ka pasur shumë zhvillime, sidomos sa i takon integrimit të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Një zyrtar, i pranishëm në samit, i tha gazetës se ka pasur debate, tensione dhe shumë sherre mes palëve. Sigurisht që tema më e nxehtë ka qenë ajo e Kosovës dhe dy ditët e fundit Rama e Haradinaj kanë treguar se situata nuk ka qenë e qetë. Por gazeta ka mësuar se përplasje ka pasur dhe sa i takon çështjes së negociatave. Aty është hedhur ideja se mund të ketë një ndarje mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, ku kësaj të fundit t’i jepet drita jeshile, ndërsa neve jo. Por kjo ide ka acaruar jashtë mase kryeministrin Rama, i cili ja u ka bërë të qartë të pranishmëve se nuk mund të ndodhë diçka e tillë. Sipas kryeministrit shqiptar, nëse ndodh një ndarje mes 2 shteteve, do ketë pasoja për Ballkanin, duke ja u bërë të qartë të pranishmëve se ose Shqipëria e Maqedonia e Veriut marrin të dyja sinjal pozitiv, ose asnjëra. Burimet i thanë gazetës se deklaratat e Ramës kanë shqetësuar jashtë mase palën maqedonase, pasi janë trembur nga fakti se Shqipëria mund t’i bllokojë asaj hapjen e negociatave, transmeton Sot.com.al.

Përplasje për Kosovën

Mbi samitin ka dhënë detaje dhe analisti Baton Haxhiu. Në një studio televizive ai tha se nervozizmi në takim mes Macron dhe Haradinaj ishte më i larti që ai kishte parë ndonjëherë.

Sipas analistit, Macron i bëri të qarta 2 zgjidhje kryeministrit Haradinaj, ndërsa theksoi se nervozizmi nisi fill pas atij takimi me delegacionin e Kosovës. “Në një takim nuk kisha parë nervozizëm më të lartë se ai në mbyllje të Samitit. Macron ofroi një zgjidhje për taksën. I tha Haradinajt: Do ta pezullosh për kaq muaj. Ke dy zgjidhje: 1- pezullo taksën dhe problemin me Serbinë do ta zgjidh brenda 3 muajve dhe 2- nëse nuk ka progres vendose taksën dhe unë të liberalizoj vizat. Aty filloi nervozizmi me delegacionin e Kosovës”, tha Baton Haxhiu. Analisti ka treguar gjithashtu se takimi mes Kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama ka qenë takimi më përkëdhelës mes të dyve. “Ndër takimet më përkëdhelëse mes Merkelit dhe Ramës. Takimi ka qenë mbresëlënës. Ndër takimet më të mira mund të them. Merkeli i thotë Ramës se është i vetmi lider ballkanik që ka mision. Këtë nuk e di nëse është pozitiv apo negativ. Më habiti afërsia që Macron kishte me Ramën për temat që u diskutuan. Detaje ka dhënë dhe ministri në detyrë Gent Cakaj. Në një studio televizive, ai tregoi se çfarë është diskutuar në Samitin e Berlinit në lidhje me taksën e Kosovës ndaj Serbisë dhe sqaroi debatin e ditëve të fundit mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij kosovar, Ramush Haradinaj. “Çfarë ka thënë Rama në sqarimin e tij është 100% e vërtetë. Në Berlin nuk ka pasur kërkesë për heqje të taksës, por pezullim të taksës. Pezullimi është diskutuar në kushte të veçanta. 4-6 muaj të hiqet për t’i dhënë shans fillimit të dialogut. Kjo kërkesë nuk është shtruar zyrtarisht madje. Ishte këmbim informal pikëpamjesh. Gjykimi për taksën është bërë në sesionin informal së pari, dhe e dyta bëhej fjalë për pezullim të taksës, jo heqje”, deklaroi Cakaj. Më tej ai u shpreh se takimi me Merkel ishte krejt i ndryshëm nga Samiti i Berlinit dhe se Berlini zyrtar është pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button