Trump apeloi se dhuna në Venezuelë duhet të ndalet menjëherë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump apeloi t’i jepet fund menjëherë “represionit brutal” ndaj popullit venezuelian, transmeton REL.

“Shtypja brutale e popullit venezuelian duhet të përfundojë dhe duhet të përfundojë shpejt. Njerëzit janë të uritur, nuk kanë ushqim dhe ujë. Venezuela dikur ishte një nga vendet më të pasura në botë “, tha Trump.

Thirrja e Trumpit erdhi pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ranë dakord të takohen javën e ardhshme për të diskutuar situatën në Venezuelë.

SHBA-të e kanë njohur liderin e opozitës, Juan Guaido si president të përkohshëm të vendit ndërkaq Rusia është në anën e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.

SHBA-të pohojnë se Maduro ishte gati për të ikur në Kubë mirëpo rusët e bindën të qëndrojë në Venezuelë.

Ministri rus, Lavrov hodhi poshtë këto deklarata.

Trupat e Gardës Kombëtare në Venezuelë, më 1 maj, hodhën gaz lotsjellës në protestuesit që tentuan të bllokonin një autostradë pranë një baze ajrore në Karakas, ku kreu i opozitës Juan Guaido kishte bërë thirrje për një kryengritje ushtarake kundër presidentit të kontestuar Nicolas Maduro.

Rusia, Irani, Kina dhe Kuba janë mes vendeve që mbështesin Maduron, i cili filloi një mandat të dytë në janar, pas zgjedhjeve të majit 2018, të përcjellura me akuza për manipulim të votave.

Rusia, e cila ka lidhje të konsiderueshme ekonomike me qeverinë e Maduron, në mars dërgoi në Venezuelë aeroplanë që mbanin gati 100 ushtarakë. Qeveria e SHBA-së beson se aty kishte forca speciale dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button