Ja çfarë duhet të kërkojnë shqiptarët nga kandidatët për kryetar shteti të Maqedonisë Veriore!

Në zgjedhjet presidenciale, vota e secilit qytetar ka peshë tepër të rëndë, sepse ata nuk zgjedhin roje të fushës, por president të shtetit, i cili nesër, i veshur me pushtet dhe kompetenca, mund të hesht për njeriun e ndershëm dhe të pafajshëm që dënohet me burg të përjetshëm, ndërsa kriminelin ordiner mund ta amnestojë.

Prandaj, mediet në gjuhën shqipe, dhe jo vetëm ato, në debatin përfundimtar të dy kandidatëve për kryetar shteti të Maqedonisë Veriore, para se t’u bëjnë thirrje qytetarëve shqiptarë për dalje në votime, apo t’u sugjerojnë se për cilin kandidat duhet dhe mund të votojnë, të dy kandidatëve duhet t’ua parashtrohen pyetje të njëjta dhe të presin përgjigje prej tyre, që t’i kuptojnë qytetarët shqiptarë qëndrimet e tyre para se të vendosin të votojnë, edhe atë:

  1. Çfarë qëndrimi kanë ata për statusin juridik-kushtetues të shqiptarëve, dhe meqë janë të dy kandidatët ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe të drejtës ndërkombëtare, të sqarojnë për opinionin se në cilin shtet tjetër demokratik të botës, një popull autokton që përbën 35-40% të popullsisë së përgjithshme, qoftë edhe sa thonë statistikat zyrtare të pushtetit, mbi 25% të popullsisë së ndonjë shteti tjetër, të trajtohen si pakicë kombëtare dhe pushteti t’i mashtrojë dhe joshë vetëm gjatë zgjedhjeve me premtime, pas tyre t’u jep vetëm të drejta të dozuara, sikur shqiptarët të jenë kolonizatorë të ardhur, apo turistë, jo banorë autoktonë në vatrat e veta mijëvjeçare dhe në shtetin e tyre, të krijuar në rrethana historike për dobinë e të gjithë banorëve të tij?
  2. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë, secili prej tyre veçmas, për emërtimin në kushtetutë dhe ligj, të gjuhës shqipe si gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve, jo si gjuhë shqipe, gjuhë amtare e një populli të tërë autokton?
  3. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë në lidhje me kufizimet ligjore për përdorimin e flamurit shqiptar, të cilin qytetarët shqiptarë nuk mund ta përdorin lirisht në komunat e Maqedonisë Veriore ku ata përbëjnë më pak se 50% të banorëve në ato komuna, apo në tërë territorin e shtetit, për të cilin shqiptarët kontribojnë dhe i paguajnë të gjitha taksat ndaj shtetit? Pse flamuri shqiptar është zvogëluar me ligj për 1/3 e tij në krahasim me flamurin shtetëror dhe flamujt e tjerë në përdorim? Apo ndoshta pse shqiptarët trajtohen si pakicë në këtë shtet, si popull i rendit të dytë, që janë të varur nga vullneti politik i popullit sundues dhe i pushtetit jodemokratik?!
  4. Çfarë mendimi kanë këta kandidatë për himnin dhe stemën e shtetit, që duhet ta refletojnë realitetin etnik, të kaluarën historike të përbashkët të banorëve me besime fetare, gjuhë, kultura dhe tradita të ndryshme të banorëve që e përbëjnë këtë shtet, e që janë mbi 29 bashkësi etnike të ndryshme, nga të cilat populli shqiptar dhe maqedonas janë shumicë?
  5. Çfarë mendimi kanë këta kandidatë ndaj parullave shoviniste dhe raciste kundër shqiptarëve, si: ,,vdekje shqiptarëve”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” etj.?
  6. Çfarë mendimi kanë këta kandidatë për të kaluarën e vendit nën regjimin komunist jugosllav, për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga Maqedonia për në Turqi dhe vende të tjera, për gjenocidin, dhunën e terrorin e vazhdueshëm ndaj shqiptarëve gjatë atij regjimi? A e shohin të arsyeshme që pushteti demokratik i këtij vendi sot, duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, për një fillim të ri me perspektivë evropiane dhe qytetëruese në shtetin e përbashkët?
  7. Çfarë mendojnë këta kandidatë në lidhje me diskriminimin e hapur ndaj shqiptarëve, frymën shoviniste dhe raciste, qëndrimin e gabueshëm dhe të pakuptueshëm të pushtetit me mospërfshirjen e shqiptarëve në njësitet speciale të ushtrisë dhe të policisë së shtetit të përbashkët, kur shqiptarët e përbëjnë 1/3 e popullsisë së tij?
  8. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë për sjelljen e egër të derisotme të pushtetit ndaj shqiptarëve, me montimin e disa prceseve politike dhe ndërmarrjen e shumë ekspeditave policore e ushtarke për ndëshkimin e banorëve të pafajshëm shqiptarë dhe shkatërrimin e vendbanimeve të tyre, si dhe për numrin e madh të të burgosurve shqiptarë me motive politike, që nga viti 1990 e deri më sot, një numër i të cilëve ende i vuajnë dënimet dhe pasojat?
  9. Çfarë qëndrimi kanë këta kandidatë në lidhje me shpërnguljen e madhe aktuale të popullsisë nga vendi, sidomos e rinisë së lënë në rrugë, pa shpresë dhe pa perspektivë, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, dhe, cilat janë masat sipas këtyre kandidatëve për kryetar shteti, të cilat duhet t’i ndërmerr pushteti sa më parë të jetë e mundur?
  10. Çfarë qëndrimi kanë kandidatët në lidhje me nevojën dhe mundësinë e kërkimit dhe dhënies së llogarisë, përgjegjësinë për vjedhjen e madhe, kthimin apo konfiskimin e pasurisë së vjedhur të shtetit dhe të qytetarëve nga ish politikanët dhe pushtetarët e vendit gjatë 28 viteve të kaluara, e cila sipas disa përllogaritjeve arrin shumën prej mbi 12 miliardë euro?

Etj. etj…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button