“Roli i Francës dhe Gjermanisë, mund t’i sjell momentum të ri procesit të dialogut”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) ka mbajtur tryezën e Diskutimit me temë “Dialogu Kosovë-Serbi nën dritën e Takimit në Berlin” me shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, një ditë pas këtij takimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një raport të prezantuar në këtë tryezë, Përparim Kryeziu nga GSJP, tha se me ftesën e Francës dhe Gjermanisë për udhëheqësit institucional të Kosovës dhe Serbisë, duket qartazi se këto dy shtete kanë filluar të zotërojnë procesin e dialogut. Sipas Kryeziut, zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE), nëpërmjet Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë një aspiratë e largët.

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti tha se meqë Kosova është në fazën finale të dialogut duhet të jetë më e përgatitur, ndërsa roli i Gjermanisë dhe Francës në këtë proces është i rëndësishëm.

“Besoj se duhet ta vlerësojmë rolin e Gjermanisë dhe të Francës në këtë proces. Nuk do ta kisha quajtur ashtu siç u dëgjua me fillim: mungesë e besimit të Gjermanisë dhe të Francës karshi Brukselit. Por, ndoshta për t’i dhënë një momentum të ri procesit të dialogut edhe për arsyen që i gjithë BE-ja, tashmë është në proces të zgjedhjeve të brendshme dhe është e kuptueshme që deri në Komisionin e ri Evropian do të jetë vështirë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të fitoj një momentum të ri”, tha Hoti.

Sipas tij, së pari Kosova duhet të sigurohet se arritja e marrëveshjes nuk e cenon integritetin territorial të vendit, por përfaqësimi i Kosovës në këtë samit nuk ishte adekuat.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se në Samitin e Berlinit u bë ngritja edhe më e madhe e dilemave dhe se ishte një nga samitet ku të gjithë ishin të pakënaqur.

“M’u duk që kancelarja Merkel ishte e pakënaqur me presidentin tonë, presidenti Macron m’u duk i pakënaqur me kryeministrin tonë. Presidenti Thaçi m’u duk i pakënaqur me të dy këta, kurse Ramush Haradinaj m’u duk se kishte shkuar dje më shumë për viza dhe pakënaqësia e tij buronte prej lajmeve shumë pesimiste edhe sa i përket këtij dimensioni”, tha Konjufca, i cili shtoi se pas mesazheve të Berlinit, nëse nuk do të ketë zgjedhje të reja, nuk di se çfarë plani tjetër do të ketë.

Sipas Shefit të Grupit parlamentar të Nisma-s, Bilall Sherifit, ideja për korrigjim kufijsh nuk kishte ardhur si ide e presidentit Hashim Thaçi. Sherifi shton se kjo është një ide e vjetër e cila ka ardhur nga fronti serb.

“Ajo që të gjithë kishim pritje, që ky Samit i Berlinit, të mbyllë disa çështje të cilat ne nuk i kishim mbyllur ende. Pra, presim nga të tjerët të na mbyllin çështjet që ne duhet t’i mbyllim vetë. Në këtë rast kemi të bëjmë me idenë e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Sepse vazhdoj të insistoj, ka 1 vit që kjo nuk është ideja e Hashim Thaçit, jo se dua ta mbrojë por dua ta nxjerrë në sipërfaqe atë që është e vërtetë”, tha Sherifi.

Sherifi tha se problemet e brendshme të Kosovës nuk mund t’i zgjidhë as Berlini dhe as Parisi, ndërsa Platforma e Dialogut ai tha se nuk është Bibël e as Kuran dhe mund të ndryshohet.

Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri tha se qëllim i krijimit të delegacionit shtetëror ka qenë t’i mbledhë forcat politike bashkë, por që nuk është arritur ky qëllim. Ai tha se përfshirja e Francës dhe Gjermanisë në procesin e dialogut është një plus i madh dhe po krijohet një momentum i ri i cili mund të jetë një mundësi e mirë për Kosovën.

Presidenti Thaçi mbrëmë pas takimit tha se nuk është se samiti solli ndonjë vendim konkret për Kosovën, megjithëse do të shohin për zgjidhje kreative në vazhdim. Takimi i ardhshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor do të thirret nga presidenti francez Emanuel Macron, i cili do të mbahet më 1 korrik në Paris.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button