Nëse s’ka census në raundin e dytë të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, të gjitha opsionet janë në tryezë

Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale me pothuajse 42 për qind e përforcoi frikën se në raundin e dytë të dielën ka mundësi të mos plotësohet censusi i nevojshëm prej 40 për qind. Sipas ekspertëve kushtetues, në një rast të tillë, duhet të shpallen zgjedhjet e reja brenda 40 ditësh, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Pesë ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale askush s’mund me siguri t’i përgjigjet pyetjes, nëse të dielën do të ketë 40 për qind pjesëmarrje, sa nevojitet për të zgjedhur presidentin. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë sipas Kushtetutës, funksionin e presidentit të vendit do ta kryejë kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Por u shfaqën edhe dyshime se deri kur ai do të mund të kryejë të dyja funksionet dhe si do të dilet më pas nga kriza politike; duke e ndryshuar Kushtetutën ose duke organizuar zgjedhje të reja presidenciale, eventualisht së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Trendafil Ivanovski është i qartë se zgjidhje janë zgjedhje të reja për presidenti të shtetit. Ato, pohon ai, duhet të shpallen menjëherë pasi të konkludohet se s’ka census. Duke cituar disa nene të Kushtetutës ai thekson se zgjedhjet duhet patjetër të mbahen brenda 40 ditësh nga data kur përfundon mandati i Ivanovit, i cili skadon më 12 maj, që do të thotë se Xhaferi do të kryejë të dy funksionet deri kah gjysma e dytë e qershorit , kur do të mbaheshin zgjedhje e reja presidenciale.

Për këtë shpjegim Ivanovski thirret në nenin 81 të Kushtetutës, i cili thotë se “nëse edhe në raundin e dytë të votimit asnjë kandidat nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore”, ndërsa më poshtë në të njëjtin artikull thuhet që “nëse ndërpritet mandati i presidentit të Republikës për çfarëdo arsye, zgjedhja e presidentit të ri bëhet brenda 40 ditësh nga dita e ndërprerjes së mandatit“.

“Në këtë pjesë çfarëdo arsye mund të konsiderohet mos zgjedhja e presidentit brenda afatit në të cilin është dashur të zgjidhet dhe atëherë bëhet zgjedhja në afat prej 40 ditësh”, thotë Ivanovski.

Sipas tij, nuk është i mundur as varianti i për të ndryshuar Kushtetutën për të ulur censusin, apo, për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjessë kreut të shtetit dhe ai të zgjedhet në Kuvend, sepse shton ai procedura e ndryshimeve kushtetuese është shumë e gjatë.

“Për të shmangur krizën politike, sepse s’ka kohë për të shkuar në ndryshim të Kushtetutës, duhet të shkohet drejtpërdrejt në përsëritje të zgjedhjeve, sepse me përsëritje të zgjedhjeve do të plotësohet afati prej 40 ditësh”, tha Ivanovski.

Nëse partitë vendosin për këtë opsion, atëherë zgjedhjet e përsëritura, nëse s’ka census, do të mbaheshin kah fundi i qershorit. Edhe fushata e kandidatëve edhe e liderëve partiakë tani, në ditët e fundit para votimit, është kryesisht e përqendruar në thirrje për të dalë dhe për të votuar.

Si depozitë për këtë kryeministrit Zoran Zaev i përmend zgjedhjet e parakohshme parlamentare, së bashku me ato presidenciale, ndërsa lideri i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski me vetëbesim pohon se census do të ketë, ndërsa presidenti i ri do të jetë kandidatja e tyre Gordana Siljanovska Davkova.

Në një intervistë për TV 21 kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi u bëri thirrje qytetarëve të dalin masovikisht të dielën, duke shtuar se nëse nuk arrihet censusi 40 për qind më 12 maj, ai do të duhet ta merr përsipër funksionin e presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në deklaratat për mediat këto ditë, ai nuk u thirr në Kushtetutë, por në Kodin zgjedhor, për shpallje të zgjedhjeve të reja, duke cituar se “nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve nuk mund të kalojnë më shumë se 90 ditë, e as më pak se 70 ditë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button