Samiti i pritjeve, por edhe mospajtimeve të mëdha

Me deklarata inkurajuese, por pa ndonjë rezultat konkret, ka përfunduar Samiti i Berlinit, u cili u thirr dhe u organizua nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në përpjekje për t’u dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perëndimor.

Pas përfundimit të takimit në një deklaratë të Qeverisë gjermanë është thënë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të çuar përpara përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe për një angazhim konstruktiv në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve reciproke, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, transmeton REL.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve ishte fakti se, siç tha ai, “u pajtuam për të mos u pajtuar”. Thaçi tha po ashtu se një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe dialogu duhet të vazhdojë pa kushte. Shpresoj në një unitet të Bashkimit Evropian. Dëgjuam gjithashtu një mbështetje edhe të vendeve të rajonit për procesin që kemi kaluar. Në çdo rrethanë, Kosova do të mbetet multi-etnike, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, gjithmonë në përpjekje maksimale të mija për përfshirjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi presidenti i Kosovës.

“Por, ritheksoj se vendimtare për arritjen e marrëveshjes është inkuadrimi dhe mbështetja e SHBA-së”, u shpreh Thaçi. Ai në samitin e Berlinit ka folur për nevojën e demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarja Merkel, presidenti Macron mirëpresin liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit.
Kancelarja Merkel, presidenti Macron mirëpresin liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot për takimi që është mbajtur dje në Gjermani në kuadër të Samitit të Berlinit. Ai tha se kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron e kanë marrë me seriozitet dialogun politik Kosovë -Serbi dhe arritjen e mundshme të një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas bisedimeve disa orëshe në kuadër të Samitit, se nuk është i kënaqur me “status quon”. Konkluzioni i Samitit, sipas tij, është të vazhdojnë bisedimet në një format të ngushtë, me ndërmjetësimin e BE-së, Gjermanisë dhe Francës.

“Do dëshiroja që të fillonim dialogun sepse ajo është garancia e vetme për stabilitet”, tha Vuçiq.

*Video: Deklarata e Thaçit dhe Vuçiqit pas takimit me Mogherinin në Berlin.

Presidenti serb tha se gjatë bisedimeve, të gjithë kanë kërkuar nga Kosova të heqë taksën ndaj mallrave që Serbia eksporton në Kosovë, si kusht për vazhdimin e dialogut.

Pjesëmarrësit në Samitin e Berlinit kanë treguar se një samit i ngjashëm, pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, nën organizimin e presidentin të Francës, Emmanuel Macron.

Zhvillimet në Samitin e Berlinit janë pasuar me reagime të ndryshme në Prishtinë. Kryetari i subjektit më të madh opozitar, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar takimin në Berlin, duke thënë se u dërgua mesazh që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe. Ai tha se nga pritjet spektakolare, takimi i Berlinit dha rezultate normale për një përbërje të tillë.

“Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancelarja gjermane, Merkel, ashtu edhe presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi. Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e këtyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së (pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Ai po ashtu ka thënë se është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës, i opozitës dhe pozitës për këtë çështje.

“Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, është shprehur Mustafa.

Kurse, Glauk Konjufca nga partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, tha se pavarësisht pritjeve, takimi i Berlinit nuk solli as atë që thuhet si një hartë rrugore për atë se si të shkohet përpara për zhvillimet në Ballkan. Ai tha se nga takimi u kuptua se ishte shprehja e një vullneti të përgjithshme, që i përket kurtuazisë diplomatike, se palët zotohen që të vazhdojë dialogu, që zgjidhja e problemeve të vazhdojë me bisedime.

“Këto janë vetëm klishe universale, kështu formulime universale të cilat janë të mirëseardhur në çdo kontest, pavarësisht a është Kosova a është Sudani apo kudo në botë. Prandaj, mendoj se [samiti] i ka lënë të pakënaqur. Ky samit ka lënë për të dëshiruar aq më tepër që nuk pamë një…, ndoshta kjo që po e them është shqetësuese për shkak që vetë Macroni me zonjën Merkel nuk kanë pasur emërues të përbashkët aq të thellë sa për të bërë asi presioni të madh mbi delegacioni e Kosovë dhe Serbisë”, tha Konjufca.

Video: Macron dhe Merkel flasin për zgjidhjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se tha se Samiti i Berlinit ka treguar se problemi Kosovë – Serbi përbën boshtin e ndërtimit të paqes dhe stabiliteti në Ballkan. Sipas tij ende nuk dihet se a kanë lëvizur gjërat nga vendi dhe “status quo-ja”.

“Do të jetë e tmerrshme nëse nuk lëvizë procesi nga vendi nga status quo-ja, nga ngërçi, nëse nuk shpërthen dhe nuk kemi një proces intensiv të dialogut. Kjo tregon edhe për gjendjen reale në politikën në Serbi dhe në Kosovë, ku ka mungesë për të përfunduar dhe ndërtuar paqe. Natyrisht ka edhe elemente të tjera ku janë akterët e tjerë gjithandej. Presidenti Vuçiq shkon në Rusi dhe Kinë para samitit. SHBA-ja nuk është në tryezë ka një çakordim dhe një manipulim i skenës ndërkombëtare. Po edhe në anën e Kosovës duhet të mendohet mirë dhe të hapet rrugë për një proces serioz se paku nga perspektiva kosovare”, tha Rashiti.

Ndërkohë, njohësi integrimeve evropiane nga Bosnja e Hercegovina, Denis Çarkaxhiq thotë se Samiti vërtetoi të paktën që nga idetë për ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve.

“Nga shkëmbimi i territoreve sipas parimit etnik në Ballkan nuk do të ketë asgjë “, ka thënë ai.

“Ajo për çka kencelarja gjermane Angela Merkel mund të jetë e kënaqur është pikërisht fakti që shkëmbimi i territoreve, ide të cilën Gjermania e kundërshton ashpër, është hedhur si opsion”, thekson Çarkaxhiq, sipas të cilit, e njëjta mund të konkludohet edhe nëse lexohet mes rreshtave deklarata e presidentit francëz, Emmanuel Macron.

Samiti joformal i Berlinit ka shënuar takimin e parë të drejtpërdrejtë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar kur bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u ndërprenë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button