Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

AGJENDAT SERBE DHE RUSE NUK MUND TË JENË TË PRANUESHME PËR POPULLIN SHQIPTAR NË MAQEDONINË E VERIUT

(Mbi filozofitë politike tepër të vjetruara, të deklasuara, jodemokratike, antihistorike dhe të pafuqishme për t’ia lënë kësaj radhe “këmbët e arushës” popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut)

OBRM-PDUKM e pareformuar thellësisht nuk mund të mendohet si partner politik i shqiptarëve

Zgjedhja e presidentit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, jo që është e pamundur dhe nuk është ide e pranueshme për shqiptarët vendës dhe shumicën e qytetarëve të tjerë të këtij shteti, por është një përrallë për një kohë tjetër, prandaj, si e tillë nuk mund të jetë pjesë e agjendës aktuale të lëvizjes politike shqiptare.

OBRM-PDUKM, nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991 e deri më sot, gjithmonë ka qenë pengesa kryesore, ana më e errët dhe destruktive për realizimin e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si dhe pengesa kryesore për orientimin evropian të këtij shteti. Kjo mund të dëshmohet përmes këtyre veprimeve të derisotme të saj:

– kundërshtimin për avancimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve (me sjelljen e Kushtetutës dhe ndryshimet e plotësimet e saj, më 1991, 2001, 2018);

– kundërshtimin me formimin e qeverisë së parë “demokratike” pas pavarësimit të këtij shteti (1991), për pjesëmarrjen e partive shqiptare në atë qeveri;

– promovimin e idesë dhe tentimin për ndarjen e Maqedonisë, shkëmbimin e popullsisë dhe të territoreve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, sipas elaborateve, projekteve dhe interesave serbe dhe ruse (2001);

– falsifikimin e numrit të banorëve shqiptarë përmes regjistrimit të popullsisë (nga qeveria e ekspertëve, e VMRO-së), më 1991 dhe kundërshtimin e regjistrimit të popullsisë me mbikëqyrje ndërkombëtare (1994);

– kundërshtimin e arsimimit universitar të shqiptarëve në gjuhën amtare, përmes protestave të njohura më 1995, 1997 dhe obstruksionet për formimin e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe në Shkup, kundërshtimin e Ligjit për zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 2004, dhe të ngjashme);

– kundërshtimin e Ligjit për ndarjen territoriale dhe krijimin e komunave të reja me shumicë të popullsisë shqiptare (organizimi i Referendumit për ndalimin e tij), më 2004;

– kundërshtimin e sjelljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (2017);

– kundërshtimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit nga radhët e partive shqiptare;

– falsifikimin e historisë, përmes projekteve “Enciklopedia maqedonase”, “Shkupi 2014”, mbushja e librave shkollorë me të pavërteta historike në dëm të popullit shqiptar, etj.;

– obstruksionet dhe ndërprerja e regjistrimit të popullsisë më 2011;

– kundërshtimin e proceseve integruese euroatlantike, anëtarësimin në NATO dhe BE (në pespektivë), kundërshtimin e Marrëveshjes së Prespës dhe organizimin e Referendumit në lidhje me këtë çështje; etj.

– të gjitha parullat armiqësore, me përmbajtje shoviniste dhe raciste kundër shqiptarëve, si: “Vdekje shqiptarëve”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” etj., për tri dekada me radhë kanë qenë pjesë të agjendës politike të kësaj partie.

Cili është motivi, cila është agjenda e individëve, grupeve, medieve, qendrave të propagandës dhe disa forcave politike shqiptare, në vend dhe jashtë, për ta ndihmuar drejtpërdrejtë dhe në forma të sofistikuara, rikthimin e OBRM-PDUKM-së në pushtet, të diktaturës, korrupsionit, krimit të organizuar, politikës antishqiptare, krizës politike dhe kaosit, me këtë edhe forcimin e influencës serbe dhe ruse në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon?!

Shqiptarët duhet të dinë ta bëjnë dallimin

Nga kush koordinohet dhe kush e mbështet dhe financon këtë fushatë politike-propaganduese në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut për rikthimin e OBRM-PDUKM (VMRO-së) në pushtet?

Fatkeqësisht, vërehet qartë që në këtë lojë janë përfshirë pa dashje edhe një numër i qytetarëve shqiptarë, të manipuluar dhe mashtruar, disa ndoshta edhe të paguar, në koordinim me këto qendra të propagandës, brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.

Parulla e hedhur në këtë fushatë presidenciale se ka ardhur koha që ky shtet të ketë president shqiptar është vetëm një mbulesë, demagogji e kulluar, mashtrim dhe propagandë, e cila ka për qëllim rënien e pushtetit aktual, rikthimin e pushtetit të mëparshëm të OBRM-PDKM, të krizës politike dhe kaosit, si dhe rikthimin e influencës serbe e ruse në Maqedoninë e Veriut.

Këto qendra të propagandës, duke e njohur mirë situatën e brendshme të bishtë në këtë shtet dhe raportin e forcave mes këtyre dy partive më të mëdha politike në vend, me ideologji dhe orientime të ndryshme, se LSDM-ja asnjëherë në historinë e këtij shteti, pas pavarësisë së tij në vitin 1991, nuk ka mundur ta fitojë partinë OBRM-PDUKM, në asnjë cikël zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare, komunale dhe presidenciale, pa votat e shqiptarëve dhe të bashkësive të tjera etnike, prandaj, këto qendra të propagandës dhe forca destruktive janë përqendruar të godasin fuqishëm pikërisht në këtë pikë, heqjen dhe neutralizimin, ndërprerjen dhe heqjen e mbështetjes së shqiptarëve ndaj LSDM-së.

Çfarëdo kundërshtimi, bojkotimi, apo indiference e votuesve shqiptarë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 5 maj të këtij viti, do ta nxjerrin humbëse LSDM-në përballë OBRM-PDKM.

Matematika është tepër e thjeshtë pse mund të ndodhë kështu, duke pasur parasysh frymën proserbe që ka dominuar në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në Maqedoni, nga viti 1943, përkatësisht nga viti 1991 e deri më sot.

LSDM-ja dhe qëndrimi i saj ndaj shqiptarëve

LSDM, si parti e dalë nga nënsjetullat e ish Partisë Komuniste Jugosllave, nga viti 1991 e deri më sot, ka bërë gabime dhe lëshime në raport me shqiptarët, por saherë që në këtë parti ka dominuar fryma konstruktive shumetnike, gjatë qeverisjes së saj edhe janë shënuar disa ndryshime pozitive në avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, si për realizimin e të drejtës për arsimim universitar në gjuhën amtare (zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 2004), decentralizimi i pushtetit dhe krijimi i disa komunave të reja me shumicë të popullsisë shqiptare (2004), sjellja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (2018), zgjedhja e kryetarit të Parlamentit nga radhët e partive shqiptare (2017) dhe çështje të tjera, të cilat premtojnë se mund të arrihet edhe shumë më tepër në të ardhmen, në këtë frymë mirëkuptimi, tolerance dhe bashkëpunimi mes dy popujve shumicë në këtë shtet, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Gabimet e kësaj partie (LSDM) në të kaluarën duhet të diskutohen dhe kritikohen hapur, siç janë, distancimi dhe kërkimfalja nga kjo parti e dalë nga ish Partia Komuniste e Maqedonisë (PKM), për shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, diskriminimi i hapur i shqiptarëve, krimet dhe gjenocidi i ushtruar gjatë asaj periudhe.

Duhet të kritikohen hapur edhe gabimet pas vitit 1991, me degradimin e statusit juridik-kushtetues të popullit shqiptar, politikat e gabueshme edhe gjatë qeverisjes së fundit të kësaj partie, 2017-2019, me tendenca për degradimin e lëvizjes politike të shqiptarëve, sidomos me avancimin e disa kuadrove shqiptarë në radhët e saj, pa kredibilitet ndër shqiptarët, me rikthimin e frymës së vëllazërim-bashkimit sipas modelit komunist ish jugosllav, me tendencën për tkurrjen etnike të shqiptarëve, ndërhyrjen në zgjedhjet vendore në komunat shqiptare, Haraçinë, Likovë, si dhe përkrahjen e disa kandidatëve për kryetarë të disa komunave shqiptare, e politikanëve me të kaluar të papastër, të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, për bashkëpunimin pa kritere me disa forca politike të deklasuara dhe komprometuara ndër shqiptarët, ndërhyrjen dhe rritjen e kontrollit mbi mediet, pengimin dhe ngulfatjen e fjalës së lirë dhe të mendimit ndryshe për rrjedhat aktuale shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore gjatë qeverisjes së fundit (2017-2019), si dhe gabime të tjera për të cilat duhet të diskutohet hapur, të kritikohet kjo parti (LSDM), si dhe të kërkohen zgjidhje të drejta në të ardhmen, për të mirën e shtetit të përbashkët, të qytetarëve dhe sidomos në interes të proceseve integruese, anëtarësimin në NATO dhe BE (në perspektivë), të sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.

Por, ana e kundërt e saj, politikat e udhëhequra nga OBRM-PDUKM (VMRO), fillimisht në partneritet “strategjik” me PDSH-në, edhe më vonë me BDI-në, gjatë tri mandateve të qeverisjes së saj (2006 – 2017), asgjë të mirë dhe të dobishme nuk u ka sjellë shqiptarëve në këtë shtet.

Asnjë parti politike, nga viti 1991 e deri më sot, nuk ka qenë më destruktive dhe më armiqësore se OBRM-PDUKM ndaj shqiptarëve, të drejtave të ligjshme dhe perspektivës së popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Mjafton t’i hidhet një sy të kaluarës jo të largët, qëndrimeve të kësaj partie ndaj të drejtave politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, siç u theksuan në pjesën e parë të kësaj analize.

Ku janë votuesit shqiptarë dhe votat e tyre?

Sipas numrit real të popullsisë (35-40%), shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të kenë mbi 630 mijë vota.

Sipas të dhënave zyrtare (joreale) për numrin e popullsisë (2002), së paku ka mbi 450 mijë votues shqiptarë në këtë shtet.

Jo 80 mijë vota, as 180 mijë vota, nuk janë vota reale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Kush duhet të kujdeset dhe jep llogari për këtë?

Çfarë bëjnë partitë politike të shqiptarëve nëse nuk dinë ta numërojnë dhe mbrojnë votën shqiptare?

Cili është funksioni dhe dobia e partive politike të shqiptarëve nëse nuk janë të afta ta numërojnë, mbrojnë, mobilizojnë, orientojnë, efektuojnë dhe mirëpërdorin votën e qytetarëve shqiptarë, në emrin e të cilëve thirren, bëjnë karrierë dhe aktrojnë pushtet në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

Kjo është përgjigja që duhet ta japin partitë politike të shqiptarëve, jo të bëjnë sikur merren me politika të mëdha, me çështjen globale të integrimeve euroatlantike dhe me çështjen kombëtare, të cilën e kanë shndërruan në pazar të plaçkave!

Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, sipas të dhënave statistikore jozyrtare, se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 35-40 % të popullsisë në këtë shtet.

Secili që ka pak njohuri mbi krijimin dhe funksionimin e shteteve ballkanike, për pushtetet e tyre deri më sot, e ka të qartë se shumica e këtyre shteteve janë ngritur në rrethana të pazakonshme, përmes pushtimeve, dhunës, mashtrimeve dhe falsifikimeve, dhe më tepër se kudo tjetër në botë ky rajon është dalluar gjatë historisë me shpërngulje të dhunshme të popullsive, zhvendosjen e tyre nga një shtet në tjetrin, nga një rajon në tjetrin, me shfarosje masive, gjenocide, dhunë e terror.

Këto çështje, shumica individë thonë që duhet t’ia lëmë historisë, por edhe sot falsifikimet në këto shtete, sidomos numri i popullsisë së tyre janë ende në lojë për interesat e tyre politike dhe strategjike, me qëllim të dominimit të një populli mbi të tjerët. Këtë fat e kanë pasur sidomos shqiptarët nën ish federatën jugosllave dhe po këtë fat vazhdojnë ta kenë edhe sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sidoqoftë, sipas të dhënave statistikore zyrtare, sado që ato janë të pasakta, të manipuluara dhe falsifikuara, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoni, thuhet se shqiptarët përbëjmë mbi 25% të popullsisë së përgjithshme në këtë shtet.

Atëherë, nëse Lista e përgjithshme e votuesve për mbajtjen e zgjedhjeve ka gjithsej 1.808.131 votues, e cila është përdorur edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 21 prill, dhe nëse shqiptarët sipas statistikave zyrtare janë 509.083 (25,17%) banorë në këtë shtet, i bie që në Maqedoninë e Veriut të ketë së paku 450 mijë votues shqiptarë!

Në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve presidenciale, për kandidatin shqiptar kanë votuar vetëm 79.921 votues shqiptarë, prej të cilëve 10% besohet se kanë qenë vota nga qytetarë me përkatësi të tjera etnike.

Meqë dalja në këto zgjedhje llogaritet se ka qenë 41,79%, i bie që në këto zgjedhje është dashur të ketë së paku 180 mijë vota nga qytetarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në këto votime.

Për cilin kandidat kanë votuar mbi 100 mijë votues shqiptarë, përveç atyre afër 80 mijë qytetarëve që kanë votuar për kandidatin shqiptar?

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Listës së përgjithshme me 1.808.131 votues, dhe sipas numrit real të banorëve shqiptarë, prej 35-40 %, i bie të ketë mbi 630 mijë votues shqiptarë.

Edhe sipas të dhënave zyrtare (jo të sakta për numrin real të banorëve shqiptarë në këtë shtet), me të gjitha kalkulimet, megjithatë i bie të ketë mbi 450 mijë votues shqiptarë, jo 80 mijë, as 180 mijë votues dhe vota shqiptare! Ku janë votuesit dhe votat e shqiptarëve?!

Gjendja që nuk duhet ta tolerojnë shqiptarët me asnjë kusht

Tepër e rëndë është gjendja aktuale e shqiptarëve në Maqedoni, në të cilën e kanë sjellë partitë politike, kur të gjitha njëkohësisht mendojnë se kanë të drejtë.

Nuk mund të krijohen dhe ekzistojnë shumë realitete, kur shqiptarët kanë një qëllim të vetëm: barazinë e plotë kombëtare në Maqedoni.

Përqendrimi në një qëllim të vetëm duhet t’i shkrijë këto realitete të sajuara, ku secili me arsyetimet e veta e mbron të vërtetën të tij, edhe kur ajo është e rrejshme.

E drejta dhe e vërteta janë një dhe ato mund të mbrohen dhe triumfojnë vetëm kur përqendrohen në një qëllim të përbashkët.

Shqiptarët duhet që përmes partive politike dhe subjekteve të tjera ta mbështesin një Platformë të vetme (të përbashkët), e cila vazhdimisht duhet të pasurohet, ndryshohet dhe plotësohet me përmbajtje të reja, të përcaktuara me kompetencë shkencore, varësisht nga rrethanat e reja.

Për këtë qëllim, deri në formimin dhe funksionimin normal të një organi të përmbashkët, në formatin e një Tryeze, Forumi, apo Këshilli bashkërendues (koordinues) të partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, asnjë partie politike nuk duhet t’i lejohet si e vetme të vendosë për çështje të rëndësishme në emër të popullit shqiptar në Maqedoni.

Deri në arritjen e këtij qëllimi, mos pritni se mund të ketë ndonjë hap përpara në realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në këtë shtet, ndërsa për gjendjen në të cilën janë shqiptarët sot, mbajmë përgjegjësi të gjithë, pa përjashtim, jo vetëm drejtuesit e partive politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button