RMV, mbi 21 mijë fëmijë janë vaksinuar kundër fruthit

Festat e zgjatura kanë stopuar procesin e vaksinimit të nxënësve. Procesi rikthehet të martën, por i njëjti do të ndërpritet përsëri të mërkurën për shkak të festës së 1 Majit për të vazhduar në mënyrë të rregullt të enjten që vjen, njofton Alsat M.

Në territorin e Shkupit duhet të vaksinohen dhe rivaksinohen rreth 480 nxënës, megjithatë autoritetet shëndetësore njoftojnë se vaksinimi nëpër shkolla nuk është i kënaqshëm, sepse shumë prindër vazhdojnë të refuzojnë që fëmijët e tyre të vaksinohen. Epidemiologët vazhdojnë të apelojnë për vaksinim duke siguruar se vaksinat nuk sjellin pasoja të padëshirueshme.

Që nga shpallja e epidemisë e deri më tash, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 1200 raste me fruth, ndërkaq të shtrirë në Klinikën Infektive për momentin janë mbi 35 persona. Në nivel botëror nga viti 2010 deri në vitin 2017 rreth 170 milion fëmijë nuk e kanë pranuar dozën e parë të vaksinës kundër fruthit, flasin të dhënat e Unicefit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button