Në tre lokacione të Shkupit do të ndahen bileta falas për liturgjinë e Papës

Trupi koordinues për organizimin e vizitës së Papa Françeskut në Shkup, i informon qytetarët të cilët duan që më 7 maj të marrin pjesë në ngjarjen qendrore, gjegjësisht të liturgjisë në sheshin “Maqedonia” në qendër të Shkupit, se përveç në famullitë katolike në shtet, biletat falas prej më 30 prill deri më 3 maj do të munden t’i tërheqin në 3 lokacione tjera shtesë në qendër të Shkupit, njofton Portalb.mk.

E para është në rrugën “Maqedonia”, në Shtëpinë Memoriale të Nënë Terezës, e dyta është në dalje të Qendrës Tregtare të Qytetit për ballë sheshit “Maqedonia”, ndërkaq e treta është e vendosur në hyrje të Çarshisë së Shkupit.

Në lokacionet e theksuara, prej nesër më 30 prill deri më 3 maj, do të punojnë prej orës 09:30 deri në orën 17:30. Përveç që mund t’i tërheqin biletat, në këto pika qytetarët do të munden të informohen edhe për rregullat e veçanta të sigurisë, të cilat do të vlejnë gjatë vizitës së tij më 7 maj.

Liturgjia e shenjtë e Papës në Sheshin “Maqedonia” do të fillojë në orën 11.30. Pritet që të marrin pjesë mbi 15.000 besimtarë. Biletat jepen pa pagesë në kishat katolike në të gjithë vendin.

Kur Papa Françesku të kalojë në mes të pjesëmarrësve, nuk lejohet hedhja e ndonjë sendi, madje as lule, ndërsa gjatë kremtimit liturgjik nuk lejohet duartrokitje.

“Të gjithë pjesëmarrësit duhet me vete të kenë biletë dhe dokument identifikimi, letërnjoftimi ose pasaportë, të sëmurët kronikë të mbajnë me vete librezën shëndetësore dhe historinë e sëmundjes, si dhe ilaçet më të nevojshme që ata i përdorin. Uji dhe pijet freskuese duhet të jenë vetëm në paketim plastik transparent, ndërsa nëse mbajnë ushqim ai duhet të jenë në ambalazh kartoni ose prej letre. Nëse bie shi dhe duke qenë se nuk do të lejohet të futen çadra rekomandohet që pjesëmarrësit të kenë mantele për shi”, thuhet në njoftimin në ueb faqen për vizitën zyrtare të papës Françesku në Shkup Papa.mk.

Më 7 maj qendra e qytetit do të mbyllet për trafik nga ora 9. Qytetarët, të cilët do të marrin pjesë në liturgji, duhet të jenë në Shesh jo më vonë se në ora 9. Me vete nuk guxojnë të mbajnë çadra, mjete shpërthyese, çakmakë, fishek-zjarre, përzierje dhe lëngje të ndezshme, spreje dhe shishe me ajër të ngjeshur, armë zjarri dhe të ftohta. Do të ndalohet të mbahen ushqime dhe pije në paketime metalike dhe të qelqit, alkool.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button