Betejë e dyfishtë – kundër rivalit dhe për censusin prej 40 përqind

Siljanovska Davkova u bën thirrje edhe anëtarëve të zhgënjyer nga LSDM edhe atyre nga Revolucioni laraman dhe lëvizja Bojkotoj, ndërsa Pendarovski beson se nëse kundër kandidatja e tij vjen në pushtet, do të tërheqë lëvizje, të cilat janë recetë për konflikt, shkruan REL, tranmseton Portalb.mk.

Gjysma e dytë e fushatës parazgjedhore filloi me mesazhe që u pranuan dhe u kuptuan në gjysmën e parë, të paktën kështu thonë pjesëmarrësit. Megjithatë, beteja politike tani nuk është vetëm ndaj konkurrentit nga kampi të kundërt, por edhe për të përmbushur censusin prej 40 përqind dalje, e me këtë edhe për gjueti të votave të atyre që në raundin e parë u përcaktuan për Blerim Rekën, por edhe për votat e atyre që janë të papërcaktuar dhe atyre të cilët nuk dolën në qendrat e votimit.

Në këtë drejtim është edhe njoftimi i Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e  koalicionit opozitar, që do t’i ftojë edhe anëtarët e zhgënjyer nga LSDM, ato të Revolucionit laraman, si dhe që kishte pasur dialog edhe me njerëz nga lëvizja Bojkotoj.

“Dialogu është ilaçi më i mirë. Unë tashmë kisha dialog të suksesshëm në Shtip, ku pas paraqitjes sime u afruan njerëz nga “Bojkotoj” me të cilët bisedova. Iu shpjegova se nga rruga, nga jashtë nuk mund të ndryshohet asgjë, se procedura është garanci për demokracinë dhe se procedura mund të jetojnë vetëm brenda institucioneve”, tha Siljanovska-Davkova.

Mesazhi kryesor i kandidatit të koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski, në takimet me qytetarët, edhe më tutje është se mënyra e vetme për të shkuar përpara është integrimi i vendit në BE dhe NATO, përkatësisht implementimi i Marrëveshjes së Prespës. Ai paralajmëron se çfarë do të ndodhte nëse ai nuk do të zgjidhej për president.

“Zonja Siljanovska është kundër Marrëveshjes Kornizë. Zonja Siljanovska është kundër Ligjit për gjuhët. Zonja Siljanovska është kundër Marrëveshjes së Prespës. Paramendoni nëse ata kanë shans për të qenë në pushtet, cili do të jetë vendimi i tyre i parë. Pra, anulim i Marrëveshjes së Prespës dhe anulim i Ligjit për gjuhët dhe kjo është recetë për konflikt”, theksoi Pendarovski.

Le të kthehemi në fillim të tekstit, ku përmendëm se i pranuam mesazhet nga raundi parë. Këtë është duke e theksuar edhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev në tubime.

“Mesazhi është se ka pakënaqësi. Ka pakënaqësi nga zyrtarë të pushtetit qendror edhe të atij vendor dhe ja atë mesazh e pranova unë, i pari mes të barabartëve. Dhe jo vetëm që e pranova, por edhe ua kthej se – gjithsesi do të ketë spastrime dhe gjithsesi do t’i pastrojmë punët”, deklaroi Zaev.

Pas këtyre paralajmërimeve, shumë kryetarë të komunave, të cilët mbase kanë menduar se “mizën e kanë në kapuç” i intensifikuan aktivitetet për pastrim të qyteteve, filluan me riparime „kozmetike“ të rrugëve etj, prandaj krijohet përshtypje se po afrohen zgjedhje lokale.

“Handikap” i vogël për makineritë partiake, të cilat tani janë në vlugun e punës, janë festat e Pashkëve dhe të Një Majit, kur qytetarët sigurisht kanë punë më të mençura se sa të përcjellin agjitimet parazgjedhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button