Rusia vështron duke pritur të kthehet në Maqedoni?

Rusia nuk dëshiron rënie të gruevizmit në Maqedoni dhe dëshiron Ballkan jo stabil për t’u kthyer më lehtë në rajonin me ndikimin e vet politik anti-perëndimor, për çka kanë të plan të ri dhe vetëm janë duke e pritur mundësinë, vlerësojnë politikanë, ekspertë dhe qendra rajonale analitike, transmeton REL.

Rusia me çdo kusht dëshiron të kthehet në Ballkan. Ajo, edhe pse e ka humbur betejën kundër zgjerimit të NATO-s, nuk heq dorë dhe shpik manovra të reja, duke e vënë në fokus të vetin edhe zgjerimin e BE-së, veçanërisht në drejtim të këndit të ashtuquajtur strategjik Maqedoni – Mali i Zi – Serbi, thonë ekspertët rajonal.

Në mbështetje të kësaj janë edhe raportet e disa qendrave rajonale analitike të cilat thonë se “Moska nuk e dëshiron pastrimin e gruevizmit në Maqedoni, që i nevojitet Mal i Zi i izoluar dhe Serbi e kushtëzuar”.

Fortifikata e fundit e gruevizmit

Sipas Institutit Ndërkombëtar për studime të Lindjes së Afërme dhe të Ballkanit, zgjedhjet aktuale presidenciale në Maqedoninë e Veriut mund të jenë fushë në të cilën Rusia mund të gjejë interesin e saj.

“Analistët thonë se do të ashpërsohet retorika kah përfundimi i fushatës për zgjedhje presidenciale në Maqedoninë e Veriut, por kjo nuk guxon të rezultojë në konflikt, dhunë dhe ndërhyrje të faktorëve të huaj, veçanërisht  jo të Rusisë, e cila edhe më tutje intensivisht është duke punuar në destabilizimin e Maqedonisë së Veriut. Zgjedhjet e zbatuara me sukses do të jenë edhe një hap i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut në drejtim të NATO-s dhe drejt negociatave për anëtarësim me të drejta të plota në BE në qershor të vitit 2019. Zgjedhjet janë fortifikata e fundit për rënien e gruevizmit në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga Institutit Ndërkombëtar për studime të Lindjes së Afërm dhe të Ballkanit nga Lubjana.

Ollençenko: A duhet t’i japim donacion NATO-s nëpërmjet Maqedonisë së Veriut

Se Kremlini nuk ia fal Maqedonisë që u përcaktua për asociacionet perëndimore në vend të unionit euro-aziatik rus, flet edhe deklarata e javës së kaluar e Vlladimit Ollençenko, bashkëpunëtor i lartëshkencor i Akademisë Ruse të Shkencave.

“Udhëheqësia e Rusisë dhe biznesmenët duhet të mendojnë në mënyrë strategjike se si më tutje t’i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi i tregtisë dhe investimeve duhet të jetë në dobi për të gjitha palët. Në këtë rast, përfitimet mund të përfundojnë në NATO, për shkak se anëtaret e Aleancës duhet të kontribuojnë me 2% të BPV-së së tyre në buxhetin e NATO-s”, deklaroi Ollençenko, i cili është bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Nacional për hulumtim të ekonomisë botërore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare “Primakov” të Akademisë Ruse të shkencave.

Në atë kontekst, ai, në një intervistë për agjencinë gazetareske ruse TASS drejtpërdrejti pyeti: “A dëshirojmë të bëhemi donatorë të NATO-s?”

Gjukanoviq: Mos na dorëzoni Rusisë

Se Rusia ka dëshirë të arrijë ndikim edhe më të madh në Ballkan dhe se nuk është e kënaqur nga trajtimi dhe statusi i saj aktual në rajon, veçanërisht pas zgjerimit të NATO-s, vlerësojnë redaktori i gazetës së Podgoricës Goran Popoviq dhe analisti politik Dushan Janjiq. Të dy pajtohen se “mbrapa protestave të fundit në Mal të Zi, por edhe mbrapa çdo proteste tjetër në rajon qëndrojnë forcat lindore”.

Para se Rusia të përforcojë ndikimin e vet anti-perëndimor në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri… BE-ja duhet të veprojë, konsideron edhe presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, i cili në intervistën e fundit për agjencinë Asoshiejted pres ka bërë thirrje  për bashkim të vërtetë të Evropës.

“Nuk guxojmë ta trajtojmë këtë çështje si çështje të Malit të Zi ose çështje ballkanike, këtë duhet ta trajtojmë si çështje evropiane. Nuk ekziston konsolidim më i mirë i Bashkimit Evropian se bashkimi i saj i mëtutjeshëm”, deklaroi Gjukanoviq dhe drejtpërsëdrejti u bëri apel krerëve të BE-së: “Mos na dorëzoni Rusisë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button