Diplomacia energjitike

Diplomacia energjitike është ajo diplomaci që synon sigurinë kombëtare energjitike përmes qasjes në burime të ndryshme energjie, kontroll mbi tranzitin e tyre dhe mbi çmimet, objektiva këta që synon t’i përmbushë nëpërmjet bashkëpunimit strategjik, trysnisë, embargos dhe sanksioneve; me anë të shndërrimit në nyje (energy hub) ose në urë energjitike (energy bridge) etj..

Ky lloj diplomacie, që është shumë aktuale në shekullin XXI, merret edhe me çështje si kursimi i energjisë, energjia e rinovueshme, reduktimi i emetimit të gazit, hidrogjenit, hidrokarbonit, i karburanteve fosile (fossil fuel), përzierjes energjitike (energy mix) etj.. Bëhet fjalë për një refleksion të gjeopolitikës, që “punëtorët” shkencorë e konsiderojnë si një dukuri që, për shkak të mungesës së burimeve dhe energjisë, vendet më të prekura janë ato me teknologji më të zhvilluar, që kanë më tepër nevojë për burime energjitike. Kjo lloj diplomacie është shumë e rëndësishme për shtete si Kina, që është shumë agresive në kërkesat e saj për energji, gjë që mund të kërcënojnë dhe të destabilizojnë sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Në një raport të vitit 2006, Business Week e përshkruan Kinën si një shtet që zhvillon një strategji nengyuan waijiao, “një dem në dyqanin e energjisë”. (Tang, 2006) Elementet globalë të kësaj diplomacie përpiqen të kenë kontroll mbi çmimet (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe Organizata e Vendeve që Eksportojnë Naftë), kurse elementet bazikë janë të përfshirë në luftën për çmimet: vendet prodhuese (Rusia, vendet e Lindjes së Mesme, të Amerikës Latine), vendet konsumatore (Europa Perëndimore, Amerika, Kina, India) dhe vendet tranzitore (Ukraina). Hillary Clinton pat thënë se energjia e pret mespërmes tërësinë e politikës së jashtme amerikane, pasi është një çështje e sigurisë kombëtare dhe e qëndrushmërisë botërore; zemara e ekonomisë botërore; një çështje e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut.

Në vitin 2011 ajo formoi Byronë për Burimet e Energjisë, në mënyrë që të integroheshin interesat e sigurisë në vendimmarrjen e politikës së jashtme, duke e vënë diplomacinë energjitike në ballë të politikës së jashtme amerikane. Një prej qëllimeve të kësaj byroje ishte menaxhimi i implikimeve të këtyre burimeve në pasurinë kombëtare, si dhe te pushteti dhe ndikimi gjeopolitik. Në vitin 2017, Trump dhe disa zyrtarë të adminsitartës së tij folën për një erë të re që po vjen, për epokën e “dominimit energjitik”, duke shpalosur potencialin e eksportit të karburanteve të fosileve drejt miqve anekënd botës. Kështu, gjatë vizitës që bëri në Kinë, Trump-i vuri theksin te sektori energjetik dhe kimik në Alaskë dhe në Virxhinian Perëdimore, që vlen biliona dollarë. (Boersma & Johnson, 2018)

Një term i ngjashëm me diplomacinë energjitike është ai i “diplomacisë së tubacioneve” (tube-like diplomacy), i gazsjelljësve (pipeline diplomacy), që nënkupton transportimin e naftës ose të gazit natyral. Diplomacia e tubacioneve është promovuar për herë të parë në vitin 2006, kur Gazpromi (si aktor shtetëror) nisi t’i realizonte politikat e veta ekonomike kinse në mënyrë të pavarur, por, më vonë u provua se nuk ishin gjë tjetër përpos se një instrument i zyrës ruse të politikës së jashtme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button