RMV, vështirë të importohen punonjës për pagë 200 euro

Edhe punonjësit nga vendet me pagë më të ulët se Maqedonia nuk do të kishin ardhur të punojnë në vendin tonë, sepse kur të vendosin të shkojnë për të fituar, do të shkonin në ndonjë shtet ku me të vërtetë mund të fitojnë.

Për 200 euro pagë është vështirë të gjenden punonjës edhe në vend, e edhe më vështirë se do të vijnë nga diku për të punuar në Maqedoni. Vendet të cilat janë destinacionet e zakonshme të emigrantëve kanë papunësi të ulët dhe paga dukshëm më të larta se vendi nga i cili ata vijnë, thonë ekspertët e ekonomisë, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Mundësinë për liberalizimin e tregut të punës e hapi kryeministri Zoran Zaev para disa ditësh.

Maqedonia ka ndër pagat më të ulëta mesatare në Evropë. Paga më të ulëta kanë vetëm Shqipëria, Turqia, Kosova dhe ish-republikat sovjetike, Moldavia, Armenia, Ukraina apo Bjellorusia. Shkalla e papunësisë, megjithatë, është një nga më të lartat në Evropë. Papunësia është më e lartë vetëm në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Akademiku Abdulmenaf Bexheti, thotë se liberalizimi i tregut të punës në përgjithësi duhet të inkurajohet, pavarësisht nga rezultatet eventuale të pritshme konkrete. Nëse shkojmë në liberalizim të plotë të lëvizjes së mallrave dhe kapitalit, atëherë duhet të ndiqet edhe liberalizimi i lëvizjes së njerëzve, thotë ai. Por me këto paga, nuk mund të tërhiqni as punonjës nga vendet që kanë paga më të ulëta se ato të Maqedonisë, thotë ai. E pyetëm Bexhetin përse dikush nga Molldavia, për shembull, do të vinte për të punuar në Maqedoni për 100 euro më shumë, nëse ai ka mundësi të shkojë në Poloni dhe të punojë për 500 euro më shumë.

“Gjithsesi kjo nuk do të kishte ndodhur. E dini, se krahu i punës lëvizë drejt rajoneve, shteteve dhe drejt tregjeve ku marrin dallim të dukshëm margjinal nga pagat e tyre. Ashtu që, ne jo vetëm që nuk kemi asnjë dallim margjinal, por dallimet janë negative, ne me pagën mesatare ende jemi shumë ulët”, thotë Bexheti.

Ai thekson se në Maqedoni mund të vijnë punonjës të profesioneve të caktuara, të cilat janë deficitare, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në të gjithë rajonin dhe ato profesione specifike do të paguheshin në mënyrë përkatëse.

Kryeministri Zoran Zaev para dhjetë ditësh tha se mungon fuqi punëtore e kualifikuar dhe paralajmëroi se është i mundshëm liberalizim i tregut të punës.

“Një pjesë e personelit tonë të kualifikuar, të cilët nuk mund të gjejnë punë këtu mund të gjejnë punë në vendet fqinje, por edhe një pjesë e forcës punëtore të kualifikuar që ekziston në vende fqinje mund të gjejnë punë këtu. Kjo është në pjesën e agjendës ekonomike evropiane për rajonin dhe besoj se do t’ia dalim ta themelojmë, por edhe liberalizimi i regjimeve të caktuara të vizave për disa vende që deri më tani kanë pasur vizë nëse kanë dashur të vijnë në vendin tonë, jo vetëm si punëtorë të mundshme, sidomos si turistë, si konsumatorë të çdo karakteri. Këto debate janë hapur në Qeveri, besoj se të gjitha ministritë do të japin mendimin e tyre”, tha Zaev para do kohe.

Ai e tha këtë pas takimit me kryetaren e Odës ekonomike rajonale Prilep, Irena Jakimovska, e cila tha se vendit i mungon forcë e kualifikuar e punës dhe se kanë diskutuar për mundësinë e importit të krahut të punës nga vendet tjera.

Zëdhënës i VMRO-DPMNE, Naum Stoillkovski, megjithatë, thotë se Maqedonia ka një nga pagat më të ulëta dhe një nga normat më të larta të papunësisë në Evropë, prandaj edhe nuk është tërheqëse për forcë pune nga jashtë. Me këso paga, Maqedonia vetëm mund të eksportojë punonjës, thotë ai.

“Këtu nuk bëhet fjalë për forcë pune, por për ardhje dhe vendosje të migrantëve edhe atë të migrantëve të cilët nuk janë të dëshirueshëm, gjegjësisht janë barrë e vendeve në Evropë. Zaev duhet të përgjigjet se a është duke u përgatitur për import të migrantëve. Përse e fsheh faktin për migrantët, gjegjësisht përse fshihet pas importit të punonjësve. Kjo qeveri fshehurazi po përgatitet për pranim dhe akomodim të migrantëve, ndërton qendra, i fsheh qendrat si atë në Bardovcë, ndërsa tani thotë se do të importojë punonjës, gjegjësisht do të importojë migrantë. Ekonomikisht, Maqedonia nuk guxon të lejojë të bëhet rezervat i krahut të lirë të punës, të stër-mbushet me fuqi punëtore me kualifikim të ulët”, thotë Stoillkovski.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në Maqedoni ka rreth 185 mijë të papunë. Paga mesatare është 400 euro, ndërsa paga minimale është 200 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button