Për standardet ekologjike të BE-së Maqedonia e Veriut s’ka as para as njerëz

Legjislacioni ekologjik i BE-së përmban mbi 700 akte ligjore dhe është një nga kapitujt më voluminoz që duhet të reflektohet në mënyrë përkatëse në legjislacionin e Maqedonisë e më pas të implementohet, shkruan REL.

Me një buxhet prej rreth 20 milionë shteti planifikon, t’i zgjidhë problemet e mjedisit jetësor që kushtojnë qindra milionë euro. Pritjet e zyrtarëve të qeverisë janë që gjatë këtij viti t’i fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian, e kjo do të thotë hapjen e Kapitullit 27 për mjedisin jetësor. Standardet që duhet të plotësohen, përveç shumë para, kërkojnë edhe staf përkatës profesional, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Për vitin 2019 shteti, nga buxheti qendror, janë ndarë gjithsej gjashtë milionë euro për mjedisin jetësor, në kushte kur vendi në një të ardhme të afërt do të ballafaqohet me obligimet që imponohen nga Bashkimi Evropian, e përmbushja e të cilave do të kushtojë qindra miliona euro.

Zëvendësministri për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, Jani Makraduli, në intervistën e të dielës për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nga buxheti i përgjithshëm për mjedisin jetësor, pesë milionë euro janë për investime, ndërsa të gjitha ministritë së bashku në projekte për mbrojtjen e mjedisit kanë gjithsej 22 milionë euro.

“Pra, gjithsej përveç Planit për ajër të pastër prej dy milionë, ka edhe 22,3 milionë euro të cilat janë të dedikuara për mjedisin jetësor”, ka thënë Makraduli.

Për të filluar negociatat me BE dhe për të hapur Kapitullin 27 – mjedisi jetësor, ai thotë se pret që ministria të marrë trajtim të ndryshëm nga Qeveria, sepse përmbushja e Kapitullit 27 kushton shumë para.

“Për të përmbushur standardet për parandalimin e emetimeve të dëmshme në ajër, nevojiten qindra miliona euro. Prandaj, duke qenë edhe egoist, ky do të jetë institucion shumë i rëndësishëm, pasi çdo vend evropian, nëse dëshiron të parandalojë rrugën e Maqedonisë së Veriut për në BE mund të përdorin pjesët e mjedisit jetësor”, thotë Makraduli.

Legjislacioni ekologjik i BE-së përmban mbi 700 akte normative dhe është një nga kapitujt më voluminoz që duhet të transponohet në mënyrë përkatëse në legjislacionin tonë e më pas të implementohet, thotë Aleksandra Bujaroska nga organizata civile “Front 21/42”.

Ky është kapitull i cili drejtpërdrejt ose tërthorazi hyn në pothuajse të gjitha sferat e shoqërisë, shpjegon Bujaroska, duke theksuar se BE ka standarde shumë të larta të cilat janë zhvilluar me kalimin e viteve për të gjetur zgjidhje përkatëse për sfidat dhe problemet jashtëzakonisht të mëdha me ndotjen.

“Harmonizimi i legjislacionit tonë, veçanërisht zbatimi praktik për të përmbushur këto standarde të larta, mendoj se sjell shumë sfida serioze, për të cilat, për fat të keq, strukturat tek ne nuk janë as të vetëdijshme, as të gatshme që të njëjta t’i reflektojnë vërtetë në politikat tona. Prandaj, pikërisht për shkak të vëllimit dhe zbatimit të vështirë financiar, është një nga kapitujt e fundit që mbyllet në procesin e aderimit në BE”, thotë Bujaroska.

Në aspektin e personelit të nevojshëm për këtë proces, Makraduli thotë se është ky një handikap që ekziston në të gjithë administratën, siç është rasti me më shumë sektorë në Ministrinë e mjedisit jetësor. Ai vë në dukje se një numër i caktuar i njerëzve, të cilët kanë fituar njohuri dhe trajnim duke përdorur fondet evropiane, kanë shkuar të punojnë në kompani private apo jashtë vendit.

Makraduli shton se personeli i Ministrisë do të përdorë përvojën e Malit të Zi, i cili është tashmë në negociata me BE, gjegjësisht ekipe nga vendi do të vëzhgojnë procesin për ta përcaktuar implementimin dhe harmonizimin me BE-në, por edhe të fondeve të nevojshme.

Fondet e mëdha do të nevojiten për të zbatuar ligjet për mjedisin jetësor, thotë Bujaroska: p.sh. tërë industria do të duhet të jetë në përputhje me teknikat më të mira në dispozicion, duke shtuar se industria në vend aktualisht është duke u harmonizuar me rregullat e vjetra të BE-së.

Përveç kësaj, shton ajo, e njëjtë do të jetë procedura lidhur me menaxhimin me zonat e mbrojtura, sepse siç thotë, aktualisht kemi shpallje të pjesshme të disa zonave të mbrojtura që pritet të jenë pjesë e rrjetit Natura 2000, si dhe për ndryshimet klimatike – fusha që janë shumë voluminoze dhe shumë të shtrenjta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button