Janë vrarë tre anëtarë të familjes së organizatorit të sulmeve në Shri Lankë

Babai dhe dy vëllezërit e Zahran Hashim, i cili dyshohet të jetë organizatori i sulmeve vetëvrasëse në Shri Lankë, janë vrarë nga policia, gjatë një bastisjeje, thanë burimet e sigurisë.

Këto burime thonë se Zainee Hashim, Rilwan Hashim dhe babai i tyre, Mohamed Hashim janë në mesin e 15 persona të vrarë gjatë një përleshje me armë zjarri, pasi forcat e sigurisë hyjnë në një shtëpi në lindje të vendit, dy ditë më parë.

Tre personat shihen në një video që po qarkullon në mediat sociale, duke bërë thirrje që të luftohen të gjithë jobesimtarët. Niyaz Sharif, kunati i Zahran i ka thënë agjencisë Reuters se në këtë video janë dy vëllezërit e Zahran dhe babai i tyre.

Autoritetet në Shri Lankë besojnë se Zahran ishte organizatori i sulmeve me bomba në ditën e Pashkëve, ku u vranë mbi 250 persona. Sulmet u kryen në kisha dhe hotele në mbarë vendin.

Policia ka konfirmuar se Zahran ka vdekur gjatë sulmit vetëvrasës në hotelin Shangri-La në Colombo. Ai ishte shfaqur në një video të grupit militant, Shteti Islamik, duke marrë përgjegjësinë për këto sulme të koordinuara, transmeton REL.

Që prej sulmeve të 21 prillit, në Shri Lankë, rreth 10 mijë ushtarë janë dërguar në mbarë vendin, për të ofruar siguri dhe për të kryer bastisje.

Policia thotë se ka arrestuar dy persona të dyshuar më 27 prill, duke bërë që numri i personave të arrestuar lidhur me sulmet vdekjeprurëse të shkojnë në mbi 100, përfshirë këtu edhe shtetas të Sirisë dhe Egjiptit.

Rihapja e shkollave në mbarë Shri Lankën që ishte planifikuar të ndodhë më 29 prill është shtyrë edhe për një javë, për shkaqe sigurie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button