Atletët nga Kenia i fituan çmimet e para në Gjysmë Maratonën e Prishtinës

Atletët nga Kenia janë fituesit kryesorë të Gjysmë Maratonës “Prishtina 2019”, ku Hosea Kiblagat Tuei ka dalë i pari në garën kryesore të meshkujve, ndërsa Ruth Chemisto Matebo në atë të femrave, raporton Anadolu Agency (AA).

Në edicionin e 19-të me radhë të Gjysmë Maratonës së Prishtinës, ku morën pjesë rreth 1.500 garues u shënua aktiviteti më i madh sportiv i vendit, organizuar nga Federata Atletike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit dhe Komunën e Prishtinës.

Shtegu kryesor këtë vit ka qenë 21 kilometra, ndërsa ai sekondar 5 kilometra i gjatë. Fëmijët kanë garuar në një shteg prej 2 kilometrash, ndërsa personat me nevoja të veçanta, me karroca, kanë garuar në një shteg prej 500 metrash të gjatë.

I pari i garës kryesore, keniani Hosea Kiblagat Tuei, 21 kilometrat e garës i kaloi për 1 orë e 4 minuta e 15 sekonda.

“Mund të them se jam shumë i lumtur që kam fituar sot. Më pëlqejnë njerëzit në Prishtinë, ata janë shumë të shoqërueshëm dhe të kujdesshëm. Dhe normalisht çmimi ka qenë shumë i volitshëm dhe organizimi shumë i mirë. Natyrisht, do të jem këtu edhe vitin e ardhshëm”, tha Kiblagat Tuei, i cili u përcoll nga bashkëkombësi i tij, Abel Kibet, që zuri vendin e dytë.

Garuesja nga Kenia, Ruth Chemisto Matebo, këtë vit doli e para me përfundimin e garës për 1 orë e 13 minuta e 24 sekonda.

“Kjo është hera ime e dytë që marr pjesë. Vitin e kaluar mora pjesë gjithashtu dhe fitova vendin e dytë. Këtë vit dola e para. I falënderoj organizatorët për ftesën që na bënë në këtë vend, kostoja ka qenë shumë e mirë”, tha Chemisto Matebo.

Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, tha për AA se përgatitjet për këtë garë vjetore për 2019, kanë filluar shumë më herët, në mënyrë që gjithçka të shkonte me sukses dhe në mënyrë profesionale.

“Kemi garues nga Amerika, nga Australia, nga Kenia, nga Maroku nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe shumë shteteve evropiane, kështu që për mua është madhështore kjo datë dhe dëshiroj të rritet sa më shumë me ndihmën e të gjithëve”, tha ai.

Sylejmani tregoi se në dispozicion të fituesve çmimet që do të ndahen përfshijnë një shifër rreth 13 mijë euro me para, kurse për fituesin në kategorinë e seniorëve do të ndahen 1.200 euro. Ndërsa do të ketë edhe mjete të tjera; mirënjohje, medalje, etj.

Kjo ngjarje ka karakter garues, argëtues, motivues dhe social dhe rezultatet e arritura në këtë garë janë zyrtarisht të njohura nga Organizata Botërore e Sportit të Atletikës (IAAF).

Sikurse herëve të fundit, në këtë garë ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me bashkëshorten e tij, si dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndër ta Mimoza Kusari-Lila.

Gara e parë e Gjysmë Maratonës së Prishtinës është organizuar në vitin 2001 me iniciativën e Departamentit të Sporteve të Kosovës në bashkëpunim me Federatën Atletike të Kosovës dhe Klubin e Atletikës Prishtina. Motoja e këtij vrapimi ka qenë “Vrapo për Paqe dhe Tolerancë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button