“E dua Vodnon”: Do të mbillen drunj të rinj, nuk heqim dorë deri sa të përmbushet premtimi

Pyllëzimi i Vodnos në shkallë që nuk është parë që nga vitet pesëdhjeta, kur është bërë pyllëzimi i planifikuar i malit, me të holla që do t’i sigurojnë Burimet Energjetike të Maqedonisë (BEM), duhet të realizohet që këtë vjeshtë, transmeton Meta.mk.

Ky është informacioni që përfaqësuesit e “E dua Vodnon” e kanë pranuar në mbledhjen e grupit punues, që përbëhet nga Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, qyteti i Shkupit, NP “Parqe dhe gjelbërim”, BEM dhe Fakulteti i pylltarisë në Shkup.

Qeveria më parë, si rezultat i presionit nga aktivistët e mjedisit, e formoi grupin për të realizuar rehabilitimin e premtuar dhe kompensimin për dëmin e shkaktuar në pyllin-park Vodno gjatë ndërtimit të trasesë së gazsjellësit.

“Na informuan se katër milionë denarë tashmë janë ndarë ekskluzivisht për këtë qëllim dhe se projektin për rivitalizimin e vegjetacionit pyjor të Vodnos do ta hartojë një ekip ekspertësh nga “Parqe dhe gjelbërim”, Fakulteti i pylltarisë dhe ekspertë të angazhuar nga UNDP për të bërë vlerësimin e zonës së pyllit-park për përgatitjen e Ligjit për mbrojtjen e Vodnos. Atë që e premtuan tingëllon si fillim i mirë dhe ne do të insistojmë dhe aktivisht do ta monitorojmë tërë procesin që premtimi të realizohet plotësisht, natyrisht në rrethana kur mbjellja do të jetë e mundur, ndërsa kjo do të thotë nga tetori apo fillimi i nëntorit”, thotë Tatjana Stojanovska nga “E dua Vodnon”.

Ajo shton se do të kërkohet të jepen afate të sakta për zbatimin e të gjitha fazave dhe se do të insistojnë ato të respektohen.

Në këtë fazë ende nuk janë përcaktuar lokacionet e sakta në të cilat do të mbillen drutë, e as lloji i drunjve, por që zgjedhja do të jetë në drejtim të rimëkëmbjes së fondit të pyjeve atje ku nevojitet më së shumti dhe në vendet ku mbjellja do të japë efektet më të mëdha.

Aktivistët pas mbledhjes lëshuan ​​një deklaratë, në të cilën thonë se ata nuk heqin dorë nga lufta për Vodnon ndonëse ekskavatorët tashmë e kanë bërë të veten dhe se pjesa me e madhe e pyllit përgjatë trasesë është prerë.

“Në situatë kur një pjesë e trasesë në pyll është prerë, e vetmja mundësi për të ndodhë diçka pozitive është të revitalizohet fondi me mjetet të cilat qeveria nën presionin tonë, qytetarëve, i ka dedikuar për të revitalizuar fondin bimor në Vodno. Nuk do të lejojmë që edhe kësaj radhe planet të mbeten vetëm premtim që nuk do të realizohen për iks arsye”, thuhet në deklaratën e “E dua Vodnon”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button