Hani me mesazh për BE-në: Shtyrja e negociatave me Maqedoninë mund të ketë pasoja dramatike

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, në intervistë për Agjencinë Evropa, i paralajmëroi vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që shtyrje e sërishme e negociatave për Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe për Shqipërinë mund të ketë “pasoja dramatike” për tërë rajonin, transmeton Portalb.mk.

Pas mesazheve që arritën nga Parisi, se vendi mbetet i rezervuar për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë në qershor të këtij vit, Han paralajmëron se në pikëpyetje është kredibiliteti i BE-së dhe stabiliteti i rajonit.

“Bëhet fjalë për kredibilitetin e BE-së. Vendet anëtare vet e përcaktuan muajin qershor 2019, si datë për vendim për hapjen e negociatave për aderim me RMV-në dhe me Shqipërinë. Shtyrja mund të ketë ndikim dramatik mbi tërë rajonin”, tha Han.

Ai përkujton se RMV-ja tash më dhjetë vite është duke e pritur fillimin e këtyre negociatave që ishin të bllokuara për shkak të kontestit me Greqinë.

“Tani kur ky problem është zgjidhur duke i falënderuar guximit dhe vendosmërisë politike të dy liderëve dhe kur konstatojmë progres të shkëlqyeshëm në reformat e brendshme, do të ishte shumë dëshpëruese nëse hapja e negociatave shtyhet sërish”, porosit komisari për Agjencinë Evropa dhe e theksoi besimin se vendet anëtare do të marrin “vendim të drejtë” si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë e cila, sipas tij, gjithashtu po shënon përparim të mirë në reforma, veçanërisht në gjyqësi.

Eurokomisari Han, i cili nuk do të merr pjesë në samitin joformal në Berlin, të hënën, që i dedikohet Ballkanit për shkak se zgjerimi nuk është në agjendë, paralajmëron gjithashtu se BE-ja dhe veçanërisht vendet skeptike, duhet të kenë kujdes të mos e injorojnë këtë politikë ndaj rajonit.

“I përshëndes përpjekjet e presidentit Makron ta përforcojë politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, por kjo duhet të fillojë nga fqinjësia jonë, Ballkani perëndimor, veçanërisht para konkurrentëve sikur Rusia, Kina dhe Turqia të cilët nuk janë të interesuara për vlerat dhe normat evropiane”, thotë Han.

Ai shton se është “i bindur” se shefi i shtetit francez pajtohet se “nuk është në interesin gjeostrategjik të BE-së që Ballkani t’i lihet aktorëve tjerë”.

“Por ky angazhim gjeostrategjik do të funksionojë vetëm nëse vendet anëtare, duke e përfshirë edhe Francën, do të konfirmojnë perspektivën evropiane dhe i njohin meritat individuale të vendeve”, shton komisari në intervistë.

Në brifingun nga Pallati i Eliseut me gazetarët në Paris, më shumë herë e ka theksuar se samitit ditën e hënë duhet t’i përkushtohet, para se gjithash, bashkëpunimit rajonal, megjithëse beson se kjo nuk do të bëhet zëvendësim për vetë zgjerimin. Han, nga ana e tij, përkujton se këto dy procese nuk janë të pandashme.

“Bashkëpunimi dhe stabiliteti i rajonit janë në thelbin e procesit të zgjerimit të BE-së, procesi i anëtarësimit është motori themelor i reformave ekonomike dhe reformave të shtetit juridik, të cilat janë bazë për çdo lloj zhvillimi demokratik”, përgjigjet Han duke plotësuar se “bashkëpunimi rajonal si pjesë integrale e procesit të zgjerimit në fakt është thelbësor për shkak se pa zgjidhje të kontesteve bilaterale, vendet nuk mund të anëtarësohen në BE”.

Franca dhe Gjermania të hënën do të dëshirojnë që shteteve të rajonit t’ua tregojnë shembullin e tyre të pajtimit dhe tejkalimit të kontesteve, por eurokomisari Han përkujton se ekziston shembull më i freskët dhe lokal.

“Kemi shembull më të ri që vjen nga vetë rajoni: Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Këto dy vende ia dolën që bashkërisht ta zgjidhin kontestin për emrin që rëndonte mbi marrëdhëniet e tyre bilaterale tre dekada, ky është sukses historik i cili gjithë rajonit i dërgon sinjal se madje edhe kontestet shumëvjeçare mund të tejkalohen”, thotë Han për Agjencinë Evropa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button