Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, fushëbetejë mes kundërshtarëve politikë

Prania e gjuhës së urrejtjes në mediat sociale shënon rritje të theksuar si rrjedhojë e mosveprimit të organeve përkatëse, thonë nga zyrtarë nga Komiteti i Helsinkit në Shkup. Ata bëjnë të ditur se janë verifikuar gjithsej 43 paraqitje lidhur me përdorimin e gjuhës së urrejtjes në rrjete sociale në tremujorin e parë të këtij viti, pa përfshirë këtu periudhën e fushatës për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Urania Pirosvka, drejtuese e Komitetit të Helsinkit në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thekson se numri më i madh i paraqitjeve kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes mbi baza etnike, gjegjësisht 27 për qind nga numri i përgjithshëm i paraqitjeve. Ndërkohë që është regjistruar rritje e paraqitjeve të urrejtjes në bazë të përkatësisë politike, 20 për qind dhe 18 për qind e parashtresave kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes për shkak të orientimit seksual.

“Rritja e gjuhës së urrejtjes kryesisht ka të bëjë me zhvillimin e proceseve të fundit politike, siç është nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës dhe më pas shpallja e zgjedhjeve presidenciale që ndikuan në nxitjen e retorikës nacionaliste”, thotë Pirovska.

Ndërkaq, nga Asociacioni i Mediave të Shtypura në Maqedoni, që zhvillon një fushatë kundër gjuhës së urrejtjes në media dhe opinionin e gjerë theksojnë se zhvillimet e fundit, krijimi i opinionit publik kundër kësaj dukurie, ka prodhuar efektet e para gjatë fushatës presidenciale, e cila është duke vazhduar.

“Në këtë fushatë kemi kyçur shumë personalitete të jetës publike në vend, të të gjitha etniteteve po edhe ambasadorët e huaj, me mision në vendin tonë dhe në këtë mënyrë mendojmë se tanimë kemi efektet e para nga kjo fushatë, sepse fushata jonë kundër gjuhës së urrejtjes zhvillohet me fushatën presidenciale dhe fushata presidenciale, dukshëm ishte më e qetë sa i përket gjuhës dhe komunikimit mes kundërshtarëve politikë”, thotë Lirim Dullovi, kryetar i Asociacionit të Mediave të Shtypura në Maqedoni.

Nga ana tjetër, Marko Troshanovski, politolog, konsideron se rrjetet sociale paraqesin fushën ku thyhen shtizat e taborëve politikë, megjithëse ata fshihen pas profileve të rrejshme.

Troshanovski thotë për Radion Evropa e Lirë se gjuha më e butë gjatë fushatës zgjedhore, është si rrjedhojë e komunikimit më të sofistikuar ndërmjet kandidatëve që janë në garën zgjedhore për president.

“Sulmet mes taborëve politikë mbeten evidente edhe në këtë fushatë zgjedhore, megjithëse fjalori mes dy taborëve politikë ishte shumë më i butë, ndonëse edhe për faktin se garuesit në këto zgjedhje presidenciale janë profesorë universitarë dhe kanë mbajtur shumë llogari për nivelin e komunikimit”, vlerëson Troshanvski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button