Dy vjet nga 27-prilli i 2017-s në Kuvendin e RMV-së: Gruevski azilant në Hungari, deputetë të amnistuar (VIDEO)

Sot, 27 prill 2019, bëhen dy vjet nga terrori i 27-prillit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), i cili parapriu me emërimin e kryeparlamentarit aktual, Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

Hetimi tregoi, se ngjarja ishte organizuar nga udhëheqës të atëhershëm të institucioneve të sigurisë, nga funksionarë të lartë të ish partisë në pushtet për një dekadë, tash në opozitë, VMRO-DPMNE-ja, ndërkaq rezultoi me hyrjen në shtëpinë ligjvënëse të pjesëtarëve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, e cila për 4 muaj protestoi rrugëve të Shkupit, kundër “Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare” dhe kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ziadin Sela, sulmi ne Kuvend

Emërimi i Xhaferit si kryetar të Kuvendit të RMV-së, ishte një arsye, që pjesëtarët e “Për Maqedoni të përbashkët”,  t’u hapen dyer nga deputetë të VMRO-DPMNE-së, Kërste Mukoski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski dhe të tjerë, të cilët më pas rrahën deputetë. Në gjendje më të rëndë ishte deputeti dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili u tërhoq zvarrë rrugëve të Kuvendit. I rrahur mbeti edhe lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili pas marrjes në duar të Qeverisë së RMV-së, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, dhe realizimin e ndryshimeve kushtetuese, u fali edhe publikisht sulmuesit. Sulmuesit i ka falë edhe Talat Xhaferi.

Institucionet e sigurisë, në krye me drejtorit e Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, u treguan rezistencë ndaj turmës që e vërshoi Kuvendit, sepse nuk reaguan shpejtë dhe në mënyrë efikase, e cila më pas rezultoi, përveç me sulmin e deputetëve, edhe me sulm ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve që kishin qenë në Qendrën Mediale të Kuvendit për të raportuar për procesin – emërimin  e Talat Xhaferit si kryetar Kuvendi.

Këngë patriotike maqedonas, himni maqedonas, thirrje antishqiptare, e përshkuan lëvizjen e sulmuesve të Kuvendit.

Rasti u dëshmua – dënimi gjysmak

27-prilli i 2017-s hyri në historinë parlamentare, jo vetëm atë të Maqedonisë, por edhe të botës. Megjithëse i tëri u dëshmua nga gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë, është me aktgjykimi gjysmak.

LEXO: Ngjarjet e përgjakshme të “27 Prillit”, deri më tani janë amnistuar 25 persona

Deputetë që ndihmuan në hapjen e dyerve  u amnistuan, ndërkaq për organizatorët e sulmit, si për ish kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish ministrat, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski. Pjesë e këtij grupi është edhe ish lideri dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili, para se të marrë njoftimin për ta vuajtur dënimin e shqiptuar në rastin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), u arratis në Budapest të Hungarisë, ku edhe ka kërkuar azil.

Aktgjykimi për organizatorët, siç paralajmëroi prokurorja e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovka do të shpallet kah fundi i muajit maj.

“Një pjesë të mirë të dëshmitarëve, të cilët kisha planifikuar t’i intervistoj i kam intervistuar. Këtë javë po merren në pyetje të pandehurit. Javën e ardhshme me siguri do të biem dakord me mbrojtjen që ata të inspektojnë provat dhe do të shoh nëse ka nevojë për të intervistuar edhe ndonjë dëshmitar e pastaj do ta përfundoj hetimin, deklaroi Ruskoska pas përfundimit të promovimit të Projektit Twinning Light për Standardizim dhe harmonizim sipas standardeve ISO17025 në laboratorët e Institutit për mjekësi Ligjore”, Kriminologji dhe Deontologji mjekësore. Ajo nuk deshi të saktësojë se çfarë është profili i dëshmitarëve të cilët i ka intervistuar.

Lidhur me reagimet e një pjese të të burgosurve për këtë rast, të cilët besojnë se paraburgimi është i pajustifikuar dhe i gjatë dhe se deri tani nuk kanë qasje te provat, Ruskoska tha se Gjykata duhet të vlerësojë nëse paraburgimi është i bazuar apo jo.

LEXO: Sulmi i 27-prillit në Kuvendin e RMV-së: U arrestua në Suedi, Dejan Davidovski

Në Suedi në dhjetëditëshin e parë të muajit prill 2019, u arrestua edhe i akuzuari i 33-të për rastin gjyqësor të 27-prillit, Dejan Davidovski. Ruskovka për këtë rast vuri në dukje se janë në fazë të përkthimit të dokumenteve të nevojshme për ekstradimin Davidovskit.

Të akuzuarit për “27 Prillin” u dënuan me gjithsej 211 vjet burg

Të akuzuarit për ngjarjen e përgjakshme të “27 Prillit” janë shpallur fajtorë për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, me 211 vjet burg: 

  • Mitko Çavkov: 18 vjet burg
  • Mitko Peshov: 15 vjet burg
  • Dushko  Llazarov: 15 vjet burg
  • Goran Gjoshevski – Levi: 15 vjet burg
  • Jane Çento: 15 vjet burg
  • Vllatko Trajkovski: 15 vjet burg
  • Munir Pepiq: 15 vjet burg
  • Nikolla Mitrevski – Kolo: 15 vjet burg
  • Vilijam Mihajllovski: 14 vjet burg
  • Oliver Popovski: 13 vjet burg
  • Gorançe Angellovski: 12 vjet burg
  • Igor Jug: 12 vjet burg
  • Mlladen Dodevski: 12 vjet burg
  • Oliver Radullov: 10 vjet burg
  • Aleksandar Vasilevski – Ninxha: 8 vjet burg
  • Abdulfetah Alimi: 7 vjet burg

Të akuzuarit duhet që t’i paguajnë harxhimet gjyqësore në vlerë prej 18 mijë euro, ndërkaq Igor Durllovski është liruar nga akuza dhe harxhimet gjyqësore janë në llogari të shtetit.

LEXO: Një vjet nga dita e përgjakshme e 27 prillit, si vazhdoi ky tregim i dhunshëm?

Përndryshe, më 9 janar të vitit 2017, presidenti Gjorge Ivanov, ia dha mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski që të formojë Qeveri, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 kishte fituar 51 mandate, gjegjësisht 2 më shumë se LSDM-ja. Në këtë rast, VMRO-DPMNE-ja do të duhej që të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë me BDI-në e bllokut shqiptar e cila i kishte marrë 9-të mandate. Pas më shumë se tre javë negociata, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk arritën marrëveshje për formim të Qeverisë. Në këtë rast, sipas Kushtetutës, duhej t’i jepet mundësi LSDM-së që ajo ta marrë mandatin dhe t’i fillojë bisedimet, megjithatë prej këtu nis “loja” e cila përfundoi tragjikisht. Fillimisht, Ivanov i vendosi disa kushte liderit të opozitës, Zoran Zaev që ai t’ia nënshkruajë mandatin, megjithatë edhe pas plotësimit të të njëjtave, Ivanov vazhdimisht gjente arsye për të mos e dhënë. Sipas tij, Zaevit nuk mundet t’i jepej mandati pasi që i njëjti e ka pranuar Platformën e Tiranës (Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare) dhe me këtë do të vendoset dygjuhësi në Maqedoni. Presioni i brendshëm dhe i ndërkombëtarëve vazhdimisht rritej, ndërkaq presidenti Ivanov vazhdimisht përsëriste të njëjtat gjëra – nuk e jap mandatin. Në ndërkohë, edhe pse mandatin nuk e kishte në duar Zaevi, ai filloi bisedimet me partitë shqiptare, ndërkaq më 4 mars të vitit 2017, BDI e pranoi ofertën e LSDM-së për koalicion qeveritar. Pas arritjes së marrëveshjes, partnerët e rinj, bashkë me partitë opozitare shqiptare, vendosën që më 27 prill ta zgjedhin kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferin nën një atmosferë të tensionuar brenda dhe jashtë Kuvendit. Derisa kryetari i Kuvendit, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë (e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja) dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button