Vetëvendosje protestoi kundër kryeprokurorit të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje organizoi të premten një protestë në Prishtinë kundër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe korrupsionit, siç u tha, në rritje në Kosovë.

Protesta nisi simbolikisht 5 minuta para orës 12:00 para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë.

Masa e tubuar brohoriti: ‘Me hajna nuk ka shtet’, ‘Lumez ik, duam Republikë’, ndërsa në pankartat që protestuesit mbanin në duar shkruante: ‘Po drejtësisë, jo korrupsionit”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila foli para masës, tha se protestat do të vazhdojnë dhe do të jenë paqësore, transmeton REL.

Ajo kërkoi ndryshime në Prokurori, duke larguar, siç tha, të gjithë prokurorët që janë emëruar politikisht.

“Ne, në javët e muajt në vazhdim, nuk do të ndalemi derisa nuk do ta largojmë ‘PAN-hajninë’ (v.j.me Pan njihet koalicioni qeveritar), këta që i kemi para sysh e që po bëhen kinse nuk po shohin. Nuk ka më kohë për Prokurorinë e pushtetit, nuk ka më kohë as për pushtetin e hajnisë, ka ardhur koha për drejtësi e jo drejtësi për interes. Ka ardhur koha për ndryshim, e ndryshimi jemi ne, jeni ju, janë qytetarët e Kosovës”, tha Haxhiu.

Në protestë u tha se në Kosovë nuk mund të ketë luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, derisa nuk ka gjyqësor të drejtë.

Kritikët thonë se Lumezi dyshohet se është i korruptuar dhe i lidhur me pushtetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button