Kodra e Diellit: Ndër vite ka rënë numri i turistëve në hotelet që menaxhon Elem Turs

Nga të dhënat e numrit të turistëve që kanë qëndruar në dy hotelet të cilat i menaxhon Elem Turs, “Hotel Slavija” dhe Hotel “Kodra e Diellit”, shihet se numri i turistëve me kalimin e viteve ka rënë. Tashmë është e njohur për publikun, dhe e konfirmuar edhe nga ELEM, se këto hotele për vite me radhë punojnë me humbje, transmeton Portalb.mk.

Nga të dhënat që na i siguroi kompania ELEM Turs, shihet se pas vitit 2013 numri i turistëve ka rënë në hotelet që menaxhohen nga kjo kompani.

Këto numra, nuk mund të rrumbullakohen e as të krahasohen me vitet para menaxhimit të ELEM-it sepse as Komuna e Tetovës e as Enti i Statistikave nuk mbajnë të dhëna për turistët në përgjithësi që vizitojnë Kodrën e Diellit.

Numri i paktë i turistëve ka bërë që kompania që menaxhon këtë qendër skijimi të punojë me humbje për vite me radhë. Nga ELEM TURS njoftojnë se për sa i përket punës me humbje në vitet e kaluara, e njëjta vazhdon të evidentojë vështirësi në punë dhe funksionon në kushte të rënda ekonomike. Humbja e akumuluar në total është 24 milion euro.

Në Kodrën e Diellit funksionon edhe hoteli privat “SCARDUS” që gjatë sezonës 2018/2019 ka pasur rreth 3000 turistë që kanë fjetur në të.

“Numri i turistëve këtë vit në Kodrën e Diellit në krahasim me vitet e kaluara ka hasur ndryshim, domethënë ka pasur një trend të rritjes së numrit të turistëve të huaj dhe zvogëlim në numrin e turistëve vendas”, thonë nga ky hotel.

Sipas tyre, problemi kryesor që kërkon zgjidhje në Kodrën e Diellit është infrastruktura joadekuate.

“Problemi kryesor që kërkon zgjidhje të menjëhershme, efikase dhe afatgjate është infrastruktura rrugore, parkingjet si dhe prodhimi i borës artificiale që do të na  mundësonte një sezonë turistike më të hershme dhe të gjatë”, thonë nga Hotel “SCARDUS”.

Rënia e numrit të turistëve vjen si rezultat i keq menaxhimit të kësaj qendre turistike. Që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njejta me të cilat përballet Kodra e Diellit.
Ditë më parë, Price Waterhouse Coopers është kompania e cila u përzgjodh Elem Turs për të bërë analizën financiare duo diligence dhe studimin e fizibilitetit me model për partneritet privat-publik si dhe propozim model për shitje. Pas kësaj, pritet të dihet fati i Kodrës së Diellit.

LEXO: Elem Turs e ka përzgjedhur kompaninë që do e bëjë analizën e Kodrës së Diellit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button