Emri i tij është Sevdi Malsia

Kam qenë fëmijë kur një kushëri imi solli nga kurbeti një gramafon dhe disa dhjetra disqe (pllaka) me muzikë popullore. Asokohe gramafoni ishte gjë e rrallë, një mrekulli që ma dha rastin të dëgjoj pa limit këngët e bukura shqipe, të interpretuara nga mjeshtrit e muzikës popullore, si: Dervish Shaqa, Qamili i Vogël, Hashim Shala e disa të tjerë.

Më kujtohet mirë se shkoja në çdo kohë te shtëpia e kushëririt për t’u kënaqur me këngët që i dua edhe sot. Mbase sot i adhuroj edhe më shumë, sepse e kuptoj më mirë vlerën e muzikës me rrënjë të thella në trojet ku kam lindur dhe ku kam dëshirë të vdes; sepse e kam më të qartë rolin e traditës dhe epërsinë e saj ndaj tallavave me frymë, ritme e tekste banale, që po na nxjerrin nga lëkura personale. Kjo është arsyeja e respektit për këngëtarët besnikë ndaj muzikës burimore, pavarësisht mundësive të dhëna për të fituar dhjetra herë më shumë me muzikë të bastardhuar në shkallë neveritëse. Për të njëjtën arsye kam respekt edhe për rapsodin e mirënjohur Sevdi Malsia, artistin modest e fjalëpakë, njeriun e virtytshëm dhe fanatikun e punës së palodhshme dhe të pakompromis përgjatë një periudheje mbi dyzet vjeçare, kur është në pyetje ruajtja e traditave të bukura dhe pacënueshmëria e tyre.

Po kush është në të vërtetë Sevdi Malsia, këngëtari zëëmbël që i ndejti besnik vokacionit të tij të parë?

Ai lindi në fshatin Sellcë të Malësisë së Tetovës në vitin 1956, prej nga në moshë fare të re u shpërngul në fshatin Trebosh, ku jeton edhe aktualisht.

Talentin për muzikë e shpërfaqi që në fëmijëri, kur nisi të këndojë dhe të ekzekutojë në prim (karadyzen), qifteli, sharki dhe violinë.

Nga viti 1971 – 1983 Sevdiu qe aktiv në koncerte, ahengje e dasma nëpër vendbanimet shqiptare të Maqedonisë Perëndimore. Më pastaj nisi të këndojë edhe në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, kurse pas vitit 1990 edhe në Shqipërinë londineze.

Zëri i ëmbël dhe mjeshtria e këndimit e bëri të dashur në mesin e këngëtarëve më të vjetër, të cilët nisën ta kërkojnë bashkëpunimin me të. Natyrisht, Sevdiu nuk e lëshoi rastin e dhënë dhe u bë për vite të tëra pjesë e grupit të Qamil Berishës dhe Bib Kosovës, të dy këngëtarë e instrumentistë virtuozë të veglave muzikore popullore. Ky bashkëpunim qe i frytshëm dhe si i tillë u kororëzua me albumet që kanë pasuruar arkivin e muzikës shqiptare me vlera të paharruara.

Viteve të fundit, Sevdi Malsia ka bashkëpunuar dhe ka përgatutur albume interesante me disa prej doajenëve të pavdekshëm të muzikës popullore shqiptare, si Hashim Shala e Ismet Peja, të cilët edhe përkundër diferencës së konsiderueshme në moshë, e pranuan si të ishte fjala për një koleg të tyre të kahmotshëm. S’do mend se këtë e bënë për shkak të vlerave të Sevdiut si këngëtar dhe për shkak të vendosmërisë për t’i ndejtur besnik këngës folklorike shqiptare.

Një bashkëpunim të frytshëm me inçizime të shumta, Sevdiu ka pasur edhe me rapsodët e njohur: Augustin Ukën, Osman Sef  Mleçanin, Shaban Baksin, Vehbi Gjigolin, Mehmet Bajramin, Lul Sejdiun e me disa të tjerë.

Përveç aktiviteteve shumëvjeçare si këgëtar, Sevdi Malsia ka gjetur kohë të japë kontributin e tij edhe në SHKA “Xheladin Zeqiri” të Tetovës, në SHKA “Huzri Tahiri” të fshatit të tij të lindjes – Sellcës dhe në SHKA “Fan Noli” të fshatit Trebosh.

Sevdiu ka kënduar më shumë se një herë edhe nëpër festivale prestigjioze të këngëve popullore shqiptare, si: “Gllogovci këndon” në Drenas, “Këngë jeho” në Strugë, “Sharri këndon” në Tetovë, “Ditët e Ilindenit” në Manastir, në koncertin “Dava Gjergji 40 vjet në skenë” në Pukë dhe në dhjetra koncerte nëpër shtetet evropiane ku është koncentruar diaspora shqiptare.

Janë të shumta këngët e kompozuara dhe të kënduara prej Sevdi Malsiut, po me këtë rast po përmend vetëm disa prej hiteve të krijuara gjatë viteve të fundit, që dëgjohen shumë prej adhuruesve të këngëve burimore shqiptare, si: “Sellca e moçme”, “Molla Sula”, “Komandant Roki”, “14 Mars 2001”, “N’maje t’Gurit Kuq”, “Tahir Sinani”, “Te Molla e Kuqe”, “Xhemë Gostivari” e shumë të tjera, që pavdekësojnë historinë e dhembshme por të dinjitetshme shqiptare.

Për punën e tij të palodhshme shumëvjeçare në sferën e muzikës popullore, Sevdi Malsia është shpërblyer me çmime të shumta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button