RMV, mediat e shtypit u bënë pjesë e Rrjetit kundër gjuhës së urrejtjes

Asociacioni për Mbrojtjen e Mediave të Shtypit (AMMSH) prej sot është anëtarja më e re e Rrjetit për luftimin e gjuhës së urrejtjes në mediat e Maqedonisë së Veriut, i cili u formua në fund të janarit të këtij viti, me qëllim që në mënyrë të koordinuar të punojnë në zbutjen e këtij fenomeni negativ, njofton Portalb.mk.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) Katerina Sinadinovska tha se në ballafaqimin me gjuhën e urrejtjes në mediat është shumë me rëndësi të vazhdohet me promovimin e standardeve gazetareske dhe me bashkëpunimin me të gjitha institucionet përkatëse për sanksionimin e këtij fenomeni.

“Do të ishin të kota të gjitha përpjekjet e bashkësisë profesionale gazetareske nëse institucionet nuk sanksionojnë gjuhën e urrejtjes. Për këtë arsye është i rëndësishëm Rrjeti për luftë kundër fjalës së urrejtjes”, theksoi Sinadinovska, duke shtuar se Rrjeti është i hapur për bashkëpunim me të gjitha organizatat civile, shoqatat, institucionet dhe mediat që duan të kontribuojnë për të parandaluar paraqitjen e gjuhës së urrejtjes në mediat në vendin tonë.

Kryetari i AMMSH-së, Lirim Dullovi, deklaroi se ata kanë filluar fushatë përpara dy muajve kundër gjuhës së urrejtjes dhe e njëjta është përkrahur nga personalitete eminente të jetës publike në Maqedoni dhe nga diplomatë të huaj në vendin tonë.

“Të gjithë ata pa hamendje kanë dërguar porositë e tyre për opinionin nëpërmjet 17 media-anëtare të Asociacionit, të japin kontribuim në fushatën e cila ka shkuar dhe do të shkojë me moton “Respekto, mos urrej”. Të vetëdijshëm për nevojën e luftimit të kësaj dukurie në shoqërinë tonë, në fazën e parë, fushata jonë do ta ketë për qëllim ngritjen e vetëdijes, për pasojat negative nga gjuha e urrejtjes. Faza e radhës e fushatës sonë do të jetë e drejtuar për kërkim të përgjegjësisë nga institucionet kompetente që të veprojnë kur kemi dukuri të gjuhës së urrejtjes”, tha Dullovi duke shpresuar që fushata e tyre të ketë ndikim pozitiv për një proces të qetë dhe të relaksuar gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski e përshëndeti kyçjen e Asociacionit të Mediave të Shtypit në këtë “koalicion” dhe njëkohësisht kërkoi që institucionet të ndërmarrin masa për ata që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes kundër gazetarëve.

“Gjuha e urrejtjes dhe thirrja për dhunë kundër gazetarëve është absolutisht e papranueshme dhe paraqet sulm të drejtpërdrejt ndaj fjalës, këtu janë edhe kërcënimet me jetë, të cilat shpesh rezultojnë me pasoja të këqija. Gazetarët janë vazhdimisht nën kërcënim të tillë, dhe këtë e kuptojmë si tentim që ata të frikësohen me qëllim që të heshtet kritika e tyre. Theksojmë se përgjegjësi e Qeverisë dhe institucioneve është që të sigurojnë  mjedis të sigurt për punë të gazetarëve. Ajo mund të realizohet vetëm nëse ndëshkohet gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve duke e ndaluar mosndëshkueshmërinë e atyre që i sulmojnë gazetarët. Por shqetësues është fakti se nuk ka asnjë rast me vendim gjyqësor për gjuhë të urrejtjes në media dhe se ende pritet që organet të hetojnë porositë me gjuhë të urrejtjes”, tha Çadikovski, duke apeluar deri te gjykatat dhe prokuroria që të fillojnë t’i procesuojnë këto lëndë dhe të njëjtat të zgjidhen.

Në formimin e Rrjetit për luftë kundër gjuhës së urrejtjes në mediat morën pjesë shoqatat profesionale mediatike dhe gazetareske, vendimmarrësit, organet shtetërore dhe rregullore që janë kompetente për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, organizata nga sektori civil dhe subjekte të tjera nga sfera e mediave.

Ndryshe, prej shkurtit të vitit 2014 në Republikën e Maqedonisë kanë hyrë në fuqi dispozitat e reja ligjore me të cilat ndalohet dhe ndëshkohet gjuha e urrejtjes dhe përhapja e materialeve nëpërmjet internetit, me të cilat promovohet ose nxitet urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë njeri ose grupi, në çfarëdo baze të diskriminimit. Me ndryshimet e Kodit penal të cilat i miratoi Kuvendi me procedurë urgjente në fillim të vitit 2014 dhe hynë në fuqi në mes të shkurtit (tetë ditë pas publikimit të tyre në Gazetën zyrtare të R. të Maqedonisë, nr. 27 të datës 05.02.2014), për shkelësit parashihet dënim me të holla dhe dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes. Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button