Mësime dhe inate

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale ishte një mësim për të gjithë. Rrethi i parë i këtyre zgjedhjeve ishte poashtu momenti kur u shprehën të gjitha inatet e ndërsjella të akumuluara gjatë këtyre dy viteve të fundit. Cili do të jetë rezultati përfundimtar i të gjitha këtyre mësimeve dhe inateve të shprehura të dielën që shkoi? Këtë do ta mësojmë në rrethin e dytë, pas vetëm edhe një të diele.

Mësimet që mund të nxirren nga ky rreth i parë mund të grupohen në dy grupe:

Së pari, ajo që e karakterizoi këtë rreth ishte dalja e ulët në votim. Mezi që u arrit pak më shumë se 41% e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Në njërën anë, ky është mesazh i rëndësishëm deri tek të gjithë politikbërësit që morën pjesë në këto zgjedhje: shumë qytetarë nuk ishin mjaftueshëm të bindur nga ofertat e kandidatëve që të dalin masovikisht në votim.

Shumë prej tyre vendosën që pakënaqësinë nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje ta shprehin thjeshtë me abstenim. Për më tepër, kjo dalje e ulët në votim është edhe një provë më shumë për të vërtetuar atë që të gjithë e dimë: vendi shprazet, popullata migron ndërsa lista zgjedhore mbetet e njëjta dhe nga viti në vit bëhet gjithnjë e më joreale. Mësimin e parë e kemi mësuar edhe në zgjedhjet paraprake, edhe në referendumin që kaloi, por assesi të bëjmë diçka më tepër për këtë. Na duhet urgjentisht sistem i ri zgjedhor, listë e re zgjedhore dhe rishikim i pragjeve të dalshmërisë në votime.

Ajo që ndodhi me bojkotin e referendumit në shtator, rrezikon të përsëritet në formën e mungesës së cenzusit në rrethin e dytë të votimeve në këto zgjedhje presidenicale. Kjo situatë gjithmonë e faktorizon pakicën destruktive e cila fiton mundësinë që t’i pengojë proceset e rëndësishme juridike dhe politike duke mos dalë në votim dhe duke u fshehur pas numrit të përgjithshëm të të gjithëve që në ditën e votimit nuk janë prezent në shtet. Për gjërat e rëndësishme për qytetarët, si kur jetësohet një marrëveshje historike si ajo e Prespës ose si kur zgjidhet presdienti i shtetit duhet të vendosin personat që shprehin qëndrim dhe jo ata që nuk shprehin asnjë lloj qëndrimi duke vendosur që atë ditë ose me vetëdije të bojkotojnë ose të mos jenë prezentë në shtet. Prandaj, edhe në situatë kur me Kushtetutë të gjithë qytetarëve të shtetit u takon e drejta e votës, pragjet e daljes në votim duhet të hiqen, ashtu sikur të njejtat nuk ekzistojnë gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Mësimi i dytë shumë i rëndësishëm është që qytetarët dhanë mesazh shumë të qartë për mënyrën e udhëheqjes së pushtetit të tanishëm. Në fakt dalja e ulët në votim dhe fakti që kandidati i LSDMsë mori gjysmën e votate të përgjigjes “PO” në referendumin për pranimin e Marrëveshjes së Prespës është mesazh i qartë që shumica e qytetarëve të këtij vendi, votues aktivë, nuk e kritikojnë pushtetin për ndryshimin e emrit të shtetit, duke kuptuar se ky ishte një hap i domosdoshëm para, drejt integrimit në NATO dhe BE.

Por gjysma e qytetarëve që u shprehën pro anëtarësimit në NATO dhe BE me pranim të Marrëveshjes së Prespës nuk e kanë votuar kandidatin e koalicionit qeverisës për shkak të kompromiseve që u bënë lidhur me vendosjen e drejtësisë në periudhën pas referendumit. Arratisja spektakolare e Gruevskit për të cilën nuk mbajti askush përgjegjësi, Ligji për Amnesti të të involvuarve në ngjarjet e 27 Prillit i cili përfshiu edhe deputetët që atë ditë hapën dyert e Kuvendit si dhe fakti që disa nga funksionarët e tanishëm, e njëherit edhe pjesë e koalicioneve qeverisëse paraprake, assesi të bartin përgjegjësi për involvimin e tyre në rastet e PSP janë disa nga arsyet pse shumë qytetarë ndihen thjesht të zhgënjyer nga ajo që disa herë më parë e kam quajtur sakrifikim të drejtësisë në altarin e politikës.

Është interesante të vërehet që ky zhgënjim shprehet në formë të mosdaljes në votim dhe jo në formë të përkrahjes së ndonjë opsioni tjetër politik. Kështu, votat ndaj kandidatit të koalicionit qeverisës janë përgjysmuar, por nuk janë rritur dukshëm as për kandidaten e VMRO-DPMNEsë, ndërsa votat për kandidatin e opozitës shqiptare në Maqedoni, poashtu nuk janë dukshëm në numër më të lartë se votat që kjo opozitë I fitoi në zgjedhjet paraprake parlamentare ose lokale. Mësimi kryesor që të gjithë subjektet politike duhet të nxjerrin nga ky rreth i parë i votimeve për president është se agjendat e tyre po vjetërrohen ndërsa qytetarët gjithnjë e më shumë e humbin besimin tek ata. Me këtë trend, së shpejti do të vijmë në situatë apatike ku qytetarët gjithnjë e më pak do të jenë të interesuar të shprehin qëndrimin e tyre përmes votës së lirë.

Dhe në fund vimë tek inatet dhe inatçorët. Gjithmonë ka edhe qytetarë të tillë për të cilët është jetike fraza popullore “Për inat të nuses, vdektë djali”. E tillë është situata edhe me rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve. Ka të tillë që prej zemërimit të madh lidhur me lëshimet e qeverisë kanë vendosur ta votojnë kandidaten e VMRO-DPMNE-së dhe ta rifaktorizojnë Mickovskin dhe partinë e tij si subjekt politik. Ka edhe të tillë që të indinjuar nga fakti se BDI, me gjithë 10 vitet e kaluara në koalicion me Gruevskin, është edhe më tej pjesë e qeverisë. Kështu të zemëruar me BDI-në, ka shumë të tillë të cilët tërësisht e përkrahin konceptin e Pendarovskit për president por nga zemërimi nuk e votojnë dot duke mos dashur në këtë mënyrë ta forcojnë edhe më tej pozitën e BDI-së në pushtet.

Në situata të tilla inatesh politike, duhet të mundohemi ta shikojmë fotografinë e madhe. E kuptoj zhgënimin nga mënyra e anashkalimit të drejtësisë me të cilin bëri kompromis LSDM-ja me qëllim që të arrijë ratifikim dhe zbatim të Marrëveshjes së Prespës.

Edhe vet jam kritike e ashpër e secilës sakrificë që i është bërë drejtësisë gjatë muajve të kaluar. Por a është në rregull që duke u thirrur tek këto lëshime të harrojmë atë që ndodhi mes viteve 2006-2017? A është në rregull të harrohet përgjimi dhe gjithçka që u zbulua në këtë skandal? A është në rregull të harrohet mënyra hegjemonike e udhëheqjes së shtetit për më tepër se një dekadë? A është në rregull të harrohen trazirat etnike që ndizeshin si me ndërprerës sa herë që i konvenonte pushtetit? A është në rregull të harrohen faljet e Ivanovit? A është në rregull të harrohet 27 Prilli kur ende nuk janë mbushur 2 vite nga ajo ditë?

E kuptoj poashtu edhe zhgënjimin e të gjithë përkrahësve të opozitës shqiptare dhe argumentimin se shqiptarët nuk e përjetuan katarzën politike të ndryshimit të pushtetit që maqedonasit e përjetuan me LSDM-në. Por është e gabuar që kjo katarzë të shihet vetëm nën prizmin e partive etnikisht shqiptare kur dihet se një numër i madh shqiptarësh votuan për LSDMnë së pari në vitin 2016 e pastaj edhe në ciklet tjera zgjedhore. Por të thirresh vetëm në pazaret ndëretnike dhe ndarrjen e pushtetit në kohëra kur procesi i konsolidimit definitiv të drejtimit që shteti duhet të marrë ende nuk ka përfunduar është jo vetë i dëmshëm por tepër i rrezikshëm për të gjithë ne.

Të gjithë pajtohen se çështja kryesore në rrethin e dytë të votimeve për president do të jetë arritja e cenzusit të nevojshëm. Me faktin që dallimi në vota mes kandidatit të koalicionit qeverisës dhe kandidates së VMRO-DPMNEsë është shumë i vogël, kjo e fundit do të jetë shumë e motivuar për të marrë pjesë aktive në rrethin e dytë, përkundër mendimit për bojkot i cili do të ishte më i fuqishëm nëse dallimi në vota do të ishte më i madh. Por cenzusi varet shumë edhe nga votuesit shqiptarë dhe motivimi i tyre për të dalë në votim në rrethin e dytë. Nëse përkrahësit e opozitës shqiptare vendosin të mos votojnë në këtë rreth të zemëruar me LSDMnë dhe për inat të BDIsë atëherë shumë procese të rëndësishme do të mbesin të përgjysmuara dhe shumë energji do të humbet në tejkalimin e krizës politike që do të krijohej në atë rast.

Humbësit më të mëdhenj në atë proces do të ishin përsëri pikërisht ata qytetarë progresivë me pikëpamje proevropiane. Kujt do t’i bëjë shërbim në këtë rast votuesi opozitar shqiptar? Për inat të BDIsë do të mundësojë që kryetari i parlamentit i zgjedhur po nga rradhët e BDIsë të bëhet edhe kryetar shteti për sa kohë që nuk do të kemi president. Ky po që do ishte veprim vetëvrasës për opozitën shqiptare.

E gjithë kjo situatë nuk mund të përmbyllet përveç se me tërheqjen e vërrejtjes sipas një fraze tjetër popullore: të mos na ndodhë që duke u munduar të vemë vetulla t’i nxjerrim sytë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button