Fletëvotime më shumë se votues të regjistruar: U anulua votimi në 7 vendvotime dhe shkarkohen 8 borde zgjedhore (VIDEO)

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot ka shqyrtuar dhe ka vendosur për 14 parashtresat e paraqitura për parregullsitë e evidentuara gjatë rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Parregullsitë kishin të bënin me fletëvotime më shumë se votues të regjistruar në Listën Zgjedhore, me votim të personave që nuk ishin të regjistruar në Listë, dhe me shkelje të fshehtësisë së votës në vendvotimet e caktuara, transmeton Portalb.mk.

LEXO: Anulimi i votimeve nga KSHZ-ja: Për sa vota mund të ndryshojë rezultati i zgjedhjeve

Pas shqyrtimit të parashtresave, u vendos anulimi i votimit në shtatë vendvotime dhe shkarkimi i 8 bordeve zgjedhore. Votimi është anuluar në dy vendvotime në Kavadar, dhe nga një në Kumanovë, Ohër, Aerodrom, Qendër dhe Kërçovë.

Komisioni Shetëror Zgjedhor (KSHZ)
Komisioni Shetëror Zgjedhor (KSHZ)

Në Kavadar, votimi është anuluar dhe janë shkarkuar bordet zgjedhore në vendvotimin 0684, për shkak se nga 368 votues të evidentuar, ka pasur 369 fletëvotime, dhe në vendvotimin 0682, për shkak se nga 402 votues të regjistruar në Listën Zgjedhore, ka pasur 403 fletëvotime. Bordet zgjedhore të të dy vendvotimeve janë shkarkuar.

Votimi në Kumanovë është anuluar në vendvotimin 1075, për shkak se në Listën Zgjedhore janë evidentuar 280 votues të regjistruar, kurse fletëvotime ka pasur 281. Këtu është shkarkuar bordi zgjedhor i cili ka qenë ndërrimi i parë.

Vendvotimi i katër, në të cilin u anulua votimi ishte 1338, në Ohër, sepse nga 42 të regjistruar në Listën Zgjedhore, ka pasur 82 fletëvotime në kutinë e votimit për pjesën e zgjedhjeve presidenciale, ndërkaq ajo e zgjedhjeve lokale ka qenë në rregull. Edhe në këtë vendvotim kemi shkarkim të bordit zgjedhor.

Pamje: Hapja e kutisë së vendvotimit 1338 në Ohër.

Votimi është anuluar edhe në komunën e Kërçovës, në vendvotimin 0816 në Zajaz, për shkak se kemi pasur 5 fletëvotime më shumë në kutinë e votimit, se sa numri i evidentuar i votuesve. Sipas parashtruesit të ankesës, Kirill Ovçegarskit nga Shtabi Zgjedhor i kandidatet për presidente, Gordana Siljanovska, dyshohet se është kryer votim masiv, pasi që në ora 15:00 ka pasur 110 fletëvotime, ndërkaq pas dy orësh, në ora 17:00 ka pasur 407 fletëvotime, që i bie se një votuese të ketë relizuar të drejtën e votës për 24 sekonda. Bordi zgjedhor është shkarkuar.

Pamje: Hapja e kutisë së vendvotimit 0816 në Zajaz.

Votimi është anuluar edhe në pjesën e komunave të Shkupit, në Aerodrom dhe Qendër. Në Aerodrom është anuluar votimi në vendvotimin 2688, pasi është regjistruar se ka votuar person i cili nuk ka qenë i regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërkaq në Qendër votimi është anuluar në  vendvotimin 2830, nga gjithsej 297 votues të regjistruar, janë regjistruar 298 fletëvotime. Bordet zgjedhore të të dy vendvotimeve janë shkarkuar.

Pamje: Hapja e kutisë së vendvotimit 2688 në Aerodrom.

Dy borde zgjedhore të ndërrimit të parë janë shkarkuar në dy vendvotime të tjera të komunës së Qendrës.

Përveç se u shkarkuan, bordeve zgjedhore të shkarkuara do t’u parashtrohen sanksione kundërvajtëse përkatëse. Procedura për sanksionim, siç njoftoi kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, do të fillojë pas rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Parashtresat tjera kishin të bënin për vendvotimet në Berovë, për të cilin paraprakisht u soll vendim për shkarkim të bordit zgjedhor, vendvotimet në Koçan, një tjetër në Kumanovë dhe në Veles.

Paraprakisht, KSHZ-ja ka anuluar votimin në vendvotimin 2564 në Gjorçe Petrov, dhe ka shkarkuar bordin zgjedhor. Bordin Zgjedhor e ka shkarkuar edhe në Berovë, ku në vend të personit të sëmurë dhe të pamundur, ka votuar person tjetër me emër dhe mbiemër të njëjtë.

LEXO: Rundi i parë me dallimin më të vogël në pesë zgjedhjet e fundit (Infografik)

Përndryshe, në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, 21 prill 2019, kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovski pati dallim shumë të vogël të votave, gjegjësisht 4606 vota më shumë kundrejt kandidates së VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Gordana Siljanovska. Pendarovski dhe Siljanovska janë në balotazh më 5 maj 2019.

Sipas rezultateve të fundit (25.04.2019) në ueb faqen e KSHZ-së, dalja e votuesve në rrethin e parë ishte 41.79 për qind (755.702 votues). Kandidati i pavarur, i mbështetur nga partitë shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, Blerim Reka mori 79.921 apo 10,58% të votave të përgjithshme, dhe me këtë nuk do të shkojë në rrethin e dytë, 5 maj 2019-të.
Kandidatja e përkrahur nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni, Gordana Siljanovska ka marrë 319.225 apo 42,24% e votave të përgjithshme, ndërkaq kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovskin mori 323.714 apo 42,84% të votave të përgjithshme.
Fletë të pavlefshme ka 32.811 apo 4,34% e numrit të përgjithshëm të votave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button