Britani, mbi 1 mijë të arrestuar në protestat ambientaliste

Mbi një mijë persona janë arrestuar që kur grupi ambientalist Extinction Rebellion filloi protestat okupuese në Londër mbi një javë më parë, ndërsa protestuesit marshuan nga Marble Arch, vendi i fundit që mbanin të pushtuar, në drejtim të Sheshit të Parlamentit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia britanike tha se në operacionet për lirimin e Urës Waterloo, Oxford Circus dhe Sheshit të Parlamentit brenda një jave janë arrestuar mbi një mijë persona.

Policia njoftoi se 71 nga të arrestuarit janë transferuar në gjykatë, kurse të tjerët janë liruar.

Javën e kaluar, disa protestues bastisën dhe dëmtuan qendrën e kompanisë së naftës Shell në Londër, ndërsa disa të tjerë penguan udhëtimet në linjat e metrosë.

Ndërkohë, një grup protestuesish kanë marshuar nga Marble Arch në drejtim të Sheshit të Parlamentit, ku policia dha leje për 500 persona për të protestuar deri në mesnatë.

Në rast të shkeljes së këtyre kufizimeve, policia ka paralajmëruar arrestimin e drejtuesve të grupit Extinction Rebellion.

Megjithatë, protestuesit kanë paralajmëruar se edhe nesër do të protestojnë në Sheshin e Parlamentit, ndërsa të enjten do të marshojnë në drejtim të qendrës financiare City of London.

Ndryshe, protestuesit kërkojnë që qeveria të pranojë se ka një krizë mjedisore, të zbatojë politika ligjërisht obligative për të reduktuar emetimin e karbonit deri në vitin 2025, si dhe të formojë asamblenë e qytetarëve për mbikëqyrjen e ndryshimeve të nevojshme për arritjen e qëllimit.

Grupi ka premtuar se do të “ndryshojë tonin” e protestës dhe se do të jetë në rrugë “për aq kohë sa duhet”.

Policia e Londrës miratoi një kusht të rendit publik që nga e hëna në mbrëmje, që do të thotë që protestuesit duhet të largohen nga vendi i ngjarjes kur t’u kërkohet.

Protestuesit nuk u rezistojnë arrestimeve dhe shumica prej tyre lëshohen brenda disa orëve pas dhënies së deklaratave në stacionet policore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button