Pikturat e tua

Të të dua ty (me ndikim)
tinëzisht duke ndjerë
pengun e një feste të fshehtë
pezulluar qyshkur…
Të gjitha kushtet sekrete të ndjenjës
piqen në muzg dhe marrin dhenë.

Vijnë mbrëmje bote
me këngë inferiore.
Vdes toka me mua
nën këmbët e tua
dhe digjet e bie
e shkrin ndër yje
fytyra jote
e fundit Bastije.

Të të dua ty:
pikë në plan të përmbysur.
Simetria pasqyrohet femër mbi gremisjen time.
Nëndheshëm uturin qeliza
tym nxjerrin damarët… shiko
si t’i mbështjell gjumi fletë-fletë
gjinjtë elektrikë me llërë e me seks.
Me fantazi gjeniale gjithë-gjithë
je e raportuar
lakër kaçurrele
me rrënjë të përjetshme në mish të munduar.

Ka edhe mëngjes
sa për t’u dalluar niveli i neverisë
në lartësinë e detyrës.

Të të dua ty (teknikisht)
e mos të ta shoh
formën e vagëlluar që humbet 
në rrjetën e karkalecave gri:
ata që kthejnë nga perspektiva
lajmërojnë gosti të mbaruar,
të tjerë nga retrospektiva
edhe shijen ia kanë harruar.

Dashuria ime kridhet pingul me ngulm e ide fikse
në trafikun e rënduar
të gjakrave bojëhiri.

Agron Tufa

Lajme të ngjashme

Back to top button