Rundi i parë me dallimin më të vogël në pesë zgjedhjet e fundit (Infografik)

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale që u mbajt dje e ka diferencën më të vogël në vota mes dy kandidatëve në pesë raundet e fundit të zgjedhjeve presidenciale, gjegjësisht Stevo Pendarovski ka fituar vetëm 4606 vota më shumë se Gordana Siljanovska – Davkova. Prandaj, gjasat për të parashikuar me sukses rezultatin e raundit të dytë janë shumë të vogla, nëse përpiqemi të bëjmë krahasime me zgjedhjet e mëparshme, transmeton Meta.mk, përcjell Portalb.mk. 

Në tre ciklet e mëparshme të zgjedhjeve presidenciale, si rregull, kandidati me më shumë vota në raundin e parë ka fituar edhe në raundin e dytë. Në zgjedhjet e vitit 2014, Gjorge Ivanov në raundin e parë fitoi 123,278 vota më shumë se rivali i tij dhe konkurrenti aktual për funksionin e kreut të shtetit, Stevo Pendarovski, e pastaj në raundin e dytë e mbajti avantazhin e madh dhe fitoi me 136.833 vota diferencë.

Ngjashëm ishte situata në zgjedhjet e vitit 2009, kur pothuajse me të njëjtat dallime, Ivanov e mposhti kundër-kandidatin Ljubomir Fërçkoski dhe fitoi për herë parë postin e presidentit.

Avantazh të bindshëm të fituesit përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale në raundin e parë dhe të dytë ka pasur në votimin e vitit 2004, kur Branko Cërvenkovski ishte në epërsi ndaj kundërshtarit të tij Sashko Kedev, me 76.215 vota në raundin e parë, e pastaj me 221.138 vota në të dytin, që është dallimi më i madh në ciklet zgjedhore që po i shqyrtojmë.

Por ky nuk ishte rasti në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999, kur ndodhi befasia më e madhe. Gjegjësisht, në raundin e parë në avantazh ishte Tito Petkovski, kandidat i LSDM, me 343.606 vota kundrejt Boris Trajkovski, me 219.098 vota, gjegjësisht avantazhi ishte 124.508 vota. Por gjërat ndryshuan tërësisht në raundin e dytë, kur Trajkovski fitoi me 591.972 vota, gjegjësisht me 77.373 vota më shumë se kundërshtari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button