Pakistani dhe Irani me “forcë të përbashkët të reagimit” në kufi

Pakistani dhe Irani sot kanë rënë dakord për të formuar Forcë të Përbashkët të Reagimit të Shpejtë për të mbrojtur kufirin e përbashkët mes dy vendeve dhe për të reaguar në mënyrë të duhur kundër militantëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raportoi media shtetërore pakistaneze, marrëveshja erdhi pas takimit të mbajtur në Teheran mes presidentit të Iranit, Hassan Rouhani dhe kryeministrit pakistanez Imran Khan.

Më 18 prill, sulmues të armatosur rëndë vranë të paktën 14 anëtarë të personelit të Forcave të Sigurisë së Pakistanit pasi i zbritën nga autobusët në autostradën kryesore që lidh qendrën komerciale pakistaneze Karaçi me portin strategjik Gwadar në provincën Baloçistan.

Të shtunën, ministri i Jashtëm pakistanez tha se sulmuesit erdhën nga Irani dhe se Islamabadi ndau të gjitha informatat rreth incidentit me Teheranin.

Gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin pakistanez, që u transmetua në median shtetërore, presidenti i Iranit tha se nuk do të lejojnë që askush të dëmtojë marrëdhëniet vëllazërore mes Iranit dhe Pakistanit.

“Në ditët e kaluara, ne ishim dëshmitarë të disa tensioneve në zonat kufitare ku terroristë kryen veprat e neveritshme, por ne nuk do të lejojmë askënd që të dëmtojë marrëdhëniet e mira me Pakistanin”, tha Rouhani, duke shtuar se dëshirojnë që të vendosin marrëdhënie mes porteve Chahbhar (Iran) dhe Gwadar (Pakistan) për të përforcuar marrëdhëniet tregtare.

Rouhani tha se vendi i tij është i gatshëm që të plotësojë kërkesat e Pakistanit për naftë, gaz dhe energji elektrike.

Kryeministri pakistanez Khan tha se dy vendet kanë rënë dakord për të rritur bashkëpunimin për të luftuar terrorizmin dhe për të siguruar që asnjë territor i vendeve të mos përdoret kundër vendit tjetër.

“Ndjej që çështja e incidenteve terroriste ndikon në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ne duhet të zgjidhim këtë çështje”, tha ai.

Khan shtoi se Pakistani dhe Irani gjithashtu kanë rënë dakord për të bashkëpunuar në gjetjen e marrëveshjes paqësore të konfliktit në Afganistan.

Ai të dielën arriti në Teheran në një vizitë dyditore, i shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button