Presidencialet në RMV: çfarë tregoi dhe çfarë mund të mësojmë nga rrethi i parë zgjedhor

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) tregoi se retorika politike pa rezultate konkrete në terren që rezultojnë në jetë më të mirë për banorët nuk funksionon më, sidomos te votuesit shqiptarë, komentojnë bashkëbiseduesit për Portalb.mk. Ata që votuan por edhe ata që nuk votuan, dhanë mesazhin se duhet urgjentisht të reformohet pushteti, duke nisur luftë serioze kundër krimit dhe korrupsionit dhe se në BE dhe NATO nuk shkohet me floskula politike.

Rrethi i parë gjithashtu u karakterizua me dalje të ulët të votuesve si dhe numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme. Krahasuar me rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 2014-s (23.677 vota), dje kishim rreth 30% më shumë vota të pavlefshme (32.828 vota) ndërkaq dalja këtë herë ka qenë më e ulët për 7 për qind se në vitin 2014. Rundi i dytë është përcaktues për fituesin, ndërkaq shqiptarët janë ata që vendosin.

Drejtori i "Metamorfozis", Bardhyl Jashari/ foto: Vanço Xhambaski
Drejtori i “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari/ foto: Vanço Xhambaski

Për drejtorin e Fondacionit për Shoqëri dhe Internet “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, tregues i rëndësishëm i zgjedhjeve është se partitë politike shqiptare kanë humbur kontrollin ndaj votuesve shqiptar, ata nuk duan më deklarata, por masa për përmirësim të standardit jetësor, luftë kundër korrupsionit, dhe çlirim të shtetit nga partitë politike.

“Tregues i rëndësishëm është se partitë politike shqiptare në RMV nuk i kontrollojnë votuesit shqiptarë. Vetëdija dhe përvoja politike te votuesi shqiptarë është rritur dukshëm e me këtë edhe rezistenca e tyre ndaj manipulimeve të partive politike. Treguesi i dytë është se ende ka shumë votues te bashkëqytetarët tonë maqedonas që për fat të keq ende frymëzohen me nacionalizëm. Tregues tjetër është se rruga për në BE dhe NATO përveç se deklaratave “madhore” për joshje të votuesve, kërkon masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kualiteti të jetës së qytetarëve. BE dhe NATO nuk janë qëllime më vete të izoluar nga jeta e përditshme, por ata nënkuptojnë drejtësi, siguri, barazi, luftë e mirëfilltë kundër korrupsionit, kriminalitetit dhe shtet-kapjes nga anëtarët e partive politike”, tha Jashari.

Latif Mustafa
Latif Mustafa

Sipas publicistit Latif Mustafa, zgjedhjet kryesisht u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve, e cila dha mesazhin se, nëse ky pushtet nuk i nis reformat në gjyqësor, parandalon nepotizmin, korrupsionin dhe migrimin, mund të kemi “mosdëgjim radikal të qytetarëve” – shpërfillje masive të çështjeve publike.

“Zgjedhjet e 21 Prillit, gjegjësisht dalja e ulët e qytetarëve ishte ndëshkim dhe mesazh i fuqishëm pakënaqësie për pushtetin. Këto zgjedhje treguan se qytetarët nuk janë dele, ata dinë të ndëshkojnë dhe çdo mundësi më të mirë, dinë ta vlerësojnë. Bojkoti i shqiptarëve ndaj LSDM-së qe një sinjal i rëndësishëm se shqiptari, megjithatë është i paparashikueshëm dhe jo lehtë i determinueshëm. Por mbi të gjitha, nëse ky pushtet nuk i nis reformat në gjyqësor, nuk e parandalon nepotizmin dhe korrupsionin dhe nuk merret seriozisht me shkaqet qenësore të ikjes dhe migrimit, bojkoti rrezikon të shndërrohen në formë të mosdëgjimit radikal qytetar, i shoqëruar me ikje masive dhe shpërfillje totale të çështjeve publike”, tha Mustafa.

Svezdan Georgievski
Svezdan Georgievski

Gazetari Svezdan Georgievski, në kolumnën e tij në “Prizma.mk”, thotë se qytetarët më 21 prill nuk dëshmuan pjekuri politike, por politikë infantile. Si faktor negativ të procesit, ai i sheh edhe data e zgjedhjeve.

“Realisht nuk kemi dëshmuar pjekuri politike, por e kundërta – demonstruam politikë infantile. Veçanërisht organizatori në këtë cikël zgjedhor. Në fakt, fakt famëkeq është se rrethi i dytë gjithmonë ka më pak dalje. Pas kësaj e kemi dhënë përvojën e njohur dhe të absolvuar, se me këtë Listë Zgjedhore të fryrë, plus me refuzimin këmbëngulës që të regjistrohet popullata rezidente, vështirë se arrihet censusi, ja dikush u kujtua se rrethi i dytë zgjedhor, praktikisht do të bie në ditën e fundit të vazhdimit të pushimit të pashkëve që, në pajtueshmëri me teorinë e lartpërmendur, jep gjasa serioze që zgjedhjet presidenciale të mos jenë të suksesshme”, tha Georgievski.

Mersim Maksuti

Për njohësin e çështjeve juridike dhe politike, Mersim Maksuti, zgjedhjet presidenciale u karakterizuan me daljen e ulët të qytetarëve, e cila sipas tij demonstron lëshimet e koalicionit qeveritar dhe mos realizimin e reformave në partinë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

“Duhet ta themi se, dalja e ulët në zgjedhje dhe rezultati i tillë zgjedhor, është dënimi më i madh ndaj disa lëshimeve që janë bërë nga ana e qeverisjes së LSDM-së, mosbërja e reformave të thella brenda BDI-së, si dhe nga mospasja e strategjisë dhe bindjes së mjaftueshme të qytetareve nga ana e opozitës në këtë vend”, tha Maksuti.

LEXO: Rezultati përfundimtar nga KSHZ, ja si kanë votuar qytetarët (FOTO)

Përndryshe, sipas numërimit të 99.80% të votave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), dalja e votuesve të RMV-së në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, 21 prill 2019-të, është 41.82 për qind (755.816 votues). Kandidati i pavarur, i mbështetur nga partitë shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, Blerim Reka ka marrë 79.915 apo 10,57% të votave të përgjithshme, dhe me këtë nuk do të shkojë në rrethin e dytë, 5 maj 2019-të.
Kandidatja e përkrahur nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni, Gordana Siljanovska ka marrë 319.240 apo 42,24% e votave të përgjithshme, ndërkaq kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovskin mori 323.846 apo 42,85% të votave të përgjithshme.
Fletë të pavlefshme ka 32.828 apo 4,34% e numrit të përgjithshëm të votave.

Ndryshe, këto ishin zgjedhjet e gjashta presidenciale të RMV-së, ndërkaq në krye të shtetit deri tash kanë qëndruar katër persona: Gjorge Ivanov (presidenti në ikje), Branko Cërvenkovski, Boris Trajkovski dhe Kiro Gligorov.
LEXO: Analizë: “Baballarët e kombit”: Çfarë lloj presidenti meriton Maqedonia?
LEXO: Analizë: “Baballarët e kombit” – të gjithë të kontestuar dhe partiakisht “të kontaminuar”!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button