Rendi global dhe shteti-komb

Në shekullin XXI është evidente disonanca mes proceseve globale, globalizmit, shtetit universal, si makro perspektivë,  dhe tendencave të ringjallura të kombëtarizmit, nacionalizmit që është një botëkuptim më i ngushtë, më i kufizuar, shtetit nacional, si një mikroperspektivë. Vepra Rendi global dhe shteti komb (Mileniumi i Ri, Tiranë, 2018, 572 fq.), e profesorit universitar, politikanit, ish-presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidanit, është një studim i vëllimshëm sociologjik dhe politologjik që merret me çështjen shtetit nacional në rendin planetar-mondial, me etninë  e kombësinë, me gjuhën, kulturën e identitetin kulturor, analizon skenare deprimuese për marrdhëniet ndërkombëtare si përplasja e qytetërimeve, pazaret kozmopolite (f. vi) etj.

Në pjesën e parë, autori analizon qytetërimet, nga të hershmet (sumer, pers, egjiptian, kinez, hindu, maja), atë grek, romak, ilir, mysliman, për të arritur te ai europian bashkëkohor. Në pjesën e dytë Meidani shqyrton rendin dhe qeverisjen globale, institucionet globale politike, ekonomike, social-kulturore, OKB-në, të drejtën ndërkombëtare, problemet e rendi global si përgjegjësitë bashkësisë ndërkombëtare, pavarësia relative dhe ndërvarësia absolute, fuqia e fortë dhe ajo e butë, trinomi shkop-karrotë-përqafim, sekularizmi dhe feja, të drejtat e njeriut, valët e demokracisë, shkëputja, secesionizmi dhe separatizmi, gjuha dhe identiteti kombëtar, duke arritur deri te imponimi politik i një gjuhe, çështja e dyshes globalizmi-atomizmi, pranvera arabe etj.

Autori zbërthen edhe një problem të shoqërisë moderne-perëndimore, shoqëria e përzier, pluralizmi kulturor, getoizimet e migrantëve, dilema integrim-asimilimi, kombi qytetar apo etnik (f. 127) e kështu me radhë. Përmes gojës së Miterrand tërheq vërejtjen për kontradiktat dhe paudhësitë e kohës: “Qytetërimi është afër barbarisë.” (f. 77) Ndër temat e elaboruara është edhe ajo e shtetit të mirëqenies sociale,  me elemnte të altruizmit, por që s’është identik me të, që moralisht dhe ekonoikisht krijon tërheqje për nga poshtë, jo rralë herë edhe “orekse” të padrejta. Autori merret edhe me politikën panshqiptare në kontekstin e shekullit XXI, “Shqipërinë Etnike” apo “të  Madhe”, me populizmin dhe të djathtën ekstreme në shtetet europiane, politikat antiemigracion, ksenofobinë (f. 180), çështjen krucial të trumpit “America first” (Amerika e para).

Ai sikur dëshiron të thotë se vetë duhet t’i zgjidhim problemet e kohës, citon një thënie spanjolle: “Udhëtar, rrugë nuk ka. Rrugët janë bërë duke ecur.” (f. 191) Ai detekton një fakt të kalimit nga periudhët e luftërave të shenjtam në atë të “eksportit të demokracisë” (f. 224), që është në shërbim të kapitalistëve, bankierëve dhe tregtarëve të mëdhenj. Ai mbështet pohimin e Kissingerit se sfida e politikës së sotme është “shndërrimi i fuqisë në konsensus”, duke ndajshtuar se politika globale nuk duhet të jetë e drejtuar kundër ndonjë vendi apo doktrine, por kundër urisë, varfërisë, dëshpërimit dhe kaosit. (f. 261), se duhet t’i shmangë luftërat e pista (la sale guerres) (f. 297) në saje të bashkëveprimit, afirmimit të vlerave gjithënjerëzore, të të kuptuarit se një shtet është sa i madh, po aq edhe i vogël, se besimi dhe familja, jo qeveria dhe burokracia janë në qendër të jetëve tona (f. 558), se s’mund të ketë lumtur përderisa nuk ka një ekonomi morale të tregut, metakapitaliste, mjaft më sociale (f. 565). Në këtë drejtim rol të rëndësishëm ka edhe qytetari global, që në çdo vend të botës së atomizuar do të klithë: Civis sum! (Unë jam qytetar), me çka i afrohet konceptit kantian për ligj dhe qytetari globale.

Teksti përmban edhe të dhëna dhe analiza historike e antropologjike, detektim ndërveprimesh qytetërimore, vështrime komparative…  Libri pas çdo kapitulli ka literaturën-referencat që e rrisin cilësinë e tij, e bëjnë një tekst serioz dhe të sugjerueshëm edhe për katedrat universitare. Një e metë e librit është metoda kryesore, ajo deskriptive, pra të dhënat janë si një shirit enciklopedizmi.

Në libër ka edhe shkarje si ajo për pjesëtarët e një qytetërimi që sipas autorit “jetojnë në të njëjtin territor të dhënë”, që nuk përkon me realitetin sepse qyterëimet janë kategori kozmopolite, kështuqë pjesëtarë e një civilizimi mund të jenë të shpërndarë në katër anët e botës (p.sh. civilizimi kristian në Brazil dhe Kore, islami në Indonezi dhe Shqipëri). Një gabim tjetër është ai i cilësimit të civilizimit islamik si arab, që shpërfaq një qasje reduksioniste, sepse qytetërimi islam është shumë më i madh se sa ai arab; aty ka mëlmesa kulturore të popujve, kombeve, gjeografive të ndryshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button