Debat në RMV: Nuk ka zgjerim të BE pa ndryshime të thella në institucionet evropiane

A është BE e gatshme për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor është çështja kryesore për proceset euro-integruese, është thënë në panel diskutimin e sotëm “Unë e zgjedh Evropën: Zgjedhjet për Parlamentin Evropian 2019 – mundësitë dhe sfidat për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, që e organizoi shoqata e  Federalistëve evropian të rinj, njofton Portalb.mk.

Sipas panelistëve, nuk mund të flitet për zgjerim të Bashkimit Evropian pa ndryshime të thella në institucionet evropiane. Rritja e populizmit në Evropë dhe mosbesimi në BE janë sfidë e madhe në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, ku vota kundër establishmentit nuk është vetëm kërcënim për procesin e integrimit në BE, por edhe për stabilitetin ekonomik, social dhe politik në kontinent.

“Publiku është lodhur, për shkak të disa zhgënjimeve pas zgjerimeve të fundit drejt lindjes. Është e qartë se ka shqetësime me sundimin e ligjit në disa vende anëtare, prandaj edhe ekziston ideja se stabilizimi demokratik i vendeve të Ballkanit Perëndimor është absolutisht i detyrueshëm para se të marrin rekomandim të fortë nga Komisioni Evropian”, ka theksuar ambasadori francez Kristijan Timonie.

Ai vuri në dukje se në Evropë ka debat të vazhdueshëm lidhur me sovranitetin e federalizmit dhe gjithmonë ka sfida për të gjetur ekuilibrin e duhur duke pasur parasysh se BE përbëhet nga kombe me histori, kultura dhe interesa të ndryshme.

Sipas përfaqësuesit të delegacionit të BE në vendin tonë, Elishka Gertnerova, analiza e rezultateve të zgjedhjeve, në shtetet anëtare të BE-28, tregojnë se kundërshtarët e procesit të integrimit evropian në dekadën e kaluar pothuajse është dyfishuar.

Përqindja e votave për partitë politike që janë kundër BE integrimit në nivel të BE-28 është rreth 17 për qind për partitë që janë fuqishëm kundër dhe rreth 26 për qind për opsionet politike që janë pjesërisht kundër procesit të BE integrimit.

Sipas Gertnerova, zvogëlimi afatgjatë i perspektivave ekonomike së bashku me migrimin dhe frikën e popullatës lokale nga ndryshimet e shpejta sociale, janë themeli i rritjes së populizmit në Evropë.

“Këto probleme nuk janë vetëm në nivel të BE-28, por për të gjithë rajonin e Evropës, duke e përfshirë edhe Ballkanin. Një mënyrë e mundshme për të dalë nga kjo situatë është të adresohet mungesa e besimit të votuesve, sepse siç e kemi parë votuesit janë inteligjent dhe e dinë se fletëvotimi është armë për të shprehur pakënaqësinë”, theksoi Gertnerova.

Si sfidë kryesore për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian, Gertnerova i vuri në dukje votat kundër establishmentit. – Kjo nuk është vetëm kërcënim për procesin e BE integrimeve, por edhe për stabilitetin ekonomik, social dhe politik të kontinentit. Para nesh janë zgjedhje të rëndësishme dhe shpresoj se së bashku do të gjejmë një zgjidhje për këto probleme në afat të gjatë, tha Gertnerova.

Përfaqësuesja e Federalistëve evropian të rinj Sesil Gajsman, theksoi se ndonëse shpesh flitet për atë vallë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të gatshme për anëtarësim në BE, çështja kryesore për proceset euro-integruese  është nëse BE është e gatshme për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor hyjnë nesër në BE, kjo do të thotë gjashtë të drejta të reja të vetos, ndërsa e dimë se edhe funksionimi i BE me 28 vende anëtare me të drejtë vetoje është vështirë të mirëmbahet. Nëse duam të jemi të përgatitur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, do të nevojiten reforma institucionale në BE”, ka theksuar Gajsman.

Ajo ka vlerësuar se sfidë kryesore në zgjedhjet e ardhshme për PE është se të rinjtë nuk votojnë, sepse, siç tha, është e nevojshme të punohet për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve në Evropë për domethënien dhe rëndësinë e votimit për Parlamentin evropian.

Simonida Kacarska nga Instituti për politika evropiane, theksoi se shtetet e reja anëtare të BE janë dëshmuar si më të mira dhe më bashkëpunuese në marrjen e vendimeve në BE, gjë që ka dëshmuar se frika nga rritja e të drejtës së vetos me zgjerimin në vitin 2004 ishte i pabazuar.

“Qëndrimi i deritanishëm i PE në përgjithësi ka treguar mbështetje për procesin e zgjerimit. Edhe pse, shumë eurodeputetë të cilët ishin për zgjerim të BE,kanë  thënë se nuk kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme, besoj se përsëri do të gjejmë miq dhe përkrahës të rinj të zgjerimit të BE”, ka theksuar Kacarska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button