Hekurudha e qytetit në Shkup: Së pari analizë, pastaj ndërtim

Hekurudha prej qytetit drejt pjesëve periferike të Shkupit do të përbëhej nga 4 degë, të cilat do të lidhnin Qendrën e transportit me linja të rregullta në drejtim të Zelenikovës, Radushës, Milladinovcit dhe Aeroportit Ndërkombëtar – Shkup, njofton Meta.mk.

Projekti për të përfshirë hekurudhë prej qytetit drejt pjesëve periferike të Shkupit do të krijonte kushte për zhvillim të barabartë të kryeqytetit, por së pari duhet të bëhen studime përkatëse dhe të gjenden fonde të konsiderueshme për realizimin e tij. Qeveria në programin e saj 4 vjeçar të punës, në fushën e infrastrukturës, e ka përfshirë edhe projektin për themelimin e trafikut hekurudhor për pasagjerë drejt pjesëve periferike të rajonit të Shkupit, që do të përbëhej nga 4 krahë, duke përfshirë linja nga Zelenikova, Radusha, Milladinovci dhe Aeroporti ndërkombëtar – Shkup deri te Qendra e transportit.

Nga Hekurudhat e RMV – Transporti për “Meta”, thonë se hekurudha qytet – periferi e qytetit është në interesin e të gjithëve, se trenat që do të qarkullonin drejt vendbanimeve rreth Shkupit janë lidhja më e shpejtë për qytetarët me zonën qendrore të qytetit. Megjithatë, për realizimin e këtij projekti nevojiten financa për të blerë mjetet transportuese për qëllimin e planifikuar.

“Për transport urban të pasagjerëve, zakonisht përdoren garnitura të shkurtra motorike (me një ose dy pjesë) të cilat kanë vetëm ulëse për pasagjerë dhe hapësirë më të madhe për të qëndruar n​ë këmbë. Kjo ide është e mundur vetëm me ndërlidhjen e orareve të qarkullimit të trenave rajonalë dhe ndër-rajonalë që do të qarkullonin në nivel lokal”, theksojnë nga Hekurudhat e RMV – Transporti.

Zllatko Zafirovski, docent në Katedrën për hekurudha në Fakultetin e ndërtimtarisë në UKM, vë në pah se hekurudha qytet – pjesë periferike do të kishte efekt pozitiv për qytetin e Shkupit dhe rajonin e tij, por së pari duhet të përgatiten studimet e duhura në të cilat detajisht do të përpunohej ky projekt.

“Duhet të studiohet kërkesa për transport para se të ndërmerren vendime të tilla”, – thekson docenti Zllatko Zafirovski.

Në kuadër të shënimit të Javës Evropiane për mobilitet, Shkupit në shtator 2018 e promovoi idenë e kombinimit të trafikut hekurudhor dhe të biçikletave në Shkup, me ç’rast disa çiklistë udhëtuan nga stacioni Lisiçe deri në Gjorçe Petrov me tren. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me nismën qytetare “Në biçikleta”, shoqata “I pari në maje” dhe të dy kompanitë hekurudhore.

Megjithatë, autoritetet e qytetit dhe qeveria, në periudhën e kaluar, nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë drejt përgatitjes së analizave përkatëse me të cilat do të përcaktohej justifikimi për ndërtimin e hekurudhës prej qytetit drejt pjesëve periferike në Shkup. Si për fillim, disa inxhinierë të trafikut propozojnë të zgjerohet traseja e trenave ekzistues të pasagjerëve që në vend se prej/deri te stacioni kryesor të trenit në Shkup drejt qyteteve në brendi, në të ardhmen do të mund të qarkullonin deri te stacionet më periferike në territorin e Shkupit, me çka do të rritej numri i trenave të pasagjerëve që qarkullojnë në nivel dite në binaret e rajonit të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button