ANALIZË: Vetëm 1% e grave në RMV marrin rrogë më të lartë se 40.000 denarë (Infografik)

Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në vend, 60.8% janë burra, ndërsa 39.2% janë gra. Të dhënat e fundit të publikuara nga statistika shtetërore tregojnë se ende ka “dallim ekonomik” në bazë gjinore. Të dhënat nga sektori joqeveritar tregojnë se ndonëse e bëjnë punën e njëjtë – mundi i grave vlerësohet për 18% më pak se ai i burrave. Në vend nga numri i përgjithshëm i punëdhënësve, vetëm 19.4% janë gra.  Edhe pse bëhen përpjekje institucionale për të siguruar përfaqësim sipas përqindjes së grave në jetën publike dhe politike – mbetet e hapur pyetja se a kanë dhe çfarë efekti kanë këto përpjekje, shkruan analiza ekonomike javore ekonomik e Portalb.mk.

Vetëm 1% e grave marrin rrogë më të lartë se 40.000 denarë…

Në vend në vitin 2017 kishte 290.387 gra të punësuara, ose përqindja e punësimit të grave është 34.6 për qind, ndërsa numri i burrave të punësuar ishte 450.261, gjegjësisht përqindja e punësimit të tyre është 53.6 për qind. Këto shifra tregojnë se ende është e pranishme pabarazia gjinore, thuhet në hulumtimin e Entit Shtetëror Statistikor.

“Punësimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut karakterizohet me një strukturë shumë të pafavorshme gjinore. Kjo strukturë është e pandryshuar në një periudhë më të gjatë kohore, kryesisht për shkak të kushteve të paqëndrueshme ekonomike-sociale në vend dhe mosharmonizimit të profileve të disponueshme dhe të nevojshme në tregun e punës. Përqindja e punësimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2017 te gratë ishte 34.6 dhe është dukshëm më e ulët në krahasim me atë të burrave, që është 53.6%. Përqindja e papunësisë te gratë është 21.8, ndërsa te burrat 22.7%. Përqindja e aktivitetit te femrat është më e ulët dhe është 44.3%, dhe është dukshëm më e lartë te meshkujt, edhe atë 69.3%” – thuhet në publikim.

Nga numri i përgjithshëm i punëdhënësve (kompani vetanake) në vend që është 128.714, 19.4% janë gra, ndërsa pjesa tjetër, gjegjësisht 80.6% janë burra ose në katër punëdhënës burra, ka vetëm një grua.

Sipas sektorëve, gratë dominojnë arsim, administratë, veprimtaritë financiare, shëndetësi dhe mbrojtjen sociale, industrinë e përpunimit të ushqimit.

E bëjnë punën e njëjtë – fitojnë ndryshe…

Nga numri i përgjithshëm i grave të punësuara, vetëm 1% ose 2.979 punëtore marrin rrogë më të lartë se 40.000 denarë, ndërsa nga numri i përgjithshëm i burrave të punësuar, këtë rrogë e marrin 9.284 ose 2.1%. Dallime të mëdha ka edhe te lartësinë e rrogës prej 25.000 denarë deri në 30.000 denarë, kështu që kjo rrogë mujore e marrin 3.9% të grave dhe 5.2% e burrave. Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare tregojnë se në numrin e përgjithshëm të të punësuarve me arsim të lartë, gratë marrin pjesë me 51.7%, ndërsa burrat me 48.3%.

Në prag të 1 majit – Ditës së punës, këto të dhëna nuk janë optimiste. Para do kohësh, Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave publikoi një hulumtim sipas të cilit mundi i grave është për 18% më pak i vlerësuar se sa mundi i burrave. Brengos fakti se ky dallim në lartësinë e rrogave për vendin e njëjtë të punës, pozitën dhe sektorin e njëjtë, para nëntë vitesh ka qenë 6.6 për qind, ndërsa tani është trefishuar. Trendi i këtillë është shqetësues për organizatat sindikale, transmeton Portalb.mk.

“Hulumtimi tregon se gratë kryesisht punësohet në vende të punës që janë më pak të paguara. Nga sektorët, më të pranishme gratë janë në arsim, shëndetësi dhe në industrinë e tekstilit. Në administratën publike më shumë punojnë burrat” – tha Mare Ançevska nga SIER.

Këtë situatë e konfirmojnë edhe gjetjet e publikuara nga Lidhja e Odave ekonomike sipas të cilave gratë në industrinë e përpunimit të ushqimit dhe në tregti marrin për 17.9 për qind rrogë më të ulët për vendin e njëjtë të punës sikurse burrat, gjegjësisht se duhet të punojnë edhe 65 ditë të tjera në vit që ta fitojnë rrogën e njëjtë sikurse edhe burrat. Në sektorin publik bëhen përpjekje për ta respektuar parimin e përfaqësimit gjinor, ndërsa njëri nga shembujt e fundit të praktikimit të parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë dhe parimit të përfaqësimit të barabartë gjinor ishte në procedurën për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili njëkohësisht fitoi grua – kryetare.

Pjesëmarrja në përqindje e grave dhe burrave në popullsinë e përgjithshme në vendin tonë është pothuajse e barabartë, gjegjësisht 49.9 për qind janë gra, ndërsa 50.1 për qind janë burra. Të dhënat tregojnë se gratë jetojnë më gjatë, gjegjësisht jetojnë 3.8 vjet më gjatë se sa burrat, gjegjësisht ato jetojnë 77.5 vjet, ndërsa burrat 73.7 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button