A mundet Blerim Reka të kalojë në rundin e dytë?

Në zgjedhjet presidenciale të këtij viti mendoj se kandidatura e Blerim Rekës duhet më tepër të shihet si kualitative se kuantitative. Shqiptarët kanë ofruar një kandidat të përgatitur dhe pyetja e vërtetë këtë herë parashtrohet para votuesve maqedonas. A janë ata të gatshëm të tejkalojnë barrierat etnike siç bënë shqiptarët në vitin 2016, apo përsëri do të gjejnë ndonjë arsyetim për të mos votuar shqiptarin, siç bëjnë zakonisht me floskula të tipit “nuk keni kuadro të mira”.

Megjithatë shumëkujt i interesojnë edhe numrat, pasi argumenti kryesor i partive shqiptare në pushtet sot është se shqiptari nuk ka gjasa të kalojë në rundin e dytë. Ky qëndrim duhej hedhur poshtë qëmoti, sepse fakti që maqedonasit nuk do të votojnë shqiptarin nuk është arsye që shqiptarët të votojnë kandidat maqedonas. Përkundrazi kjo duhej të jetë shtysë mu për mbështetjen e Rekës. Sidoqoftë ngelet e hapur pyetja nëse kandidati shqiptar mundet të kalojë në rundin e dytë.

Për mendimin tim në rrethanat e sotme kjo është e vështirë, por jo e pamundshme. Që Blerim Reka të kalojë në rundin e dytë duhet të ndodhin këto tre gjëra:

1 – Atë duhet t’a votojnë masovikisht të gjithë shqiptarët

2 – T’a votojë një pjesë e bashkësive më të vogla etnike, si turqit, torbeshët e të tjerë

3 – Të ketë garë të pabarabartë te kandidatët maqedonas

T’i marrim të tre parametrat me rradhë.

  1. Në zgjedhjet parlamentare 2016 në votime dolën rreth 250.000 shqiptarë. Në zgjedhjet lokale pas një viti dalja ishte më e dobët dhe arriti vetëm rreth 210-220.000 shqiptarë. Nëqoftëse shqiptarët përsëri mobilizohen si në vitin 2016 dhe të gjithë votojnë Blerim Rekën, ai do të fillojë garën me 250.000 vota.
  2. Kontigjenti i bashkësive më të vogla etnike si turqit, torbeshët e të tjerë arrin rreth 50.000 vota. Një numër bukur i madh i tyre në vitin 2009 votuan Imer Selmanin, që do të thotë se ata mund të jenë të hapur që këtë rradhë të votojnë për Blerim Rekën. Faktor kyç këtu do të jetë presioni nga partitë e tyre; nëse ato do t’i bindin të votojnë Pendarovskin ose Siljanovskën, apo do t’i lënë të votojnë të lirë sipas bindjeve të tyre.
  3. Faktori i tretë është poaq i rëndësishëm. Nëse kandidatët maqedonas kanë mbështetje sado kudo të barabartë, atëherë ata mund të llogarisin në rreth 350.000 vota secili dhe misioni i kandidatit shqiptar bëhet i pamundshëm.

Por gjithçka ndryshon nëse gara është e pabarabartë. Për shembull në vitin 2009 Lubomir Frçkovski fitoi vetëm 202.000 vota në rundin e parë. Është e vërtetë se në rrethin e parë pati më tepër kandidatë, por edhe në rundin e dytë kur mbeti vetëm në garë me Ivanovin ai fitoi vetëm 260.000 vota.

Nëse VMRO është vërtetë e dobët siç pretendohet, ose nëse Siljanovskën e bojkotojnë vetë anëtarët e saj siç përflitet, pra nëse ajo ka mbështetje të ngjashme me Frçkovskin e vitit 2009, atëherë rezultati i saj bëhet tejet i kapshëm. Me mobilizim total të shqiptarëve dhe pak mbështetje nga bashkësitë tjera etnike, ose pak vota nga votuesit maqedonas, Blerim Reka mund të kalojë në rrethin e dytë.

Por më duhet të them se personalisht jam pesimist për këtë variant. Problemi kryesor është se disa parti shqiptare mbështesin kandidatë maqedonas dhe kandidatit shqiptar i bllokohet rruga që në start nga vetë shqiptarët. Problem tjetër është se anketat megjithatë tregojnë garë të barabartë mes SDSM-së e VMRO-së.

Si konkluzion pra mund të themi se kalimi i Rekës në rundin e dytë nuk është i pamundshëm, por është tejet i vështirë. Dhe për këtë fajin kryesisht do t’a kenë vetë shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. nuk e kisha ndermend te votoja, vetem do dilja sa per te vene nje iks ne fletevotimin.
    per kandidat maqedonas, pervec ne raste te vecanta, shqiptaret nuk duhet te votojne.
    Per kandidaten e VMRO-se asesi nuk do votoja edhe sikur te ishte e etnise sime ngaqe profesoresha duket sikur eshte me shenja sklerotike, ose zrela za starski dom, dhe asaj eshte rrezik ti adresohen pergjegjesi qe kane te bejne me sigurine e vendit. Gruaja le pershtypje qe nuk eshte ne gjendje te mbaje llogari as per sigurine e vet personale, p.sh niset per ne dyqan jashte mehalles se vet dhe ndoshta nuk e gjen rrugen per ne shtepi e mund te jete ne nevoje per ato gurralecet e perralles Agimi dhe Shpresa haha.
    Pendarovskin jo se eshte kandidat i partise SDSM qe per shqiptaret, mendoj une, eshte me e rrezikshme se sa partia pararendese ne pushtet, nga shkaku se luan me doreza, me VMRO-ne je me rehat ngaqe ajo luan direkt, nuk e di si quhej ai sulmi ne boks direkt?
    Blerim Reka eshte, pe rmendimin tim, profesor ndoshta mbimesatar universitar, por thone qe eshte prezantuar denjesisht ne fushate nga e cila fushate ne pergjithesi nuk kam ndjekur asnje, tekstualisht asnje fjali. Kete periudhe me shume me shkruhet dhe degjohet muzike, dhe kurseja kohen.
    Partite shqiptare sikur te ishin me te mencura a hic nuk jane, me ata antare te vet te rradheve te para qe, me pak perjashtime, nuk te lene mbresa te mira, do duhej t’u shkonte ndermend fushata presidenciale 20098 ku ylli i debateve ishte Mirushe Hoxha. kam njohtuar shuume njerez ne jete dhe me pergjegjesi e them se eshte nje nga njerezit gjeniale qe kam pasur nderin ti takoj, plus privilegjin qe e kam shoqe te ngushte. Tru me te zhvilluar femeror, per mendimin tim, nuk ban nana, as ne maqedoni as me gjere. mirushja u lodh nga ky pis shtet per te cilin nuk gjen nje njeri normal ta thote nje fjalete mire, u lodh nga ky sistem pa sistem dhe u shperngul ne Iran ku pergatit doktoraturen e vet te katert ose peste me rradhe (anise mike, nuk e di sakte se ajo nuk flet per sukseset e veta pikerisht nga shkaku se eshte hiper e suksesshme ne sferen akademike). Doktoraturen e ben ne gjuhen persishte qe e mesoi nderkohe atje dhe tema ka te beje me komparimet ndermejt gramatikes se gjuhes perse dhe asaj shqipe, nese mire me kujtohet nga emaili i saj kete dimer. Nese mua, apolitike, me bie ndermend kandidatura e saj si menyre per te shkelqyer ne media dhe per te rikthyer vetebesimin e votuesit te zhgenjyer shqiptar e per te rideshmuar superioritetin e races sone ne kete vend (shume argumente ka per kete, por mos zgjatem se nuk eshte kjo tema e shkrimit), PRA FJALEN E KISHA si nuk u ra ndermend partive tona jointelektuale qe ta kandidojne Mirushen thjesht per pune callemi dhe veterespekti?? Prandaj nuk doja te dilja si votuese, por ama teksti analitik i Robertit ma nderroi mendjen.
    Sa bukur shkruan ky djal, sa bindshem.
    te falemnderit Robert!

Leave a Reply to tetovare Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button