LUFTA E GJELAVE

Në agun e shekullit njëzet, kur u vunë themelet e Shqipërisë, rilindësit i shpëtoi goja dhe tha: Ta ruajë Zoti nga shqiptarët! Dhe pati të drejtë, sepse shqiptarëve, të mësuar nën llostin e të tjerëve, u hyri lepuri në bark nga frika e jetës në liri dhe që të nesërmen rrokën kazmat për ricopëtimin e atdheut.

Mjerisht, edhe  pas njëqind e sa vitesh jemi pothuajse të njëjtën llofkë, shkaku i prirjeve për kacagjelime komike ndërvëllazërore dhe mungesës së një parësie (respekt përjashtimeve!), e cila, në momente kyçe historike do të angazhohej për një të ardhme më të mirë dhe do të promovonte frymën përbashkuese, jo thellimin e përçarjeve brendashqiptare, që demoralizojnë akoma më shumë të rinjtë, të cilët vazhdojnë të ikin nga ky vend shakllabanësh që hanë pamëshirshëm edhe hisen e tyre.

Pikërisht për këtë është tejet i pakuptimtë diskursi politik i zgjedhjeve aktuale presidenciale që ka metastazuar në fyerjet më banale të mundshme, edhe pse e dimë të gjithë se spastrimi “i paqtë” dhe perfid etnik nga brezi më vital i etnisë, ua nxori bojën gjithë premtimeve brohoritëse.

E dhembshme është dhe filozofia shatrapolle që s’na lë t’i kapim të vërtetat e hidhura në kohën e duhur, që s’na lë ta kuptojmë se para hundës sonë të madhe luhet burlesku i njëjtë i së shkuarës, të cilës nuk ndalemi t’i  kushtojmë një minutë vëmendje sot, sepse e kemi zanat ta rezervojmë tërë të nesërmen për të.

Në kësi rrethanash, sigurisht na bie më mirë t’i ankohemi vetvetes, në vend se të vajtojmë me arsyetimin e përhershëm: Na e bën tjetri.

Nisur nga përsëritja e disa gabimeve të së shkuarës, duket sikur nuk ekziston ndonjë dallim thelbësor ndërmjet ish sistemit dhe demokracisë aktuale në paterica. Mbase kështu do të jetë për aq kohë sa do ta konsiderojmë sistem vlerash të reja monizmin e tebdilosur e të veshur me dollamë demokratike. Dikur, të paktën e dinim ku i kemi dregëzat. Tani jemi bërë qenie kërmillore për t’iu dhimbsur gurit e drurit. Jemi shndërruar në yrnek që i nevojitet botës për të shmangur shtonat në të cilat katandisëm vetveten.

Tek bën fjalë për etnopsikologjinë e fisit tonë të madh, Konica përmend më shumë se një herë prirjen për të ngrënë kokat e njëri-tjetrit dhe ekstazën kolektive të nxitur nga “mrekullitë” e denizullu-serpeve. Mjerisht, ne nuk kemi marë asnjëherë mësim nga historia për të mos e lejuar përsëritjen e stinëve të liga të saj, ndaj, shumë më shpejt se ç’na e preu radakja, po bëhemi pakicë e mirëfilltë edhe aty ku akoma ëndërrojmë se jemi përqindje e mjaftueshme për të gëzuar të drejtën e zallahitjes në gjuhën e shenjtë të nënës.

Sa keq që nuk përpiqemi të paktën tani ta shmangim bashkërisht fundin tonë të trishtë. Sa keq që nuk na bëjnë përshtypje vargjet e Brehtit, që duket se i shkroi enkas për ne:

Dhe viçat pas daulles

e hedhin çapin

lëkurën për daullën

vetë e japin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. vargjet e Brehtit me kthyen pas ne kohen kur e benim Brezi 9. Vitet ishin vitet e 90′-ta, revista ishte mujore, ekipi ishte dream team: Sala, Brdhyli, ti Fatmir qe ishe dhe redaktor, Nehati bente dizajn te paparseritshem deri atehere dhe prej atehere e kendej, per film shkruante Flaka Surroi. Punuam me vite, pa pagese, me qejf, dashni, ndikim ne opinion. Eh, kohera ishin ato e jo keto te sotmet.
    Pse m’u kujtua periudha?
    vargjet e Brehtit i kemi pasur ne nje nga numrat, dhe vetem tash duke lexuar tekstin tend te shkelqyer Fatmir, mlu faniten edhe disa vargje, nuk me kujtohet autori, ndoshta ishte japonez?
    sa thelle e ndjeva vetmine kesaj vjeshte (ose sa thelle e ndjeva kete vjeshte)
    re dhe zogj.

    kaq ishte.
    me shume nuk i duhet poezise.
    Fatmir i dashur, sa bukur, sa sakte ke shkruar, sic ben cdo jave.
    Portalbi, e them une, ka mbledhur kolumnistet me te mire shqiptare te Maqedonise, vetem njera aty eshte zalutala ndermjet Penave.

    falemnderit Portalbit qe me postoi 🙂
    por edhe sikur mos me postonte, une keshtu pergatis librin e ri, tekste qe me kane inspiruar kryesisht per te mire, dhe komentet e tetovares qe fatmiresisht u shperngul me kohe nga qyteti qe i han njerezit e vet.
    Por ja ekipin e Brezit, me ndonje perjashtim te vogel ndoshta, nuk arriti ta hante.
    e thoshte miku yne i perbashket Fadil Bajraj dhe do e citoj burimisht Novac ne kvari coveka, novac kvari to sto je kvarlivo.
    p.s fjalen novac mund ta zevendesojme me fjalet Qyteti, Koha, Politika, hepisi bir.,

Leave a Reply to tetovare Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button