Shefi i Pentagonit: Koreja V. nuk testoi raketë balistike

Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se një armë e re në Korenë e Veriut, e cila është testuar së voni, nuk ka qenë raketë balistike.

Patrick Shanahan, shef i ngarkuar i Pentagonit, tha se forcat amerikane në Korenë e Jugut nuk e kanë ndryshuar gjendjen e gatishmërisë, transmeton REL.

“Është bërë një provë. Nuk ka qenë raketë balistike”, tha Shanahan.

Më 17 prill, media shtetërore në Korenë e Veriut raportoi se udhëheqësi i këtij vendi, Kim Jong Un, ka mbikëqyrur testimin e një arme të re taktike me “kokë të fuqishme bërthamore”.

Arma u cilësua si kontribut “me rëndësi të madhe” në arsenalin e Koresë së Veriut.

Prova ka gjasa t’i rrisë tensionet me Shtetet e Bashkuara, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Koreja e Veriut i ka pezulluar testet raketore dhe bërthamore.

Trump është takuar dy herë me Kimin, ndërsa takimi i dytë, i mbajtur në Hanoi në muajin shkurt, ka përfunduar pa marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur në çarmatosjen e plotë bërthamore të Koresë së Veriut, përpara se t’i lehtësonin sanksionet kundër saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button