Analizë: Para zgjedhjeve rritet intensiteti i skandaleve të rreme dhe të imponuara dhe aferave

Ashtu si po afrohen zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashtu po ashpërsohet edhe fushata edhe atë në mënyrë që po rritet numri i dezinformimeve të cilat plasohen në publik, të derdhura në të ashtuquajturat “lajme të rreme”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Tani termin “lajme të rremë”  të gjithë e përdorë si dëshiron dhe kur dëshiron dhe shpesh përdoret për të sulmuar edhe lajme që janë krejtësisht të vërteta, por që nuk i pëlqejnë atij që i shpallin të rreme. Në këtë artikull, këtë term do ta përdorim në kuptimin e tij origjinal, i cili përcakton plasim të qëllimshëm të lajmeve dhe informacioneve të pavërteta dhe të pasakta, në këtë rast për arsye politike, me qëllim të dëmtimit të kundërshtarit politik ashtu që do të manipulohet votuesi i painformuar, madje edhe votuesi i cili është relativisht i informuar, por i cili s’ka resurse për të kontrolluar dhe për të analizuar një sërë informatash edhe në bazë ditore dhe vazhdimisht për të verifikuar se çka është e saktë e çka nuk është. Tendenca e rritjes së plasimit të lajmeve të rreme në fushatën parazgjedhore nuk është e pazakontë. Por ajo që është e pazakontë, në 2-3 ciklet e kaluara zgjedhore, është mënyra se si plasohen ato dhe përmbajtja e tyre.

Dezinformatat parazgjedhore i përmbajnë dy karakteristikat kryesore në vijim: Së pari, ato krijohen në mënyrë sistematike dhe të organizuar, ndërsa në publik paraqiten nga aktorë të ndryshëm në skenën politike dhe publike për të maskuar dhe për të fshehur gjurmën prej nga rrjedhin ato: politikanë lokalë, kandidatë presidencialë, portale me orientime politike, media dhe rrjetet tjera sociale, kur është e nevojshme për të arritur distancë edhe më të mëdha nga burimi i vërtetë i dezinformimit nga ai që e ka publikuar, e ndonjëherë dezinformatat përdoren si shkas për veprim politik.

Tipari i tyre i dytë ka të bëjë me faktin se ato pothuajse rregullisht krijojnë skandale të trilluara në mungesë të atyre të vërteta. Gjithmonë përmbajnë faj të imponuar, që nuk mund të dëshmohet te kundërshtarët politikë, krijojnë mllef të zbrazët, artificial dhe të imponuar dhe ajo që është më e rëndësishmja nga pikëpamja e kontrollit të tyre, kryesisht janë të paverifikueshme, ose nuk mund të dëshmohet se kush ka dhe kush s’ka të drejtë sepse gjërat përfundojnë ashtu që njëra palë thotë një gjë, tjetra të kundërtën.

Edhe kur skandalet e fabrikuara janë të verifikueshme, verifikimi, gjegjësisht e vërteta ka problem për të arritur tek publiku më i gjerë. Së pari, mohimet nuk janë kurrë aq të depërtueshme sa dezinformata e parë e bujshme dhe sensacionaliste, ndërsa kur bëhet fjalë, për verifikimin e fakteve, megafoni i atij që përhap dezinformata është shumë më i madh se i atij i cili i kontrollon faktet. Gjegjësisht, ai që përhap dezinformata e bën atë në emër të partisë ose si kandidatit për president dhe si i tillë pranon hapësirë mediatike me numër të pakufizuar të mundësive për të përsëritur dezinformatën dhe për të manipuluar publikun disa herë.

Këto ditë kemi shumë shembuj të dezinformimit dhe manipulimit: lajmi i rremë për kinse dorëheqjen e ofruar nga ministri i shëndetësisë Venko Filipçe kryeministrit Zoran Zaev, me ç’rast si arsye është përmendur përgjegjësia morale e ministrit për epideminë e fruthit. Kjo dezinformatë u mohua menjëherë nga ministri personalisht, por jo para se ajo të përhapet në publik.

Afera tjetër është kinse ndikimi i kandidatit presidencial Stevo Pendarovski në punësimin e vëllait të tij në Agjencinë e inteligjencës. Megjithëse vëllai i tija është i punësuar në këtë institucion që nga viti 1999. Artikulli përmend disa hollësi negative të karrierës së Vojçe Pendarovskit, duke i bazuar të gjitha pretendimet në burim anonim.

Manipulim tjetër është akuza se kryetari i Shkupit Peter Shilegov i ka detyruar punonjësit e SHA “Higjiena komunale” të marrin pjesë në mitingun parazgjedhor të partisë, por lajmi është bazuar vetëm në një fotografi ku mund të shihen disa njerëz në uniforma të ndërmarrjes publike. S’ka burime tjera të informacionit, s’ka deklarata nga persona kompetentë ose cilitdo person, por vetëm një fjali akuzuese e cila si konkluzion e konfirmon atë parapraken. Dhe aq.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e “skandaleve” të trilluara dhe të imponuara në periudhën parazgjedhore të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019. Numër posaçërisht të madh të dezinformatave ka në fushën e ekonomisë, për shembull ( “ekonomia është zero” kinse paskan thënë investitorët gjermanë, se mjetet e ri-investuara nuk janë investime, etj) që janë veçanërisht të këndshme dhe të lehta për të manipuluar publikun për shkak se bëhet fjalë për lajme që kanë bazë profesionale dhe nevojitet ekspertizë për t’i zbuluar, ekspertizë të cilën shumica e votuesve nuk e kanë.

Por ajo që është vijë e përbashkët për të gjitha është fakti se asnjë nga këto lajme të rreme nuk është hulumtuar deri në fund apo edhe në përgjithësi. Ato të gjitha janë të cekëta për nga përmbajtja, të pa përfunduara dhe me pasaktësi tipike për dezinformatat dhe duke e pasur parasysh numrin dhe intensitetin e tyre të zmadhuar ato janë të gjitha në favor të një kandidati të caktuar në fushatën parazgjedhore.

Ajo që më së shumti brengos është, natyrisht, rreziku nga efikasiteti i tyre, gjegjësisht që t’ia dalin me sukses të imponojnë një storje që bazohet mbi të pavërteta që kuptohet lehtë dhe ashtu i manipulojnë votuesit që ata të paraqiten para kutive të votimit me qëndrime të  ndërtuara në bazë të tregimeve të rreme, pa e ditur se janë të mashtruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button