Kosova synon t’i trajtojë rastet e infarktit akut brenda dy orësh

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën e Kardiologjisë Invazive, shkalla e vdekshmërisë brenda spitaleve është rreth katër për qind.

Kjo, sipas profesionistëve të fushës, është shkallë e krahasueshme me vende të zhvilluara në gjithë botën.

Megjithëkëtë, kjo shkallë e vdekshmërisë po synohet të ulet edhe më shumë, pasi nga dita e enjte, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës do të fillojë të implementojë projektin për trajtimin e infarktit akut brenda dy orëve me pacientë nga e gjithë Kosova, transmeton REL.

Përmes kësaj mase parashihet që brenda 120 minutave të shpëtohet muskuli i zemrës së pacientit dhe të shpëtohet nga invaliditeti, pasi konsiderohet se lufta më e madhe në botë bëhet që pacienti të arrijë te mjeku brenda 2 orëve të para kur ata përjetojnë sulm në zemër.

Ky projekt vjen në kohën e trendit të rritjes së sëmundjeve kardiovaskulare kanë thënë profesionistë shëndetësorë.

Basri Sejdiu, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, bëri të ditur se me këtë projekt Kosova do t’i kalojë vendet e rajonit në shëndetësi, ndërsa do të barazohet me vendet evropiane.

“Brenda 120 minutave shpëtohet muskuli i zemrës së pacientit dhe shpëtohet nga invaliditeti. Lufta më e madhe në botë bëhet që pacienti të arrijë te mjeku brenda dy orëve të para. Tani me dy salla të kateterizimit dhe me mjek të trajnuar, ka ardhur koha që trajtimi i infarktit do të mund të bëhet brenda dy orëve të para”, ka thënë Sejdiu.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se programi për trajtimin e infarktit akut brenda dy orësh, është një gjë e mirë që nga dita e enjte ka filluar të implementohet fillimisht në Prishtinë, e më pas do të shpërndahet edhe në gjitha vendet tjera të Kosovës.

Ky projekt do të financohet nga Qeveria e Luksemburgut.

‘’Do të jetë një shërbim për mbrojtjen e qytetarëve nga sulmi në zemër. Realisht, zhvillohet një linjë direkte mes qendrave shëndetësore me atë terciare, pra QKUK-në. Sulmi në zemër lajmërohet kur pacienti të lajmërohet kudo që është, dhe informatat shkojnë direkt në kardiologji dhe bëhet gati gjithçka derisa pacienti të arrijë aty. Dhe gjithë këtë po e paramendojmë të kryhet brenda dy orësh’’, tha Ismaili.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas kardiologut Tefik Bekteshi, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë, vitin e kaluar janë realizuar 2,517 koronografi, 1,370 procedura për stentime, dhe tek infarkti akut është ndërhyrë në 908 raste.

Përveç kësaj, viti 2018 është përmbyllur me 212 operacione në zemër të hapur në klinikën e kardiokirurgjisë, e cila tashmë po funksionon 24 orë 7 ditë në javë.

‘’Vitin e kaluar në QKUK kemi punuar 908 infarkte akute brenda 12 orëve prej momentit të dhimbjeve tek pacientët. Ky program ka për qëllim vetëdijësimin e pacientëve por edhe të stafit mjekësor të mos jetë brenda 12 orësh, por brenda 2 orëve dhe efektet të jenë sa më të mira. Ne nuk kemi të dhëna për vdekshmërinë afatgjate, pra 30 ditësh apo 6 muajsh, por vdekshmëria brenda në spitale është më pak se 4 për qind që është rezultat i mirë. Por, me arritjen më të shpejtë të pacientëve te ne këto vdekje do të ulen edhe më tej’’, tha Bekteshi.

Ndryshe sipas ministrit Ismaili rreth 3 mijë persona, apo 35 për qind e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës.

Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5 për qind. Me shërbimin 24-orësh për sëmundjet e zemrës dhe stentimin në QKUK dhe tani me këtë program siç thotë Ismaili do të shtohen ndjeshëm shanset e qytetarëve për mbijetesë.

Programi pritet të zhvillohet në tri faza dhe puna për realizimin e tij do të fillojë menjëherë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button