Kandidatët presidencial me qëndrime të ndryshme për zyrtarizimin e gjuhës shqipe

Qëndrime të ndryshme në lidhje me Ligjin për gjuhët kanë shprehur dje tre pjesëmarrësit në garën për president në TV debatin e katërt, që emitohet në Alsat, por prapë se prapë që të tre me qëndrimin se votuesit nuk i ndajnë në bazë etnike dhe se në fushatën e tyre u drejtohen të gjithë qytetarëve, e jo etnikumeve të caktuara, shkruan Nova TV, transmeton Portalb.mk.

Kandidati i cili mbështetet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka thotë se ai është pro zyrtarizimit të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në vend.

“Mes meje dhe dy kandidatëve të tjerë ekzistojnë qëndrime të ndryshme diametrale në lidhje me këtë çështje. Unë këtu nisem prej konceptit të të drejtave të lindura. Ne shqiptarët të cilët jemi të lindur këtu kemi të drejtë të tillë, ndërsa me zgjidhjen aktuale jemi të degraduar në Kushtetutën me statistikë prej 20 përqind”, ka thënë Reka.

Ai theksoi se kandidatja, të cilën e përkrah VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova ka qenë kundër miratimit të këtij ligji, derisa kandidati, i cili ka mbështetjen e LSDM-së, Stevo Pendarovski është për shfrytëzim maksimal të gjuhës shqipe, por se ai është pro zyrtarizimit të gjuhës.

Siljanovska ka theksuar që nëse ajo zgjedhet si president do t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Ka shtuar se dispozita ligjore mund të kontestohen ose anulohen vetëm prej Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë ka theksuar se ka shumë vërejtje në lidhje me këtë ligj – në aspekt të harmonizimit të tij me Kushtetutën dhe Marrëveshjen kornizë, por do ta respektojë dhe zbatojë.

Pendarovski, siç tha, është konzistent në lidhje me këtë çështje, ai ligj nuk do të dëmtojë askënd, por është miratuar për të avancuar të drejtat e bashkësive etnike.

“Bëhet fjalë për ekstension maksimal në lidhje me të ashtuquajturave të drejta gjuhësore të shqiptarëve etnik. Kur i jepni më tepër të drejta një bashkësie etnike kurse nuk merrni prej tjetrës nuk ka rrezik për shkatërrim të shtetit, por në atë mënyrë përforcohet kohezioni dhe secili që ia donë të mirën Republikës së Maqedonisë së Veriut do të duhet të mban llogari për atë lloj të ligjeve”, ka thënë Pendarovski.

Të tre kandidatët thonë se në fushatë u drejtohen të gjitha bashkësive etnike, Siljanovska pohon që llogaritë në votuesit shqiptarë, Pendarovski nuk i sheh si votues potencial, ndërsa Reka nuk dëshiron t’i tërheq vetëm shqiptarët.

“Nuk mban teza se unë i kërkoj votat vetëm të shqiptarëve. Unë jam i vetmi kandidat për president i cili fushatën e mban në të dyja gjuhët. Me maqedonasit komunikoj në maqedonisht, me shqiptarët shqip”, tha Reka.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ka mohuar se gjatë fushatës ka vizituar vetëm komuna, ku shumica e popullatës janë shqiptar. Thotë se i ka vizituar dhe ka biseduar me qytetarët në Ohër, Veles, Prilep, Debreshtë…

Siljanovska u përgjigj se ajo u drejtohet të gjitha bashkësive etnike, s’ka pasur asnjë tubim në të cilin nuk u është drejtuar edhe shqiptarëve si dhe të gjitha bashkësive tjera etnike që jetojnë në vend.

Llogarit në votat e shqiptarëve, por siç thotë “jo në votat e dakorduara prej partive, por në votat e shqiptarëve, si individë”.

Pendarovski theksoi se ai nuk i përdor shqiptarët vetëm si votues dhe ka theksuar se Reka nuk është i vetmi që mban fushatë dygjuhësore. Edhe ai ka dy faqe një në maqedonisht, kurse një në shqip. Theksoi se gjithmonë është angazhuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në vend, duke filluar nga konflikti në vitin 2001 kur e ka mbështetur zgjidhjen paqësore të krizës, si këshilltar i atëhershëm i ish presidentit Boris Trajkovski, kurse edhe në vitin 2004 është angazhuar për decentralizim dhe transferim të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal.

Kandidatët folën edhe për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnik në institucione, me ç’rast Pendarovski ka theksuar se ka ngelur në nivel prej 16,7 përqind deri në fund të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Theksoi se nuk do ta ndjek politikën e shefit të atëhershëm të shtetit Gjorge Ivanov, i cili siç ka thënë, për shkak të asaj që në mandatin e dytë nuk e ka fituar përkrahjen as prej BDI-së i ka nënçmuar shqiptarët, në kabinetin e tij nuk ka propozuar asnjë, kurse edhe me vite të tëra shqiptar nuk ka shkuar në misione diplomatike – konsullore.

Reka theksoi që në garën për president ka hyrë pikërisht për shkak të përfaqësimit të drejtë, përkatësisht për të shmangur monoetnizmin shtetëror dhe shtoi se me atë do të kontribuojë për balancim ndëretnik.

“Në të gjitha tre funksionet deri në vitin 2016, në krye të Kuvendit, dhe institucionit president kanë qenë maqedonas. Në vend se për njëmendësi partiake dhe monotenike, presidenti duhet të jetë për demokracinë në Maqedoni”, tha Reka.

Siljanovska është përkujdesur që përfaqësimin e drejtë ta zbatojë qysh në kabinetin e saj por, thotë se ajo nuk dëshiron në këtë kontekst të shikojë rreptësisht nga aspekti i përkatësisë etnike, por edhe kualifikimeve tjera, para se gjithash profesionalizmin dhe kompetencën.

“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është vlerë themelore e rendit kushtetues, por në Maqedoni nuk ekziston ligj për përfaqësim të drejtë dhe nuk mund në praktikë të zbatoni vlerë themelore në rendin kushtetues”, tha ajo.

Sipas saj, përfaqësimi i drejtë nuk guxon të ndërlidhet vetëm me kriterin etnik, tha se kjo është e ndaluar në SHBA, por që duhet të përfshihen edhe personat me pengesa, të merret parasysh përfaqësimi gjinor.

“Më mbani për besën time, por në kabinetin tim së pari do të ketë vend për femra shqiptar dhe maqedonase, por gjithsesi profesioniste dhe kompetente”, theksoi Siljanovska.

Pendarovski iu përgjigj se këto deklarata të saj janë retorikë e pastër politike dhe i bëri vërejtje se nuk mund të thërret në përfaqësim, ndërkaq të mos i ftojë shqiptarët të votojnë për atë.

“Shqiptarët nuk janë komb me nevoja të veçanta, që kuptohet nuk donë të thotë se personat me nevoja të veçanta nuk i meritojnë të drejtat e tyre”, theksoi Pendarovski.

Tre kandidatët sqaruan si ata, si president i ardhshëm do të shfrytëzojnë të drejtën për abilicion, ndërsa në kontekst të paralajmërimeve se Gjorge Ivanov ka për qëllim ditët e fundit të mandatit të tij t’i shfrytëzojë për faljen e të dënuarve për 27 prillin.

“Nuk do të amnistojë pa bazë dhe kriminelë”, tha Reka dhe theksoi se këtë të drejtë do ta shfrytëzojë me shumë kujdes dhe pas analizës së detajuar me ekspertë.

Siljanovska thotë se bëhet fjalë për relikt prej monarkive absolute të mëhershme, kur mëshira e fundit është kërkuar prej mbretit ose mbretëreshës dhe në kontekst të tanishëm e quajti funksion pseudo-gjyqësor.

“Presidentët duhet rrallë por me shumë vëmendje të shfrytëzojnë këtë instrument, për shkak se kjo është cenim i pavarësisë së gjyqësorit, veçanërisht kur ekziston e drejta ekskluzive për falje, jo nëpërmjet Ministrisë së drejtësisë”, tha ajo.

Pendarovski theksoi se ai nga funksioni presidentit asnjëherë nuk do të veprojë si servil/vasal partiak dhe shtoi që nëse Ministria e drejtësisë nuk ngrit procedurë për falje, ai vet presidenti nuk mund ta bën atë.

“Qëndrimi im për faljen e personave të dënuar për 27 prillin është i qartë. Mund të falen vetëm ata të cilët nuk kanë ushtruar dhunë, nuk kanë mbajtur armë dhe nuk kanë qenë organizatorë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button