Rrethi i parë

Ja ku u afrua edhe fundi i fushatës zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti. Fushata kaloi qetë dhe në atmosferë të mirë, me shumë debate në shumë televizione ku kandidatët i treguan prioritetet e tyre, progamet e tyre, bindjet e tyre politike rreth ligjeve dhe proceseve të ndryshme. Ndonjëherë debatet ishin më të nxehta, ndonjëherë më të përmbajtura, por me rëndësi është që kishte debate dhe jo vetëm mitingje parazgjedhore. Është shumë mirë kur kandidatët i konfrontojnë qëndrimet e tyre dhe paraqesin argumente për ato qëndrime. Në këtë bazë, qytetarët mund të bëjnë zgjidhje të infrmuar për atë kandidat që më së shumti i përmbush pritshmëritë e tyre dhe argumentet e të cilit janë më shumë bindëse dhe më pak kontradiktore.

Është poashtu interesante të shihet sa konzistentë janë në qëndrimet e tyre kandidatët presidencialë. Për shembull, Siljanovska Davkova është edhe më tej konzistente në qëndrimin se Ligji për përdorimin e gjuhëve është kundërkushtetues. Ajo thotë që të njejtin do ta zbatojë por vetëm për shkak të asaj që është në fuqi, përndryshe, ajo e trajton këtë ligj si problematik në aspektin kushtetues. Duke qenë se personalisht kam pasur debat më herët pikërisht me këtë kandidate pikërisht lidhur me këtë ligj, mund të them që argumentet rreth kushtetueshmërisë së atij ligji të cilat kandidatja i paraqet nuk vërtetojnë aspak që ky ligj është kundërkushtetues. Argumentet që ajo bashkë me kolegët tjerë të saj i paraqitën në kohën e aprovimit të këtij ligji, kishin të bëjnë kryesisht me frikën se ky ligj to të sjellë deri tek federalizimi i vendit. Siç pamë, federalizim nuk ndodhi, por vetëm u vërtetua edhe një herë se e gjithë frika që paraqitet gjithmonë kur avansohen të drejtat kolektive të një etniteti është krejtësisht e pabazë.

Për më tepër, Siljanovska Davkova para dy vitesh, duke u munduar sërisht të përdore argumente juridike, u mundua ta arsyetojë dhunën që ndodhi me 27 Prill 2017 si proces filibasteringu me të cilin zakonisht sabotohet sjellja e një ligji. Si profesore me eksperiencë të gjatë në ligjërimin e të drejtës kushtetuese dhe sistemeve politike, ajo e din fort mirë që pengimi me dhunë i transferit paqësor të pushtetit nuk është filibastering por vepër e rëndë prnale pikërisht kundër rrendit kushtetues tek i cili ajo vazhdimisht thirret. Prandaj, duke qenë se argumentet juridike për të cilat flet Siljanovska Davkova janë kaq të cekta, ajo që mund të vërtetohet është se gjithmonë duke u fshehur pas paradigmave si “ligji”, “kushtetuta” etj. ajo në fakt ruan qëndirmet e saja të vazhdueshme anti-shqiptare, bukur të kamufluara nën dispozitat ligjore të cilat ajo i interpreton ashtu si dëshiron.

Në këtë rreth të parë zgjedhor do të shihet sa afër është VMRO-DPMNE të realizojë synimin e përhershëm të kthimit në pushtet. Realieti është se ka një numër të konsiderueshëm të votuesve tek të cilët qëndrimet e Siljanovska Davkovas ende kalojnë. Por ne zgjedhim president i cili shtetin duhet ta shtyejë në shekullin XXI, nuk zgjedhim president që duhet të na dërgojë në shekullin XIX. Është mirë që kemi mundësinë të shohim tre kandidatë me programe tërësisht të ndryshme. Mundemi vetë të vendosim për atë program që na duket më real dhe më i realizueshëm dhe i cili prezentohet nga kandidati më konzistent në qëndrimet e tija pozitive proevropiane dhe properëndimore. Është mirë të jemi të arësyeshëm dhe ta respektojmë realitetitn. Ndërsa realiteti është se VMRO-DPMNE bën çmos ta marrë sërish pushtetin dhe të na kthejë prap aty ku ishim tash dy vjet më parë. A thua do të lejojmë një gjë të tillë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button