U dorëzua në Arkiv libri i firmosur nga Enver Hoxha

“100 pamjet e Parisit” u dhurua nga Aldo Terrusi, djali i Aurelia Posellit.

“Enver Hoxha ka dashur t’i dhurojë një gruaje të rafinuar jo një libër dosido”

Ai vërtet ka qenë një djalë i pashëm, që binte në sy, por ama duket se i ka ardhur turp që zonjushës italiane t’i linte një dedikim si student botanike. Student mjekësie është pa dyshim më mirë. Kështu ia ka firmosur Enver Hoxha, 82 vjet më parë, librin “Les Cent Vues de Paris” Aurelia Posellit, një vajze të re dhe të bukur italiane që ai e pëlqente shumë. Dje, i biri i Posellit, Aldo Renato Terrusi, ia dhuroi këtë libër Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë.

Terrusi, i cili humbi të atin në burgun e Burrelit, si shpagim për injorimin që e ëma i bëri Enver Hoxhës, e pa si më të përshtatshme që këtë libër t’ia dorëzonte arkivave shqiptare. Vepra, ruajtur mirë, me një kopertinë të fortë, iu dhurua drejtoreshës Nevila Nika, sipas së cilës do të ruhet në fondin personal të Enver Hoxhës në Arkivin e Shtetit.

“Ky është libri origjinal që Enver Hoxha i ka dhuruar nënës sime në një prej herëve kur është kthyer nga Franca, ku ishte me studime. Është një prezantim fotografik i Parisit e nga kopertina që ka, them se është një libër i rëndësishëm. Kjo më bën të mendoj se Enver Hoxha ka dashur t’i bëjë dhuratë kësaj gruaje të bukur e të rafinuar një libër jo dosido. Është ky një libër që përfaqëson një ndër lidhjet e familjes sime me Shqipërinë… Një kordon kërthize që familja ime ka mbajtur, në të mirë e në të keq me Shqipërinë”, u shpreh dje Terrusi, i cili gjithë jetën e familjes së tij e ka shkruar në librin “Rikthim në vendin e shqiponjave”.

Ky libër pritet të vijë në shqip i përkthyer nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Edhe në këtë ardhje në Tiranë, Terrusi ka përmendur këmbënguljen për të gjetur eshtrat e të atit, ishdrejtor i Bankës së Vlorës, në vitet ’40. “Eshtrat e tij janë ende diku aty, nëse është e vërtetë ajo që thuhet se të burgosurit që vdisnin varroseshin po në kamp. Unë do vazhdoj të jem kokëfortë dhe të vazhdoj kërkimet për gjetjen e eshtrave të tim eti”, tha Aldo Terrusi.

Lajme të ngjashme

Back to top button